Sërish mungojnë barnat nëpër spitalet publike

Aktuale October 09, 2018 - 08:28
Vazhdon problemi me barna në spitalet regjionale dhe rajonale
Image

Thuajse në të gjitha spitalet regjionale edhe më tutje janë duke munguar barnat e listës esenciale. Drejtori Klinik në Spitalin e Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë se aktualisht janë duke munguar 22 barna nga lista esenciale, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Institucionet publike shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të mos i përmbushin të gjitha kërkesat e pacientëve sa i përket furnizimit me barna nga lista esenciale, si dhe furnizimit me material shpenzues. Për shkak të mungesës së furnizimit qytetarët detyrohen t’i blejnë vetë produktet medicinale, të cilat u nevojiten për trajtime mjekësore.

LEXO EDHE: Akademia e “plagjiaturës”

Drejtori Klinik në Spitalin e Gjilanit, Nisret Hajrullahu, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se furnizimi me barna nga lista esenciale në këtë spital nuk është as 60%. Sipas tij, furnizimi me material shpenzues është edhe më i ulët.

“Diku 35% është furnizimi me material shpenzues, ndërsa me barna diku 55%. 22 barna nga lista esenciale na mungojnë. Në listë esenciale janë diku më shumë se 70 barna”, ka thënë ai. Për mungesat e këtyre produkteve medicinale Hajrullahu ka fajësuar operatorët ekonomikë.

“Nuk ka faj Ministria e Shëndetësisë, por këtu janë përgjegjës operatorët ekonomikë me të cilët ka kontraktuar Ministria e Shëndetësisë. Janë lidhur kontratat, por ata nuk i realizojnë ato”, ka thënë ai.

Këtë vit me mungesë të barnave nga lista esenciale, si dhe materialit shpenzues është ballafaquar edhe Spitali i Prizrenit. Sipas informatave të dërguara më herët nga shefi i farmacisë së këtij spitali, furnizimi me material shpenzues në këtë spital gjatë vitit 2018 ka qenë nën 30%.

Furnizimi me material shpenzues në Spitalin e Mitrovicës, nën 50%

Drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Hamëz Berisha, ka thënë për gazetën “Zëri” se furnizimi me material shpenzues edhe në këtë spital është nën 50%. Sipas tij, ky spital ka nevojë që prapë të furnizohet me produkte medicinale. “Ka nevojë prapë për furnizim. Me material shpenzues është furnizimi më i vogël se 50%. Me barna është furnizimi më i mirë. Spitali i Mitrovicës është më specifik. Ne kemi rritur shërbimet këtë vit sepse në planifikim vitin e kaluar nuk e kemi pasur. Kërkesat e pacientëve janë më të mëdha, por në vitin 2019 futen në planifikim dhe besoj që s’do të ketë telashe”, ka thënë ai. Berisha ka theksuar se furnizimi është më i mirë se vitet paraprake dhe se pret që ai të rritet edhe më shumë.

“Është furnizimi më i mirë se viteve të kaluara. E kemi rastin specifik në Klinikën e Ortopedisë. Ne nuk kemi mundur të bëjmë implante sepse nuk kemi pasur ortopedë, ndërsa sot kemi dhe bëjmë implante. Ne kemi marrë premtim që furnizimi do të rritet”, ka thënë ai.

Furnizim më i mirë me barna në Spitalin e Gjakovës

Ndonëse në disa spitale të përgjithshme furnizimi me material shpenzues nuk i përmbush as gjysmën e kërkesave të pacientëve, në Spitalin e Gjakovës thuhet se furnizimi është më i lartë.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se furnizimi me barna dhe me material shpenzues në këtë spital është rreth 70%.

“Në muajt e fundit rreth 70%  është furnizimi me barna dhe me material shpenzues. Të gjitha spitalet furnizohemi përmes Ministrisë së Shëndetësisë. Furnizimi nga lista esenciale është dukshëm më i mirë dhe është duke u rritur sepse më herët kemi pasur furnizim më të vogël”, ka thënë ai. Sipas tij, ndonëse furnizimi me barna dhe me material shpenzues nuk i përmbush të gjitha kërkesat, ai është më i lartë sesa viteve të kaluara. “Ne nganjëherë kemi numër më të madh të pacientëve, sidomos gjatë ditëve të verës kur edhe bashkatdhetarët tanë vijnë dhe rritet numri i banorëve. Me fillimin e sezonit rritet edhe numri i disa sëmundjeve kronike. Ndoshta ishin përmbushur të gjitha kërkesat nëse do të ishte furnizimi qind për qind. Në spitalin tonë sipas shefit të barnatores furnizimi është në rritje e sipër”, ka theksuar ai.

Deputetët kërkojnë më shumë punë në rritjen e furnizimit me barna

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka treguar për gazetën se si anëtarë të Komisionit kanë diskutuar dhe kanë ngritur zërin për përmirësimin e furnizimit me barna nga lista esenciale.

Sipas saj, problemi me furnizimin e pamjaftueshëm nuk është problem i tanishëm, por është problem që po përsëritet vit pas viti.

“Ne kemi ngritur zërin në vazhdimësi që institucionet të furnizohen me produkte nga lista esenciale. Është duke u reviduar lista esenciale që të largohen barnat të cilat janë më pak të nevojshme që ka kërkesa më të vogla në mënyrë që të mos shpenzohet buxheti në atë drejtim, por të shpenzohet për barna që janë më esenciale dhe më të domosdoshme për pacientët”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ka konsideruar se furnizimi ka filluar të përmirësohet dhe duhet të bëhet më e mira rreth rritjes së furnizimit.

“Pak është përmirësuar furnizimi pasi Qeveria ka shtuar buxhetin për furnizim me barna nga lista esenciale. Po mendoj që ende nuk është arritur qind për qind plotësimi i nevojave të pacientëve. Ne e kemi ngritur zërin dhe çdoherë po diskutojmë dhe po kërkojmë llogari prej ministrit se çfarë po bëhet dhe si do të rregullohet kjo çështje”, ka theksuar ajo.

Gjatë këtij viti edhe anëtarë të tjerë të Komisionit për Shëndetësi kanë pasur vërejtje rreth mosfurnizimit të mjaftueshëm të institucioneve publike shëndetësore me barna nga lista esenciale.