Prokuroria do ta hetojë pagesën 53 milionëshe

Ekonomia June 06, 2018 - 17:31
Lexoni më shumë detaje

53 milionë euro iu dhanë pa kundërshtim kompanisë Bechtel & Enka, ndërsa ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe ministri i tanishëm, Pal Lekaj, akuzojnë njëri-tjetrin për shkaktimin e dëmit.

I kujt në të vërtetë ishte faji që Kosova mes milionave të humbur, iu morën edhe 53 milionë euro të tjera? Lumir Abdixhiku i LDK’së thotë se sonte në T7 do të dalin me dokumente ekskluzive për të dëshmuar pafajësinë e tyre. 

Qëkur Lutfi Zharku i dorëzoi Pal Lekajt postin e ministrit të Infrastrukturës nuk është ndalur lufta e fajësimit mes tyre. Dëmet nga ky dikaster nuk janë të pakta e dyshja vazhdimisht hedhin fajin te njëri-tjetri.

Një debat disamujor është edhe pagesa shtesë prej 63 milionë eurove që e kërkonte Bechtel & Enka nga Ministria e Infrastrukturës . Kjo e fundit i thau 53 milionë Bechtelit e s’mbeti asgjë tjetër pos të akuzohen palët mes vete.

Por, i kujt vërtetë është faji?

Asnjëherë nuk u bë krejtësisht e qartë se si u caktua shuma fillimisht 63 milionëshe, që më vonë ra në 53 milionë. U tha vetëm se kjo gjobë po vinte për shkak të vonesave të ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup.

Kjo shumë ka ngritur shumë dyshime dhe reagime –akuza për vjedhje dhe korrupsion me buxhetin e shtetit.

Prukoria e Shtetit nuk ka nisur hetime rreth këtij rasti. Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, në Prokurori thonë se do të shikojnë nëse ka shkelje në çështjen e pagesës së Bechtelit.

“Prokuroria do të shikojë se a ka elemente të veprës penale a jo”.

Ministri Lekaj dje kur njoftoi se i është bërë pagesa kompanisë Bechtel & Enka, tha se ka bërë më të mirën e tij që kjo shumë të ulej nga 63 milionë euro sa i kishin kërkuar fillimisht në 45 milionë + 8 milionë euro TVSH. 

Lekaj vazhdimisht se u gjobitën “për shkak të dështimit të Qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat, konsorciumi ka kërkuar që t’i paguajmë 63 milionë euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte”.

Partia e ish-ministrit Zharku e as ky vetë nuk ndjehen aspak fajtor ndërsa akuzat e tyre ia dërgojnë ministrit akual.

Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku, përmes një statusi në Facebook, ka komentuar deklaratën e Lekajt për uljen e çmimit që duhej paguar nga 63 në 53 milionë, duke thënë se hajnia po shitet si shpëtim.

“Këta ti vjedhin 53 milionë euro, edhe ta shesin hajninë si shpëtim. Një plaçkë moderne”, shkroi deputeti ekonomist i LDK’së.

Vonesat në ndërtim dhe në pagesat që thuhet të jenë arsyet pse Bechteli kërkoi këtë shumë, janë bërë gjatë mandatit të kaluar. Për këtë Gazeta Express është interesuar që të marrë një koment nga Abdixhiku, dhe ai ka thënë se partia e tij  sonte në përballjen e Ministrit Lekaj dhe ish –Ministrit Zharku në T7 do të dalin me dokumente eksluzive.

E, analisti Astrit Gashi i kërkon llogari publikisht ish-ministrit Zharku për pagesën e 53 milionëve. Ai e pyet Zharkun se si erdhi puna deri te pagimi i kësaj shume.

“Edhe ja shkakton vendit 53 milion euro deme, edhe rrin deputet e shef financash i nje partie dhe askush nga shoqeria e nga partite politike nuk i kerkon llogari se si ka ndodhur kjo”, ka shkruar analisti Gashi në Facebook.

Zharku vazhdimisht e ka mohuar se ia ka lënë ministrisë që ka drejtuar një borxh të tillë. Ai për Express pati thënë se për shkak të zgjatjes së kohës së ndërtimin të autostradës “Arbën Xhaferi” , Ministria e Infrastrukturës dhe kompania Bechtel&Enka në vitin 2016 ishin pajtuar për një kosto shtesë, që sipas ish-ministrit Lufti Zharku ka qenë 14.8 milionë euro.

“Ne kemi folur për 14.8 milionë, propozimi është në Qeveri për shkak të shtyrjes së afatit të punimeve. Le të tregon Pali se si i ka bërë 63 milionë”, kishte thënë Zharku për Gazetën Express.

Ndërsa Lekaj vazhdimisht ka folur sikur të ishte i mbështetur me shpatulla pas muri. Ka përsëritur se borxhi i ka mbetur nga qeverisja e kaluar dhe s’kishte cfarë të bënte pos ta paguante.