“Masakrimi” i rezervave, Hamza merr masat
Foto: Driton Bublaku

“Masakrimi” i rezervave, Hamza merr masat

Ekonomia mars 13, 2018 - 09:14
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk po tregohet aspak i “mëshirshëm” me rezervat buxhetore të shtetit

Ministri i Financave Bedri Hamza ka bërë të ditur se nuk do t’i mbështesë kërkesat buxhetore të ministrive, të cilat nuk kanë mundur të parashihen dhe të planifikohen brenda afateve ligjore në buxhet, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk po tregohet aspak i “mëshirshëm” me rezervat buxhetore të shtetit.

Vetëm në mbledhjen e fundit të kabinetit qeveritar u mor vendim të ndahen gjysmë milioni euro për shënimin e aktiviteteve me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut.

Ndërsa për tre muaj në total janë shpenzuar mbi dy milionë euro, nga 4 milionë e 800 mijë sa është paraparë të jetë shuma e rezervave shtetërore për këtë vit, shkruan tutje "Zëri".

Shpenzimet e tilla e detyruan të premten ministrin e Financave Bedri Hamzën që mbledhjen e kabinetit qeveritar ta fillojë me një lutje për ministrat, që me kohë t’i planifikojnë ngjarjet dhe t’i vendosin në buxhetin e ministrisë së tyre.

LEXO EDHE: “Vetëvendosja” humb gjysmën e fuqisë institucionale

“E para, për të gjitha ngjarjet që do të ndodhin i lus të gjithë ministrat t’i planifikojnë dhe t’i vendosin me kohë në buxhetin e ministrisë së tyre. E dyta, nga çdonjëri prej neve që ka nevojë për rezerva të respektohet afati dhe e treta, duhet të kihet kujdes për kërkesat e ardhshme për shkak se gjendja e rezervës është duke shkuar nga fundi”, kishte thënë Hamza në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

Ekspertët e ekonomisë alarmojnë se është shumë e pazakontë që rezervat buxhetore të shpenzohen në fillim, pasi ato janë të parapara deri në fund të vitit.

Ministria e Financave: Nuk do t’i mbështesim kërkesat që nuk planifikohen me kohë

Mirëpo, kërkesat të cilat nuk planifikohen brenda afateve ligjore në buxhet tash e tutje nuk do ta gëzojnë më përkrahjen e Ministrisë së Financave. Kështu është bërë e ditur në një përgjigje të dhënë për gazetën “Zëri” nga Zyra për Informim e Ministrisë së Financave (MF).

“Ministri Hamza edhe publikisht ka kërkuar që kërkesat të planifikohen me kohë dhe të futen brenda planifikimeve të rregullta të buxhetit. Ndërsa rezervat shtetërore të ruhen për rastet të cilat në asnjë rrethanë nuk kanë mundur të planifikohen apo të parashihet ajo rrethanë. Dhe në të ardhmen Ministria e Financave nuk do t’i mbështesë kërkesat të cilat nuk kanë mundur të parashihen dhe të planifikohen brenda afateve ligjore në buxhet”, kanë treguar në Ministrinë e Financave.

Në anën tjetër, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri dhe njëherësh këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj e ka mirëpritur alarmimin e ministrit Hamza se rezervave shtetërore po u vjen fundi.

“Kjo ka qenë një vërejtje praktike e ministrit të Financave. Ky ka qenë një paralajmërim i mirë i ministrit. Nuk është një rrezik që shteti të mbetet pa rezerva, sepse nëse këto rezerva harxhohen para fundit të vitit mundësia është që me rishikim të plotësohet prapë nevoja për aq mjete sa adresohen që janë të nevojshme, duke përfshirë ngjarje të parapara”, ka thënë ai.

Shatri më tej ka thënë se kërkesat vijnë për shpenzime të jashtëzakonshme e të cilat nuk kanë mundur të parashihen me miratimin e buxhetit.

“Këto vijnë kërkesa prej ministrive që ua adreson një sektori për ndonjë shpenzim të jashtëzakonshëm, por që konsiderohet i nevojshëm.  Nuk ka mundur të parashihet me rastin e miratimit të buxhetit”, ka thënë Hamza.

Mustafa: Shpenzimi i rezervave në fillim të vitit buxhetor, jo i zakonshëm

Mirëpo njësoj nuk shprehet ish-kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa.

Mustafa ka thënë se shpenzimi i rezervave shtetërore në fillim të vitit buxhetor është jo i zakonshëm, pasi ato shërbejnë për të gjithë vitin.

“Rezervat shtetërore nuk përdoren për qëllime që kanë mundur të parashihen dhe të zgjidhen brenda buxhetit të rregullt. Shpenzimi i tyre në fillim të vitit buxhetor është jo i zakonshëm. Nëse rezerva buxhetore shpenzohet ajo mund të rritet, duke e rritur buxhetin me rishikim nëpërmjet taksave ose të ardhurave të tjera”, ka deklaruar eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa.

Mustafa më tej ka thënë se në shpenzimet buxhetore rezerva buxhetore nuk është një burim që adresohet për shpenzime të zakonshme, por për situata emergjente.

Kritika për shpenzimin e rezervave shtetërore ka edhe ish-ushtruesi i detyrës në Ministrinë e Financave, Agim Krasniqi.

Në një shkrim të tij Krasniqi ka përmendur humbjet në institucione, mjetet buxhetore për pagesat e rregullta, fondet dhjetëra milionëshe për veteranët e luftës, shpronësimet, humbjet në sektorin e energjisë e projekte të tjera kapitale.

“Sot në buxhetin e shtetit rezervat shtetërore janë në fund, mungojnë në plot institucione mjetet buxhetore për pagesat e rregullta, mungojnë disa dhjetëra milionë për veteranët e luftës, mungojnë dhjetëra milionë për shpronësimet e ndodhura e të mos flasim për ato që po vijnë, mungojnë qindra milionë për sektorin e ri të energjisë, mungojnë disa qindra milionë për projektet kapitale të filluara në infrastrukturë. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe disa dhjetëra milionë që nevojiten për këtë ligj, atëherë edhe kur ke të drejtë në një situatë të tillë duhet marrë gjërat me qetësi”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka bërë thirrje që Korniza Buxhetore për vitet 2018-2020 të analizohet me kujdes, derisa ka shtuar se asnjë politikë buxhetore nuk duhet të premtojë pa përkrahjen e përgjegjësit të kuletës së shtetit.