Institucionet, edhe 2.6 milionë euro për xhipa luksozë
Foto: Driton Bublaku

Institucionet, edhe 2.6 milionë euro për xhipa luksozë

Ekonomia gusht 02, 2018 - 07:50
Lexo detajet

Institucionet e Kosovës gjatë ditëve në vijim pritet t’i shpenzojnë edhe më shumë se 2.6 milionë euro për blerjen e 71 xhipave luksozë, si dhe të 15 veturave për udhëtarë. Po ashtu nga fillimi i këtij viti e deri më tash institucionet kanë marrë me qira edhe rreth 400 vetura tjera për të cilat do të paguajnë rreth 10 milionë euro, shkruan sot gazeta "Zëri".

Më shumë se 2.6 milionë euro do t’i shpenzojnë institucionet e vendit për blerjen e 71 xhipave luksozë për Policinë e Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe të 15 automjeteve për udhëtarë e ku për blerjen e këtyre kanë paraparë një buxhet prej rreth 2 milionë e 620 mijë eurosh. Po ashtu gazeta “Zëri” ditë më parë ka raportuar se gjatë 60 muajve në vijim institucionet e vendit do të paguajnë rreth 10 milionë euro për rreth 400 automjete sa i kanë marrë me qira për nevoja të Qeverisë, të Kuvendit, por edhe të institucioneve të pavarura që funksionojnë në vendin tonë.

Po ashtu burime të gazetës “Zëri” brenda Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP), institucion ky i cili organizon prokurime të përbashkëta për të gjitha institucionet që financohen nga buxheti i Kosovës, thotë se çdo ditë e më shumë janë duke u rritur  kërkesat e institucioneve për marrje me qira, por edhe për blerje të automjeteve të reja.

Në dosjen e tenderit të përgatitur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), e të cilën e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se kjo kontratë është e ndarë në pesë (5) pjesë (lote). Përmes lotit të parë janë paraparë të blihen 15 automjete për udhëtarë e ku është paraparë një buxhet prej 300 mijë eurosh, për lotin e dytë janë paraparë të blihen 10 xhipa e ku është paraparë një buxhet prej 320 mijë eurosh, për lotin e tretë janë paraparë të blihen 4 xhipa e ku për blerjen e tyre janë paraparë 180 mijë euro, për Lotin e katërt janë paraparë të blihen 45 xhipa e ku janë paraparë 1 milion e 440 mijë euro, si dhe për lotin e pestë janë paraparë të blihen 12 xhipa e ku janë paraparë të shpenzohen 380 mijë euro.

Policia: Furnizimi për nevoja operative

Në Policinë e Kosovës janë arsyetuar se ky furnizim po bëhet për shkak të nevojave operative.

“Për shkak të nevojave operative Policia e Kosovës ka planifikuar blerjen e automjeteve në fjalë. Siç dihet për të qenë në gjendje t’i kryejë obligimet ligjore në ofrimin e sigurisë për qytetarët e Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës duhet të ketë pajisje (ne këtë rast automjete) në mënyrë që të jetë sa më afër qytetarit. Policia e Kosovës për shkak të natyrës së punës shfrytëzon automjetet pa ndërprerë 24/7 në realizimin e detyrave policore”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrës për informim të Policisë.

Tutje, ata janë ankuar se për shkak të procedurave të komplikuara të prokurimit dhe të mungesave buxhetore për një kohë të gjatë nuk kanë mundur të pajisen me automjete të reja.

“Shumica dërrmuese e automjeteve qe i ka në posedim tani Policia e Kosovës janë më të vjetra se 7 vjet dhe si rezultat i punës se pandërprerë janë të amortizuara dhe kanë numër të madh të kilometrave të kaluar. Për shkak të procedurave të komplikuara të prokurimit dhe të mungesave buxhetore Policia e Kosovës një kohë të gjatë nuk ka pasur mundësi të blejë automjete të reja. Shpresojmë që me këtë procedurë Policia e Kosovës do të pajiset me automjete të reja të nevojshme për operacione policore”, kanë thënë në Policinë e Kosovës.

“Çohu”: Punët kryhen edhe me vetura të vjetra

Përfaqësuesve të shoqërisë civile po u pengon fakti se Policia po kërkon të furnizohet me çdo kusht me automjete luksoze. Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se Policia duhet të arsyetojë nevojën për t’u pajisur me vetura luksoze. Pasi, sipas tij, meqenëse Policia është në shërbim të qytetarëve asaj i mjafton furnizimi me vetura të shfrytëzueshme për t’i kryer punët e përditshme.

“Me rëndësi për gjithë këtë procedurë është se pse nevojiten të kërkohen vetura luksoze. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse në momentin që shkruan se po kërkohen vetura luksoze atëherë ajo automatikisht e ngrit çmimin e veturave që i kërkon. Policia duhet të arsyetojë pse po u nevojiten vetura ose xhipa luksozë, pse duhet t’i kenë luksozë?”, është shprehur Demhasaj.

Tutje ai ka përmendur edhe faktin e ngritjes së çmimit të tenderit në momentin kur kërkohet furnizimi me automjete luksoze.

“Nuk po flasim për Policinë, e cila është në shërbim të qytetarëve dhe ndoshta nevojiten vetura që janë të shfrytëzueshme dhe karakteristika tjera çfarë mund të kërkohen, por kjo çështja e luksozes, mendoj është e tepruar dhe e papritur. Kjo e ngrit automatikisht çmimin e tenderit dhe të veturave në përgjithësi, sepse në asnjë mënyrë nuk duhet jo vetëm Policia, por asnjë prej institucioneve tona të shkojë përtej asaj që të kërkojë vetura luksoze, por vetura të shfrytëzueshme e që mund t’u ndihmojnë në kryerjen e punëve të përditshme”, ka përfunduar në mes tjerash drejtori i organizatës “Çohu”

Po keqmenaxhohet paraja publike

Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i qendrës kosovare për transparencë dhe për llogaridhënie “Kund 16”, Fidan Kalaja, e quan keqmenaxhim të parasë publike furnizimin e Policisë me vetura luksoze. Kalaja për gazetën “Zëri” ka përmendur ankesat e vazhdueshme të policëve të Kosovës për mungesën e veshjeve të përshtatshme stinore në mungesë buxheti në kohën kur po kërkojnë të furnizohen me automjete luksi.

“Sa i përket këtij tenderi janë tri çështje që duhen trajtuar. E para ka të bëjë se a përmbushen nevojat e Policisë së Kosovës dhe të FSK-së me blerjen e këtyre veturave për nevojat e tyre operative, a është bërë ndonjë analizë paraprake, për çfarë arsyesh do të përdoren këto vetura?”, ka theksuar Kalaja.

Më tej ka komentuar specifikisht lotin 3 të kontratës, për furnizim me vetura luksoze, të cilën e ka vlerësuar si brengosëse.

“Kjo është brengosëse në shumë aspekte ku e para ka të bëjë me gjendjen e përgjithshme të Policisë së Kosovës, të mos harrojmë policët e Kosovës një kohë të gjatë nuk kanë pasur veshje të përshtatshme stinore dhe arsyetimi ka qenë mungesa e buxhetit dhe kjo e bën edhe më të rëndë situatën kur zyrtarët e lartë të këtij institucioni kërkojnë vetura luksoze e zyrtarëve operativë të këtij institucioni nuk u përmbushen as nevojat minimale. Pra, në këtë pikë kemi një keqplanifikim dhe keqmenaxhim të parasë publike”, ka sqaruar ai.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Kund 16” ka kërkuar nga Qeveria dhe nga Kuvendi që të ndërmarrin hapa radikalë për të ndryshuar sistemin e planifikimit dhe të menaxhimit të parasë publike nga Policia e Kosovës.

“Shumë më e rëndësishme në këtë periudhë është që të mendohet dhe të planifikohet çështja e sigurimit të policëve të Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh rreziqet që ata përballen në kryerjen e detyrave të tyre sesa shpenzimi i qindra-mija eurove në blerjen e veturave luksoze. Në këtë rast Qeveria e Kosovës gjatë hartimit të buxhetit dhe Kuvendi i Kosovës gjatë miratimit të këtij buxheti duhet që të ndërmarrin hapa radikalë për të ndryshuar sistemin e planifikimit dhe të menaxhimit të parasë publike nga Policia e Kosovës”, ka thënë Kalaja.

Kritika për furnizimin e Policisë me automjete luksoze ka drejtuar edhe Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI). Në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ajo ka gjetur kritere diskriminuese të këtij tenderi.

“Edhe pse në pikëpamje të parë çmimi rreth 32,000€ për SUV është një çmim relativisht i tregut, sidomos kur bëhet fjalë për dy sektorë shumë të veçantë të cilët punojnë shumë në trafik, loti 3 nuk shihet i arsyeshëm, meqë kjo është një kosto e lartë për taksapaguesit kosovarë, të cilët në ekonominë aktuale nuk e kanë "luksin" të paguajnë për produkte luksi, sidomos kur edhe një SUV e 32,000€ ofron mjaft komoditet. Gjithashtu tek loti 4 dhe 5 përcaktimi i markës së veturave xhip (‘Jeep’) është një kriter diskriminues”, ka shpjeguar Metushi-Krasniqi.

Loti 1:             15 vetura        300,000 €

Loti 2:             10 vetura        320,000 €

Loti 3:             4 vetura          180,000 €

Loti 4:             45 vetura        1,440,000 €

Loti 5:             12 vetura        380,000 €

2,620,000 €

Publikim i 2018-s, duke iu referuar regjistrimit të fundit në Kosovë 2011.