Aktuale

“Vetëvendosja” humb gjysmën e fuqisë institucionale

“Vetëvendosja” humb gjysmën e fuqisë institucionale
13 mars 2018 • 08 : 48 Foto: Laura Hasani

Vazhdojnë dorëheqjet në ''Vetëvendosje''

Arbresha Berisha

Lëvizjes “Vetëvendosje” pritet t’i ikën edhe deputeti i 13-të me radhë, në këtë rast kjo parti do të mbetet me vetëm 19 deputetë nga 32 sa i kishte fituar në zgjedhje. Deputeti Salih Salihu ka lënë të hapur mundësinë e largimit nga “Vetëvendosja”. Lëvizjes po ashtu i janë larguar 2 nga 3 kryetarët e komunave që vinin nga kjo parti, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Lëvizja “Vetëvendosje” e ka humbur pothuajse gjysmën e fuqisë në institucionet e Kosovës, pasi nga 32 ulëset sa kishte fituar në zgjedhjet parlamentare të qershorit së shpejti do të mbetet me vetëm 19.

Derisa tashmë i janë larguar edhe dy nga tre kryetarët e komunave të cilat i kishte fituar në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, Shpend Ahmeti i Prishtinës dhe Qendron Kastrati i Kamenicës, ndërkohë i pari i Prizrenit Mytaher Haskuka ka konfirmuar se nuk largohet nga “Vetëvendosja”.

LEXO EDHE: Demarkacioni, sigurohen numrat

Deputeti i 13-të me radhë që mund t’i largohet “Vetëvendosjes” është Sali Salihu, i cili në një prononcim për gazetën Zërinuk e ka përjashtuar mundësinë që të largohet nga kjo parti.

“Ende nuk kam vendosur, mirëpo kur të vendos do t’ju tregoj. Nuk po e di, jam duke menduar se çfarë të bëj. Nuk e di ende”, ka deklaruar ai.

Salihu së bashku me të dorëhequrit, Dardan Sejdiun, Shpend Ahmetin e Fisnik Ismailin, kishte qenë anëtar i partisë Fryma e Re (FER), që më pas iu bashkua “Vetëvendosjes”.

“Të pakënaqurit” e “Vetëvendosjes” së shpejti do ta formojnë një grup të ri parlamentar dhe më pas edhe një parti të re politike.

Deputetja Shqipe Pantina, duke mos dashur të flasë në këtë kohë, ka thënë se në momentin që do të vendoset për formimin e një partie të re kjo gjë do të bëhet publike.

Ndërsa lidhur me këtë sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi, ka konfirmuar për “Zërin” se ende nuk është bërë ndonjë kërkesë për formimin e një grupi të ri.   

Në anën tjetër, në “Vetëvendosje” ka edhe deputetë të cilët ndonëse kanë lidhje familjare me të dorëhequrit kanë vendosur të rrinë në parti.

Deputeti Shemsi Syla ka thënë për “Zërin” se ai nuk do të japë dorëheqje nga “Vetëvendosja” pavarësisht lidhjes së tij familjare me kryetarin e Kamenicës Qëndron Kastratin, i cili tashmë është larguar nga “Vetëvendosja”.

“Jo, nuk do të jap dorëheqje. Secili njeri i ka bindjet e tij. Edhe pse njeriu ka lidhje të afërt mund të ketë mendime të tjera. Kjo nuk qëndron te ne. Nuk besoj që do të ketë më dorëheqje në ‘Vetëvendosje’”, ka thënë ai.

Sipas Sylës, “Vetëvendosja” do të ecën me organizim më të mirë pavarësisht dorëheqjeve.

“Normal që mirë nuk është bërë. Megjithatë ‘Vetëvendosja’ është parti e cila ka fuqinë e vet dhe mendimin ndryshe dhe dikush nuk mund të pajtohet. Ne besojmë që shumë shpejt do të riparohet dhe do të ecën me organizim më të mirë pavarësisht daljeve të disave që ua ka marrë mendja që kanë diku më mirë”, ka deklaruar ai.

Për më shumë, analisti politik Ramush Tahiri ka pohuar se formimi i një grupi të ri parlamentar nga ata që tashmë kanë dhënë dorëheqje nga “Vetëvendosja” është i pashmangshëm.

“Është shumë e sigurt dhe nuk ka rrugë tjetër pos të krijohet grup parlamentar nga deputetët e ‘Vetëvendosjes’. Se cili grup do të jetë më i madh do të shihet me kalimet që do të bëhen në Parlament. Nuk ka mundësi tjetër të jenë si grup i përbashkët me dallimet që janë duke i shprehur në publik, por edhe te dallimet konceptuale që i ka ‘Vetëvendosja’. Kjo është procedurë normale sepse ka ndodhur edhe në kuadër të përçarjeve të grupeve të tjera politike, p.sh. ka ndodhur në LDK e në plot të tjera”, ka thënë ai për “Zërin”.

Tahiri ka deklaruar se nëse bëhen më shumë deputetë në radhët e të dorëhequrve ata mund të bëhen edhe grupi i tretë parlamentar.

“Është me rregullore që si t’i bëjnë gjashtë deputetë dhe më shumë kanë të drejtë të krijojnë grup parlamentar dhe t’i marrin të gjitha benefitet që i kanë si grup parlamentar. Nëse bëhen më shumë mund të bëhen edhe grupi i tretë ose i katërt parlamentar. Unë mendoj se këto dy grupe do të zhvillojnë polemika për trashëgiminë e ‘Vetëvendosjes’, cila të jetë ‘Vetëvendosja’ e vërtetë dhe cila do të mund të regjistrohet si ‘Vetëvendosje’. Nëse organizojmë zgjedhjet duhet ta kenë edhe platformën, edhe programin dhe aty ta ndajnë trashëgiminë”, ka thënë ai.

“Vetëvendosja” kishte arritur t’i sigurojë 32 ulëse në Kuvendin e Kosovës, mirëpo me dorëheqjet në këtë parti ajo për momentin është me 20 deputetë.

Në anën tjetër, në grupin e ri parlamentar pritet të jenë 12 deputetë:

Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Dardan Sejdiu, Donika Kadaj - Bujupi, Driton Çaushi, Fisnik Ismaili, Faton Topalli, Shqipe Pantina, Frashër Krasniqi, Dukagjin Gorani e Besa Baftiu.

 

© zëri.info