Komunat ndajnë banesa për kategori josociale
FOTO: Driton Bublaku

Komunat ndajnë banesa për kategori josociale

Ekonomia tetor 09, 2018 - 08:40
DETAJET
Image

Një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ka nxjerrë në pah keqpërdorime të shumta rreth ndarjes së banesave komunale për raste sociale. Në raportin e Auditorit thuhet se në Komunën e Ferizajt nga 52 përfitues vetëm 7 (shtatë) janë identifikuar të jenë në mesin e kategorisë sociale. Po ashtu nga kontratat ekzistuese për banim social në Komunën e Prishtinës ZKA-ja ka vërejtur se nga 98 përfitues vetëm 48 ishin nga kategoria sociale, shkruan sot gazeta "Zëri".

Shkelje të shumta ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të Programeve të Veçanta për Banim (PVB) social nëpër komunat e Kosovës. Sipas Auditorit, shumica e komunave kanë aplikuar kritere shtesë e të cilat mund të kenë lënë shumë qytetarë në situatë të vështirë socio-ekonomike, pa ndihmë për banim, përderisa disa kategori të tjera sociale kanë përfituar banim nga institucionet publike, edhe pse duke u bazuar në ligjet në fuqi ata nuk e gëzojnë të drejtën e një përfitimi të tillë.

LEXO EDHE: Sërish mungojnë barnat nëpër spitalet publike

“Në një ftesë për aplikim në Komunën e Ferizajt nga 52 përfitues vetëm 7 (shtatë) janë identifikuar të jenë në mesin e kategorisë sociale. Numri në listën e pritjes nëse marrim parasysh kërkesat e pranuara në PVB-të në Ferizaj në vitin 2017 ishte 218. Komuna e Ferizajt nuk ka ndarë buxhet për këtë qëllim për vitet në vijim. Nga kontratat ekzistuese për banim social në Komunën e Prishtinës kemi vërejtur se nga 98 përfitues vetëm 48 ishin nga kategoria sociale. Përveç këtij numri, në vitin 2016 dhe 2017 Komuna e Prishtinës ka shpallur një ftesë për aplikime për fondin e saj të 100 banesave në dispozicion, të ndërtuara rishtazi. Me këtë rast ka dhënë në shfrytëzim 50 kontrata për raste sociale nga 331 aplikantë dhe 50 kontrata të tjera për grupet e tjera sociale, si veteranët e familjet e dëshmorëve, nga 129 kërkesa të kategorive të tjera”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

70% e aplikantëve nuk kanë përfituar banesa sociale

Në raportin e Auditorit, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se, duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor (MMPH), dy të tretat, ose rreth 70% e aplikantëve për Programe të Veçanta për Banim (PVB), gjatë 15 vjetëve të fundit nuk kanë përfituar nga ky program. Sipas Auditorit, gjatë së njëjtës periudhë janë bërë mbi 3.600 aplikime dhe më shumë se 20 milionë euro janë dedikuar për 1.178 apartamente, 51 ndërtesa banimi kolektive. Aty më tutje thuhet se si pasojë komunat nuk kanë vendosur prioritete për t’i përmbushur nevojat urgjente për banim, p.sh. duke kërkuar zgjidhje kosto-efektive ose nuk kanë qenë në gjendje të rrisin fondin e banimit social.

“Me kalimin e kohës numri i kërkesave për PVB është duke u rritur dhe është bërë gjithnjë e më e vështirë dhe më e kushtueshme për komunat që të plotësojnë kërkesat. Në të njëjtën kohë jo të gjithë ata që sipas kritereve shtetërore kanë nevojë për PVB do të përfitojnë nga programi. Komuna e Obiliqit ka përmbushur me pak së 20% të nevojave për banim social, duke akomoduar 59 familje, por ky numër paraqet vetëm banorët e fshatit Plemetin e që ishte një investim i veçantë i Qeverisë qendrore në vitin 2006. Kjo dëshmon se kjo komunë nuk ka bërë përpjekje për të akomoduar këtë kategori të qytetarëve, derisa një numër prej 243 kërkesave të tjera potenciale, që janë raste sociale për t’u marrë në konsideratë, janë në listat e pritjes”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Në Komunën e Gjakovës 178 aplikantë janë në listë të pritjes

Sipas Auditorit, numri prej 94 përfituesve, ose rreth 35% të nevojave të përgjithshme në Komunën e Gjakovës, përbën 48 familjet e akomoduara në ndërtesat e banimit të dedikuara për PVB dhe 46 përfitues në proces të akomodimit. Duke u bazuar në regjistrat e Komunës, ka edhe 178 aplikantë që janë në listë të pritjes derisa të gjendet një zgjidhje.

Po ashtu Komuna e Mitrovicës ka akomoduar 23 përfitues, duke përmbushur rreth 23% të nevojave totale për PVB, përderisa një numër prej 75 kërkesave, ose rreth 77%, janë në listën e pritjes derisa të gjendet një zgjidhje. Sipas listës, numri i përgjithshëm i nevojave për PVB është 98. “Komuna e Ferizajt ka plotësuar nevojat e 90 përfituesve, ose rreth 29% të kërkesave të regjistruara, 38 prej tyre janë në akomodim e sipër, ndërsa një listë prej 218 kërkesave për banim social mbeten të pazgjidhura deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Numri i 198 përfituesve, ose rreth 35% të kërkesave të përgjithshme në Komunën e Prishtinës, përbën 98 familjet e akomoduara në ndërtesa banesore, që janë të destinuara për PVB. Në akomodim e sipër janë 100 përfitues aktualë, kurse 360 kërkesa janë në listë të pritjes derisa të gjendet një zgjidhje. Në mostrat e audituara kemi identifikuar se duke u bazuar në buxhetin e ndarë dhe të shpenzuar për qëllime të banimit social, si dhe në planet për ta përmbushur këtë kërkesë, autoritetet nuk bëjnë shumë përpjekje për të ndërmarrë veprime përkundër numrit të madh të kërkesave dhe objektivave të përcaktuara dhe nuk raportojnë në lidhje me rezultatet e arritura”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.

Sipas Auditorit, duke marrë parasysh se një numër i madh i kërkesave për banim social ka mbetur i pazgjidhur dhe përveçse nuk po zvogëlohet, numri i kërkesave për PVB-të është vazhdimisht në rritje. Si rezultat i rritjes së numrit të kërkesave për PVB, parashtruesit e kërkesave ndonjëherë detyrohen të presin për një kohë të gjatë në mënyrë që kërkesa e tyre të merret parasysh. Megjithëse shumë nga këta aplikantë kanë shumë pak gjasa të përfitojnë nga këto programe për shkak të burimeve të kufizuara financiare dhe për shkak të numrit të kufizuar të vendeve të banimit të dedikuara për këtë qëllim.

Komunat shkelin ligjin

“Në pesë komunat e audituara ekziston një numër kërkesash për PVB-të prej 1.519 familje, ku 462 familje janë akomoduar dhe 1.057 familje nuk kanë mundur ende të zgjidhin problemin e tyre të banimit, ose rreth 70% prej tyre duhet të presin derisa autoritetet të gjejnë një zgjidhje në problemin e tyre të banimit. Raportet vjetore të institucioneve përgjegjëse për PVB-të tregojnë se shumë pak është bërë në periudhën e kaluar në lidhje me përmbushjen e kërkesës për PVB-të. As planet strategjike të komunave, si institucionet kryesore përgjegjëse për banim dhe as planet e tyre operacionale nuk tregojnë ndonjë veprim ose plan për të menaxhuar në mënyrë efektive këtë problem dhe nuk janë specifikuar vërejtje në këto raporte lidhur me mosplotësimin e nevojave për PVB. Gjatë intervistave me zyrtarët përgjegjës të komunave të përzgjedhura është vlerësuar se autoritetet nuk kanë ndonjë strategji të veçantë veprimi ose plan veprimi për të zgjidhur këtë problem shoqëror dhe as për të trajtuar performancën e dobët të një liste të gjatë të pritjes për PVB”, thuhet më tutje në raport.

Komuna e Prishtinës dhe ajo e Ferizajt janë duke shkelur ligjin me ofrimin e ndihmës së banimit për disa kategori sociale, që nuk e gëzojnë të drejtën e një përfitimi të tillë. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar një numër të madh parregullsish, që po i shoqërojnë komunat në procesin e Programit të Veçantë për Banim (PVB).

 Dhënia me qira e apartamenteve për palët që kanë të ardhura të larta

Përveç keqpërdorimeve të lartcekura, si shkelje tjetër është evidentuar edhe dhënia me qira e apartamenteve në pronësi publike për palët që kanë të ardhura më të larta sesa limiti i përcaktuar me rregullore prej 300 eurosh.

“Gjatë ekzaminimit të të ardhurave të përfituesve të PVB-ve kemi gjetur se ka një numër të banorëve që marrin paga më të larta së 300 €, që është kufiri maksimal i caktuar me Ligjin për PVB-të, që konsiderohet shumë e mjaftueshme e të ardhurave për t’i përballuar çmimet e tregut të banesave komerciale”, tregon raporti.

Përveç përfituesve të Programit të Veçantë të Banimit, Komuna e Mitrovicës dhe e Prishtinës thuhet se kanë lista të banorëve të një numri përfituesish, të cilët nuk janë të përfshirë në këtë program. Madje në këto komuna thuhet se vazhdojnë të banojnë një numër qytetarësh që kanë përfituar banesa në pronë publike në kundërshtim me programet e banimit, që rregullojnë përfitimin e banimit në banesa në pronë publike. Janë evidentuar edhe raste kur këto apartamente u janë dhënë në shfrytëzim zyrtarëve të institucioneve publike, që do të duhej të shfrytëzoheshin për akomodim të familjeve sociale.

“Në të gjitha komunat e audituara zyrtarët komunalë përgjegjës na kanë informuar së ata kanë një fond apartamentesh, që sipas ligjit në fuqi është pronë e Komunës dhe duhet të përdoret për akomodimin e familjeve sociale, ndërsa disa nga këto apartamente janë duke u përdorur nga zyrtarë të institucioneve publike. Komunat ua kanë dhënë me qira këto BPP kategorive të tjera sociale, duke i mbështetur vendimet e tyre në Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale dhe në Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Shkëmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës”, raportohet më tutje.

Por, në disa komuna banesat sociale nuk i plotësojnë kushtet për banim. Teksa vështirësitë për banim thuhet të jenë rritur prej periudhës së pasluftës, ku llogaritet të jenë shkatërruar 1/3-a e shtëpive të banimit. Duke u bazuar në të dhënat publike, bëhet e ditur se numri i shtëpive të dëmtuara ishte rreth 120 mijë, ku 45 prej tyre përgjithësisht të dëmtuara. Tek pas periudhës së pasluftës në Kosovë është rritur edhe aktiviteti i madh i donatorëve, që kanë ndërtuar rreth 60 mijë shtëpi banimi.

Kontratat e qiradhënies nuk monitorohen

Sipas Auditorit, përfituesit e banesave sociale përmes PVB-ve nuk janë monitoruar në raport me rivlerësimin e situatës së tyre socio-ekonomike pasi u është dhënë kontrata e qirasë. Në të gjitha pesë komunat e audituara nuk kanë gjetur ndonjë pagesë të bërë nga qiramarrësit e banesave. Për më tepër, asnjëra nga komunat e audituara nuk i regjistron këto të arkëtueshme në regjistrat e tyre financiarë dhe as nuk identifikohen si borxhe të pambledhura.

“Mungesa totale e menaxhimit financiar të kontratave të qirasë përveç mbledhjes së fondeve për mirëmbajtjen e ndërtesave kolektive të banimit të dedikuara për banim social e vështirëson edhe kontrollimin e kësaj prone publike. Përveç qirasë, për banesa nuk kemi gjetur ndonjë pagesë të bërë nga qiramarrësit e objekteve afariste të vendosura në ndërtesat e banimit të dedikuara për PVB. Komuna e Mitrovicës nuk ka pranuar asnjëherë pagesa nga qiramarrësit e lokaleve afariste të vendosura në ndërtesat e banimit të dedikuara për PVB, edhe pse të regjistruara në llogari të arkëtueshme. Komunat që zotërojnë hapësira afariste të vendosura në ndërtesa të dedikuara për PVB nuk kanë bërë shumë përpjekje për të dhënë me qira të gjitha lokalet afariste nga të hyrat e të cilave do të siguronin fonde për mbulimin e shpenzimeve të administrimit, mirëmbajtjes, amortizimit, riparimeve të rregullta dhe investimeve të këtyre ndërtesave. Për më tepër, asnjëra nga komunat e audituara nuk ka vendosur procedura, as udhëzime se si të menaxhohen të hyrat nga banesat e dedikuara për PVB e as lokalet afariste të vendosura në ndërtesat e dedikuara për PVB”, thuhet në raport.

Proces i tejzgjatur

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar në raport se gjatë periudhës 2015-2017 tri nga pesë komunat e audituara kanë pasur aktivitete të ndarjes së banesave për PVB.

“Gjatë ekzaminimeve kemi vërejtur se procesi i vlerësimit të aplikantëve dhe përzgjedhjes së përfituesve është i tejzgjatur. Komisioni i vlerësimit dhe i përzgjedhjes për vlerësimin e aplikacioneve për banim social në Ferizaj ka përzgjedhur 37 përfitues nga 256 aplikantë, duke lënë bosh njërën nga banesat në dispozicion. Nënshkrimi i kontratave me këta përfitues në Ferizaj është pezulluar përkohësisht nga Komuna për shkak të ankesave të shumta dhe derisa kjo çështje të zgjidhet nga gjykata lokale. Komisioni i vlerësimit dhe i përzgjedhjes për vlerësimin e aplikacioneve për banim social në Gjakovë ka përzgjedhur 42 përfitues nga 220 aplikantë, duke lënë të lira katër (4) banesa në dispozicion, pa përzgjedhur përfituesit, duke marrë parasysh se mund të ketë ankesa. Procesi i nënshkrimit të kontratave me përfituesit në Gjakovë është pezulluar përkohësisht nga Komuna për shkak të faktit se banesat e dhëna janë të zëna nga disa palë të treta, që nuk i lirojnë këto banesa”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Aty më tutje thuhet se procedurat e vlerësimit të aplikacioneve nga ana e Komisionit të vlerësimit dhe përzgjedhjes në Komunën e Prishtinës kishin zgjatur 10 muaj për PVB dhe për aplikantët që nuk janë pjesë e këtij programit kishin zgajtur 5 muaj, nga data e mbylljes së konkursit të hapur.