Deponia e mbeturinave, rrezik për ndotje të ujit të pijes

Ekonomia December 17, 2018 - 08:14
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Ndonëse banorët e Bashkësisë Lokale të Qirezit kanë protestuar para Komunës në ditën kur është mbajtur seanca, Kuvendi i Skenderajt ka miratuar propozim-vendimin për deponi interte të mbeturinave në vendin e quajtur “Delli” në Qirez, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Kuvendi i Skenderajt në një mbledhje të jashtëzakonshme ka miratuar propozim-vendimin për caktimin e lokacionit për vendosjen e deponisë së mbeturinave interte në vendin e quajtur “Delli” të Qirezit.

LEXO EDHE: Opozita, pa qëndrim për propozim-marrëveshjen e Qeverisë

Kuvendarët e Skenderajt kishin vendosur që për propozim-vendimin për deponinë inerte në “Delli” të Qirezit ta diskutojnë në mbledhje të jashtëzakonshme, pasi që propozim-vendimin e kishin cilësuar të papranueshëm për banorët e asaj ane, sepse, siç patën thënë disa nga asamblistët, bërja e deponisë së mbeturinave sipër shtëpive, jo më larg se 100 deri në 300 metra nga shtëpitë, në pjesën ku banorët furnizohen me ujë të pijes, paraqet rrezik për shëndetin e banorëve të asaj zone. Për këtë arsye asamblistët në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Skenderajt vlerësuan se për këtë çështje do të diskutojnë në seancë të jashtëzakonshme. 

Jashari: Vendi i quajtur “Delli” në Qirez është më i përshtatshëm për deponi

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se komisioni i ekspertëve pasi ka hulumtuar territorin e Komunës për caktimin e një lokacioni për vendosjen e mbeturinave inerte ka ardhur në përfundim se vendi i quajtur “Delli” në Qirez është më i përshtatshëm për deponi.

“Komisioni ka punuar dhe ka vlerësuar se ajo pjesë është shumë më e përshtatshme për deponi të mbeturinave inerte. Deponia inerte nuk përbën rrezik për ndotje të ujit të pijes për ekonomitë familjare të fshatrave, ose ndonjë rrezik tjetër. Pasi të mbyllen gropat me mbetje inerte në atë pjesë Komuna ka planifikuar të mbëltojë fidanë pishe”, ka thënë kryetari i Skenderajt pas miratimit të propozim-vendimit për formimin e deponisë së mbeturinave me mbetje inerte në “Delli” të Qirezit.

Në anën tjetër, banorët e asaj zone kanë kundërshtuar fuqishëm idenë për deponi të mbeturinave në atë pjesë. Ata pakënaqësinë e tyre e kanë shfaqur para ndërtesës së Komunës në ditën kur është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Skenderajt, në të cilën është vendosur që të bëhet kjo deponi në “Delli” të Qirezit.

Ankohen banorët

Banorët kanë shprehur shqetësimin e tyre dhe rrezikun që mund t’u kanoset nga deponia. Sipas tyre, nuk ka asnjë logjikë që deponia të vendoset në kodër, sepse kjo nuk ndodh askund.

“Deponia duhet të vendoset në ultësira, në një terren që nuk rrezikon dhe nuk kërcënon shëndetin e banorëve. Shumë shtëpi furnizohen me ujë të pijes pikërisht nga aty ku është vendosur për deponi. Ne nuk e pranojmë në asnjë mënyrë këtë vendim të Komunës dhe nuk do të lejojmë që atje të bëhet deponia, pavarësisht vendimit të Kuvendit të Skenderajt dhe pavarësisht se për çfarë deponie bëhet fjalë”, kanë thënë banorët me një zë.

Ata madje janë kërcënuar se kamionin e parë me mbeturina do ta shkarkojnë para shtëpisë së njërit prej anëtarëve të komisionit, që është nga Prellovci, ndërsa kamionin e dytë para ndërtesës së Komunës.

“Ata që kanë vendosur që deponinë ta bëjnë në ‘Delli’ lë t’i vendosin mbeturinat para shtëpive të tyre, kudo që i kanë, por edhe para objektit të Komunës, kështu edhe do të ndodhë”, kanë vijuar ata.

Opozita: Këshilltarë komunalë mbrojnë interesat e pazareve të veta

Në anën tjetër opozita në Skenderaj ka vlerësuar se shumë këshilltarë komunalë mbrojnë interesat e pazareve të veta kur vendosin për gjëra të tilla.

“Deponi në kodër, duke i lënë poshtë asaj deponie tri fshatra si Çirezi, Baksi dhe Prellovci, është gabim, për të mos thënë krim. Shqetësuese është tendenca për manipulimin e opinionit, duke e shtrembëruar Ligjin nr. 02/L30 në interpretim. Në një komunikatë që ka postuar Komuna përveçqë personat që shihen në një fotografi dhe me të cilët kinse janë konsultuar nuk janë kryetarë fshatrash dhe nuk e përfaqësojnë Bashkësinë Lokale të Çirezit. Aty thuhet se mbetjet inerete nuk bëjnë dëme, por me qëllim nuk ceket pjesa e të njëjtit paragraf ku thuhet se këto mbetje rrezikojnë cilësinë e ujërave. Po në të njëjtën komunikatë kryetari Bekim Jashari është zotuar se do t'i takojë banorët e asaj zone, por pasi që të merret vendimi. Qeverisjet të cilat nuk konsultohen para se të merren vendimet, por shkojnë te banorët për të diktuar dhe urdhëruar zbatimin e tyre nuk janë qeverisje të kohës, thënë më së buti. Ta vendosesh deponinë sipër shtëpive natyrisht që ka rrezik për ndotjen e ujërave. Deponia do të duhej të ishte në një pozicion sa më të ulët, jo në kodër, sidomos jo afër shtëpive e që në rastin konkret largësia varion prej 100 deri në 300 metra larg shtëpive. Banorët e Bashkisë Lokale të Çirezit nuk do ta pranojnë këtë vendim.

Mehani: Komisioni ka falsifikuar një nënshkrim të një anëtari të komisionit

“Edhe atyre asamblistëve që kanë votuar për këtë vendim banorët e asaj zone ua kanë shënuar në CV-të e tyre, ngase nuk po flasim për dy-tre kamionë me mbeturina, por për një deponi”, vlerëson Hysni Mehani, asamblist i Vetëvendosjes në Kuvendin e Skenderajt, banor i Bashkësisë Lokale të Qirezit. Ai ka sqaruar se komisioni ka falsifikuar një nënshkrim të një anëtari të komisionit.

“Komisioni falsifikoi nënshkrimin. Nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme duke u bazuar në punën e një komisioni i cili ka delegjitimuar veten në momentin që ka falsifikuar nënshkrimin e njërit anëtar të komisionit që mungonte, në njërën anë thuhet se një anëtar i komisionit ishte në pushim, në anën tjetër figuron nënshkrimi i atij anëtari në vendim”, ka sqaruar Mehani. /ZERI