Opozita, pa qëndrim për propozim-marrëveshjen e Qeverisë

Aktuale December 17, 2018 - 07:53
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Qeveria e Kosovës ditë më parë ua ka paraqitur ambasadorëve të vendeve të QUINT-it si dhe shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë draft-marrëveshjen gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative për dialogun me Serbinë. Megjithatë, ndonëse ky propozim i Qeverisë për atë se çfarë duhet të përmbajë marrëveshja me Serbinë u është dërguar edhe subjekteve politike në vend, ato ende nuk kanë një qëndrim në lidhje me të. Edhe nëse do të ketë unitet të subjekteve politike në vend analistë politikë vlerësojnë se Serbia nuk do të pajtohet me këtë draft, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në mbledhjen e radhës së Qeverisë do të prezantohet ky draft i marrëveshjes. Ai ka bërë të ditur se drafti përfshin të gjitha temat të cilat janë të rëndësishme për Kosovën dhe të cilat duhet të diskutohen në dialogun me Serbinë.

LEXO EDHE: Me dy qëndrime në dialog

Arifi: Subjekteve politike ua kemi dërguar draftin, presim komente

Shefi i delegacionit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Avni Arifi, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka thënë se drafti i propozuar nga Qeveria e Kosovës në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë u është dërguar subjekteve politike në vend.

Sipas tij, deri në formën përfundimtare të draftit do të marrin edhe komentet dhe propozimet e të tjerëve.

“Drafti përmban kapitujt kryesorë që kanë të bëjnë me marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative. Ai u është dërguar të gjitha subjekteve politike, pothuajse të gjitha ambasadave të QUINT-it. Ditëve në vijim do t’u rezervohet edhe deputetëve të Kosovës dhe shoqërisë civile. Është një draft-projekt i cili është i hapur, pritet për komente, propozime e përmirësime deri në formën përfundimtare”, ka thënë ai.

Arifi ka vlerësuar se drafti është në interes të të gjithëve. “Unë besoj që është me interes që gjithkush të jetë pjesë e këtij dokumenti, është ofertë e Kosovës, ofertë gjithëpërfshirëse. Komentet e të gjithëve janë të mirëseardhura”, ka thënë ai.

Opozita, e pavendosur për draftin

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagaci, ka thënë për “Zërin” se ende nuk kanë një qëndrim në lidhje me draft-projektin për marrëveshjen me Serbinë.

“Tani nuk kam qëndrim. Jemi njoftuar në mbledhje të Kryesisë se është dhënë drafti. Ne do ta analizojmë atë shumë shpejt dhe do të dalim me një qëndrim zyrtar”, ka thënë ajo.

Një qëndrim në lidhje me draftin e propozuar nga Qeveria nuk kanë dhënë as deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, ka thënë për gazetën se nëse ka ndonjë dokument që e cenon kushtetutshmërinë e vendit, atëherë LDK-ja nuk do të diskutojë.

“Ne kemi thënë gjithherë se askush nuk guxon të jetë mbi Kushtetutën. Ajo çfarë është e qartë, ku LDK-ja nuk shkel asnjëherë, e thotë qartë edhe Kushtetua e Kosovës, se kush mund të dialogojë dhe për çfarë mund të dialogojë”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, sa i përket marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Sejdiu, ka thënë për “Zërin” se tashmë delegacioni që është përzgjedhur nga deputetët e Kuvendit do të merret me temat të cilat lidhen me dialogun.

“Me rezolutë është vendosur që delegacioni shtetëror është i vetmi i cili mund të merret me temat që lidhen me dialog. Delegacioni është votuar dhe besoj që i merr të gjitha dokumentet nga institucionet e shtetit”, ka thënë ai.

Tahiri: Për shkak të paragjykimeve Serbia nuk do të pajtohet me draftin

Analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për “Zërin” se për shkak të paragjykimeve ndaj Kosovës shteti serb nuk do të pajtohet me draftin e propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të merret me atë se a pajtohet shteti serb ose jo.

“Shteti serb është deklaruar se nuk pajtohet me këtë draft. Kosova nuk duhet të shikojë nëse pajtohen shtetet tjera ose jo, sepse Kosova ka vullnetin e popullit të saj. Serbët nuk pajtohen sepse kanë paragjykime për Kosovën, sepse mendojnë që çështja e pavarësisë duhet të rikthehet në bisedim. Kosova mirë që para bashkësisë ndërkombëtare ka dalë me platformë. Nuk është e rëndësishme nëse pajtohet Serbia ose jo, sepse Kosova e kontrollon territorin e saj dhe edhe me Serbinë duhet një marrëveshje sikur me shtetet tjera”, ka thënë ai.

Draftin e propozuar nga Qeveria Tahiri e ka vlerësuar si një hap pozitiv, i cili, siç ka thënë ai, do të duhej të merrej qysh në fillim të dialogut.

“Çdo draft që e bën Qeveria e Kosovës për bisedimet me Serbinë është hap pozitiv. Është dashur që një draft i tillë të jetë që nga fillimi, sepse Serbia që nga fillimi i ka caktuar pikat që do t’i bisedojë, gjithashtu Kosova duhet ta ketë platformën e saj në të cilën nuk duhet të ketë kompromis të dhimbshëm, sepse Kushtetuta dhe ligji e përcakton dhe askush nuk ka të drejtë të fitojë diçka në bisedime”, ka shtuar ai./ZERI