Demarkacioni, sigurohen numrat

Aktuale March 13, 2018 - 08:26
''Demarkacioni do të përmbyllet''

Partnerët e koalicionit qeverisës thonë se i kanë siguruar numrat e nevojshëm për miratimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Sipas tyre, Lista Serbe do të votojë pro, përderisa seanca do të mbahet sot ose nesër, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Marrëveshja e Demarkacionit pritet që këtë javë të marrë përfundimisht epilog. E nënshkruar para gati tre vjetësh (26 gusht 2015), Marrëveshja për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi pritet të dalë për votim sot ose nesër.

Kështu kanë bërë të ditur burimet e gazetës Zëribrenda koalicionit qeverisës, të cilat kanë thënë se Demarkacioni do të përmbyllet sigurt këtë javë.

LEXO EDHE: Apostolova: Rezultatet e dobëta në arsim, rezultat i politikës

“Demarkacioni do të përmbyllet. Qeveria dhe Parlamenti janë duke përshpejtuar me parapërgatitjet për seancën, që do të mbahet të martën ose të mërkurën”, ka thënë dje një burim i gazetës Zëri.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, para pak ditësh pati thënë që ka edhe deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje” që do ta mbështesin Demarkacionin, mirëpo gazeta ka marrë vesh se Demarkacioni pritet të kalojë vetëm me votat e Listës Serbe, por jo edhe të atyre të LVV-së.

Nga ana tjetër, edhe nga Kryesia e Kuvendit kanë thënë se do ta thërrasin vazhdimin e seancës posa ta shohin se janë siguruar numrat e nevojshëm.

Haliti: Nëse janë pjekur kushtet do ta fusim në rend dite Demarkacionin

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti ka thënë se vazhdimi i seancës do të thirret në momentin që do të bëhet e qartë se janë siguruar numrat që Marrëveshja të kalojë.

“Nëse ka ndonjë marrëveshje me siguri që mund të fillojë seanca, sepse ajo nuk ka përfunduar, nuk është ndonjë procedurë që do të duhej të shqyrtohej, procedurat janë të kryera. Debat ka pasur. Por s’jam i sigurt nëse ka përfunduar ndonjë marrëveshje. Nëse janë pjekur kushtet do ta fusim në rend të ditës”, ka deklaruar Haliti.  

Reçica: Po bëhen përpjekje maksimale që Demarkacioni të kalojë

Kurse deputeti i PDK-së Elmi Reçica ka thënë se koalicioni qeverisës është duke bërë përpjekje të vazhdueshme që ta kalojë sa më shpejt Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit.

“Çështja e demarkacionit është çështje që është duke u diskutuar për çdo ditë dhe faktikisht edhe ditëve të punës dhe ditëve të vikendit, në çdo kohë. Janë duke u bërë përpjekje maksimale që sa më shpejt të sigurohen votat e mjaftueshme për ta votuar Demarkacionin”, ka deklaruar Reçica për “Zërin”.

Megjithatë, ai nuk ka saktësuar nëse deri më tash është arritur ndonjë konsensus me partitë që janë kundër Marrëveshjes.

“Nuk mund të them me saktësi që do të mbyllet këtë javë, por jemi të interesuar që Demarkacioni të përmbyllet këtë javë, ka kontakte të vazhdueshme në këtë aspekt. Bisedimet janë duke zhvilluar, ka optimizëm të madh, por s’mund të konfirmoj që ka ndonjë marrëveshje definitive, janë shumë afër qëndrimet dhe po besoj që do të duhej të përfundojë me një rezultat pozitiv”, ka theksuar ai.

Avdyli: Nuk do të lejojmë kompromise në dëm të Kosovës

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli ka vlerësuar se koalicioni qeverisës e ka për detyrë t’i sigurojë numrat për ta kaluar Demarkacionin.

“Presim që të përfundojë, por presim që koalicioni t’i sigurojë numrat sepse problemi i numrave nuk është i opozitës, por i pozitës, ajo duhet t’i ketë numrat. Në të njëjtën kohë duhet të kemi shumë kujdes që Demarkacionin të mos e lejojmë të miratohet në kurriz të interesave të Kosovës dhe do të kemi shumë kujdes e do ta studiojmë me hollësi çdo tendencë të Qeverisë për ndonjë kompromis të mundshëm me Listën Serbe në dëm të interesave të Kosovës. Nëse kjo ndodh ne do ta kundërshtojmë në maksimum çdo dëmtim të interesave të Kosovës”, është shprehur ai.

Avdyli më tutje ka thënë se po që se koalicioni nuk i siguron numrat për ta përmbyllur këtë marrëveshje duhet që sa më parë të japë dorëheqje.

Ndërkohë, sa u përket mosmarrëveshjeve të fundit mes LDK-së e AAK-së lidhur me renditjen e pikave në Nenin tre të Marrëveshjes, Avdyli ka thënë se asgjë nuk është ndërruar dhe se gjithçka është e qartë në këtë drejtim.

“Për ne është çdo gjë e qartë, ajo është bërë publike edhe në Komision, edhe në seancë, edhe kur kryeministri ka thënë që do të pajtohet nuk ka asgjë të paqartë, paqartësitë janë te koalicioni i tyre”, ka potencuar ai.

Kurse Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka konsideruar se koalicioni qeverisës i ka siguruar numrat meqë po pretendon ta mbajë seancën këtë javë.

“Mendoj që nuk do të thirret një seancë pa i pasur votat për shkak se tri herë është ndërprerë në mungesë të votave për ta kaluar këtë marrëveshje. Në rast se edhe një herë shkon kështu konsideroj se është e pakuptimtë dhe pa logjikë. Në rast se koalicioni ka ftuar seancë, atëherë me siguri i ka siguruar votat e mjaftueshme”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, sa i përket mundësisë që koalicioni ta kalojë Demarkacionin vetëm me votat e Listës Serbe, Demhasaj ka thënë se ende nuk mund të dihet saktësisht nëse është bërë ndonjë pazar apo jo në këmbim të votave të tyre.