Haradinaj: Po punojmë që “Trepça” të mundë të operojë vetë

Ekonomia February 21, 2018 - 08:08

Gjiganti ekonomik kosovar “Trepça” edhe më tutje vazhdon të mbetet njëra prej sfidave më të mëdha të Qeverisë së Kosovës, ndonëse Ligji për “Trepçën” është miratuar për më shumë se dy vjet. 29-vjetori i minatorëve të “Trepçës” e gjen atë pa Bordin Menaxhues dhe atë Mbikëqyrës, pa Statutin e saj, tani kur me ligj “Trepça” i është kthyer Kosovës dhe do të jetë promotori kryesor i zhvillimit të shtetit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar të martën minatorët e “Trepçës” në Stan Tërg, në shënim të “Javës së minatorëve” e ku merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve të komunës së Mitrovicës, të SP-së dhe të menaxhmentit aktual të “Trepçës”  dhe ka premtuar se “Trepça” përfundimisht do t’i kthehet misionit të vet, zhvillimit të Kosovës.

LEXO EDHE: Kryeministrat në Londër prezantohen pa emra të shteteve

Kryeministri i vendit tha se viti 1989 ishte ngjarje e madhe që lëvizi proceset përpara.

“Përpjekja për ta dëshmuar që Kosova është e menaxhueshme dhe mundesh të veprosh me të si të duash ka dështuar atë ditë. I kanë dalë dore minatorët, atë ditë i ka dalë dore Kosova. Të gjitha zhvillimet që kanë pasuar janë pikërisht dëshmi që drejtimi që kishte marrë Kosova ishte për ta mbrojtur të drejtën e vet, të drejtën për të jetuar të lirë, për të punuar të lirë dhe për t’i aktivizuar resurset e veta për ta zhvilluar jetën”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai theksoi se Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që “Trepça” të rifunksionalizohet në mënyrën më të mirë. “Këtë vit e kemi shpallur vit të ‘Trepçës’, aftësimin e ‘Trepçës’ si kompani publike që të mundë të operojë vetë. Statuti i ‘Trepçës’ është në hartim e sipër, Bordi i ‘Trepçës’ është në përgatitje e sipër, ku do ta ketë edhe përfaqësuesin e punëtorëve, gjithashtu edhe Ligji i ‘Trepçës’.

Jemi duke punuar që ‘Trepça’ të jetë e aftë për të operuar vetë dhe për të gjetur partnerë në investime.

Është normale që kemi vështirësi, por do t’i menaxhojmë me sukses. Do të punojmë kujdesshëm që aktivizimi i Trepçës në të gjitha kapacitetet e veta të mos jetë fatkeqësi e asnjë qytetari të Kosovës, as i serbëve të veriut, pra nuk është fare aktivizimi i ‘Trepçës’ i dedikuar kundër askujt, por për të gjithë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ai i ka ftuar të gjithë ata që janë të kyçur në procesin e rifunksionalilzimit të “Trepçës” të angazhohen maksimalisht për t’i aktivizuar resurset që ka “Trepça”, në mënyrë që ajo t’i kthehet misionit të saj, zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Jam shumë i bindur që e kemi të drejtën të lëvizim e të punojmë, që këto veprime të rezultojnë me mundësi, me kapacitetin veprues të ‘Trepçës’ për operim, për partneritet, për zhvillim. Ky është lajm i mirë për të gjithë ata që e duan zhvillimin e Kosovës. Ta rikthejmë ‘Trepçën’ ashtu siç i takon, ashtu siç i takon shtetit të Kosovës”, ka thënë mes të tjerash kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë një takimi me minatorët e “Trepçës” në Stan Tërg, në shënimin e “Javës së minatorëve”, në 29-vjetorin e grevës së minatorëve e që lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë.