Si i ngadalësuan orët në Evropë Kosova dhe Serbia?

Ekonomia March 08, 2018 - 16:42

Evropa është ballafaquar me një problem me frekuencë në rrjetin energjetik që nga mesi i janarit të këtij viti. Ky problem ka përfshirë 25 shtete nga Spanja deri te Turqia dhe nga Polonia deri në Holandë. 

Sipas Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO), problemi ka ardhur nga Kosova dhe Serbia.

“Ky devijim i frekuencës, që kurrë nuk ka ndodhur në një mënyrë të ngjashme duhet të përfundojë. Deri tash energjia e humbur është 113 gigavator (GHh). Çështja se kush do të paguajë këtë energji të humbur duhet të ketë përgjigjeje”, thuhet në një komunikatë për shtyp të ENTSO-s.

“Rënia e frekuencës ka ndikuar gjithashtu në ato orë elektrike (në pajisje shtëpiake) që drejtohen nga frekuenca e sistemit energjetik dhe jo nga një kristal kuarci. Ne kemi parë së këto ora kanë treguar vonesë afërsisht gjashtë minutash”, theksohet tutje në komunikatën e ENTSO-s.

Zyrtarë të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se problemi i paraqitur në vendet e Evropës është për shkak të moszbatimit të marrëveshjes së KOSTT-it dhe ENTOS-s nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Serbisë (EMS) dhe 29 operatorëve të sistemit të transmisionit të Evropës Kontinentale.

Zana Bajrami – Rama zëdhënëse në KOSTT, ka thënë se kjo marrëveshje ishte nënshkruar në vitin 2015. Por, për shkak se Serbia nuk e ka nënshkruar atë, e ka bërë jo të plotfuqishme, ngase kërkohet nënshkrimi i të gjitha vendeve anëtare.

“Moszbatimi i kësaj marrëveshjeje gjithashtu po i shkakton dëme financiare KOSTT-it, pasi që operatori serb EMS (Rrjeti Energjetik i Serbisë) vazhdon që të ketë përfitime milionëshe nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me shtetet fqinje, ku konkretisht për vitin 2017, në mënyrë të kundërligjshme EMS ka inkasuar 9.6 milionë euro”, tha Zana Bajrami, zëdhënëse në KOSTT.

Përveç kësaj KOSTT tashmë ballafaqohet me mungesë të mjeteve financiare, pas një vendimi të Gjykatës se Apelit të Kosovës për të hequr koston e furnizimit të veriut nga faturat e energjisë elektrike të konsumatorët e pjesëve tjera.

Banorët e katër komunave në veri të Kosovës, që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës nuk kanë paguar faturat e shpenzuar të energjisë elektrike, kurse këto borxhe deri në fund të vitit të kaluar u janë faturuar qytetarëve nga viset tjera të Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 8 milionë euro në vit, apo nëse llogaritet që nga përfundimi i luftës, janë rreth 140 milionë euro, që qytetarët e këtyre pjesëve kanë shpenzuar, kurse këtë vlerë e kanë paguar konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovë.

“Vendimi i Gjykatës ka pasuar me zvogëlimin e tarifave të KOSTT për 44 për qind. KOSTT nuk ka pasur mundësi ligjore si dhe financiare për të marrë obligim mbulimin e mëtutjeshëm të humbjeve nga furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës për periudhën në vijim (dhjetor 2017-mars 2018), për shkak të kostos financiare që bartë kjo”, tha Bajrami.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës të hënën më 5 mars ka ndarë një milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike.

Por, zyrtarë të KOSTT-it kanë thënë se kjo vlerë e mjeteve mbulon humbjet nga furnizimi më energji për pjesën veriore të Kosovës, vetëm muajin mars.