Lufta ndaj parave false, BQK-ja: 2.5 milionë monedha 2-euroshe janë tërhequr nga qarkullimi
Foto: Laura Hasani

Lufta ndaj parave false, BQK-ja: 2.5 milionë monedha 2-euroshe janë tërhequr nga qarkullimi

Ekonomia May 13, 2024 - 14:53

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka raportuar për suksesin e aktiviteteve të koordinuara për luftimin e monedhave të falsifikuara, veçanërisht monedhave dy euro, gjatë fundit të vitit 2023 dhe pjesës së parë të vitit 2024.

BQK-ja ka organizuar takime ndërinstitucionale për këtë qëllim dhe ka zhvilluar aktivitete në përputhje me Planin për zbatim të lehtësuar të Rregullores për operacione me para të gatshme.

Image

Në periudhën deri në prill 2024, BQK-ja ka arritur disa rezultate të rëndësishme në luftën kundër parave të falsifikuara dhe zbatimin e masave të rregullores për operacione me para të gatshme:

– Janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth 2.5 milionë copë monedha të denominimeve prej 2 eurove;

– Janë detektuar dhe u është parandaluar hyrja në sistemin financiar rreth 54,000 copë monedha të denominimeve prej 2 eurove, duke i tërhequr nga qarkullimi të dyshuara si të falsifikuara;

– Është furnizuar ekonomia me afër 7.4 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar;

– Është furnizuar ekonomia me afër 5.82 milionë copë kartëmonedha euro plotësisht të reja dhe të përshtatshme për riqarkullim në shumë prej 261.6 milionë eurove;

– Janë importuar monedha krejtësisht të reja 5 milionë copë, ose 8 milionë euro;

– Janë eksportuar 2.4 milionë copë (2.8 milionë euro) të monedhës 2 euro (të tërhequra nga qarkullimi);

– Numri i kartëmonedhave prej 500 (pesëqind) euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në BQK ka kaluar mbi 266,000 (dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) copë/njësi në vlerë mbi 133 (njëqind e tridhjetë e tre) milionë euro;

– Janë licencuar katër (4) banka për import/eksport të parasë së gatshme; dhe

– 57 autorizime (kryesisht të valutave jo-euro) për transport të parave të gatshme në kundërvlerë të tërësishme prej 177.4 milionë eurove.

Image

Përveç kësaj, BQK-ja ka zbatuar Planin për Zbatim të Lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, duke realizuar aktivitete në të gjitha pikat e planit, si funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë, lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, dhe pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së.

Gjatë kësaj periudhe, BQK-ja ka licencuar 8 degë/zyra të institucioneve financiare, ka vendosur 38 bankomatë/ATM, dhe ka kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese.

BQK-ja ka theksuar se vazhdon të përqendrohet në zgjerimin e qasjes në financa, përfshirjen financiare, edukimin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Banka Qendrore e Kosovës ka inkurajuar qytetarët dhe bizneset të përdorin sa më shumë pagesat elektronike dhe të raportojnë çdo dyshim për monedha të falsifikuara tek autoritetet përgjegjëse. /Zëri