Kryeministrat në Londër prezantohen pa emra të shteteve

Aktuale February 21, 2018 - 08:02

Ramush Haradinaj dhe pesë homologët e tij nga rajoni do të takohen të hënën e ardhshme në Londër, ku do të marrin pjesë në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor që organizohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Përpos Haradinajt në Samitin e BERZH-it do të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, shefja e qeverisë serbe Ana Brnabiq, kryeministri malazez Dushko Markoviq, shefi i ekzekutivit maqedonas Zoran Zaev, si dhe ai i Bosnjës e Hercegovinës Denis Zvizdiq.

LEXO EDHE: Arifi: Synojmë marrëveshje përfundimtare me Serbinë

Gazeta “Zëri” ka arritur ta sigurojë agjendën e këtij Samiti, të cilin do ta hapë shefi i BERZH-it Suma Chakrabarti dhe më pas do të flasë edhe kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov si kryesues i Presidencës së BE-së.

Pas këtyre do t’i mbajnë fjalimet gjashtë shefat e qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Auditori i kryeministrave do të organizohet nëpërmjet formulës së ashtuquajtur “Gymnih”, ku shefat e qeverive do të prezantohen vetëm nëpërmjet emrave të tyre, por pa indikacione tjera rreth emrit të shteteve, të flamurëve apo të simboleve që i përfaqësojnë.

Në këtë takim përfaqësuesit e këtyre shteteve do t’i prezantojnë projektet kapitale ekonomike në fushën e infrastrukturës, të energjisë së ripërtëritshme, etj.

Kjo konferencë mbahet me qëllim të promovimit të rajonit si një destinacion investimi, duke kontribuuar në stabilitetin rajonal nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit mes shteteve. 

Pjesë e këtij Samiti përpos kryeministrave të këtyre 6 shteteve do të jenë edhe ministrat përkatës të tyre, si dhe udhëheqësit e bizneseve nga këto regjione.

Gashi: Gazmend Abrashi është caktuar koordinator i Ballkanit Perëndimor në Kosovë

Donjeta Gashi, nga zyra për informim e kryeministrit, ka konfirmuar pjesëmarrjen e kryeministrit Ramush Haradinaj në Londër, si dhe ka bërë të ditur temat që do të diskutohen aty. 

“Në vazhdën e përgatitjeve për këtë Samit, kryeministri Haradinaj qysh para katër muajsh ka emëruar koordinatorin e ri të Ballkanit Perëndimor për Kosovë dhe njëkohësisht koordinatorin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për Kosovë, me qëllim të sensibilizimit të projekteve kapitale të të dy sektorëve me ide që Kosova në këtë takim shumë të rëndësishëm t’i prezantojë projektet me qëllim të financimit të tyre”, ka thënë Gashi në përgjigjen e saj.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur që koordinatori Gazmend Abrashi ka zhvilluar takime intensive me kryetarët e komunave, me ministritë dhe me sektorin privat me të vetmin qëllim që kryeministri të prezantojë sa më shumë projekte, të cilat kanë nevojë për mbështetje financiare.

Sipas saj, BERZH-i ka mjete të disponueshme që ta përkrahë Kosovën, por kërkon që të prezantohet me projekte konkrete.

Ndërsa sipas Qeverisë deri më tani janë identifikuar disa projekte që ndërlidhen me infrastrukturë sikurse projekti i Unazës së Qytetit të Prishtinës, projekti i largimit të ujërave të ndotura të komunës së Suharekës, disa projekte tjera që kanë të bëjnë me energjinë solare dhe disa projekte tjera, të cilat janë në fazën përgatitore.

Konferenca e përbashkët e gjashtë kryeministrave

Kryeministrat e gjashtë shteteve të Ballkanit do të priten të hënën nga presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, nga kryeministër i Bullgarisë Bojko Borisov, i cili do të jetë pjesëmarrës si pjesë e Presidencës së BE-së, si dhe nga një përfaqësues i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Kjo do të pasohet nga një seancë gjatë së cilës secili prej kryeministrave të mbledhur do t'i drejtohet audiencës dhe do të ndërveprojnë me njëri-tjetrin lidhur me planet e tyre.

Përndryshe, në shkurt të vitit 2014 presidenti i BERZH-it kryesoi një konferencë rajonale të nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor në Shtabin Qendror të Bankës në Londër. Kjo ishte hera e parë që të gjithë kryeministrat rajonalë ishin mbledhur në një format të tillë.

Kjo ngjarje shënon një proces të ri të një formati të një bashkëpunimi rajonal: “Ballkani Perëndimor në nivelin e kryeministrave”.

Aty u ra dakord që forumi nuk do të ishte një ngjarje e njëanshme dhe se BERZH-i do të organizonte konferenca pasuese çdo dy vjet.
BERZH-i mbetet e angazhuar për tre objektiva kryesore të Samitit të parë të Ballkanit Perëndimor: promovimin e rajonit si një destinacion investimi duke kontribuuar në stabilitetin rajonal, duke bërë forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe duke avancuar agjendën e lidhjes.

Samiti i këtij viti do të vazhdojë këtë proces dhe do të fokusohet veçanërisht në promovimin e projekteve në transport dhe në energji, të cilat konsiderohen të jenë bllokadat kryesore rajonale.

Plani është gjithashtu të diskutohen edhe mënyrat për ta çuar më tej agjendën e "Lidhjes së butë".

Një element kyç i kësaj agjende është krijimi i hapësirës së vetme të investimeve që përfshin harmonizimin e legjislacionit, heqjen e pengesave jotarifore, përmirësimin e lidhjeve të tregjeve të kapitalit, forcimin e mjedisit të biznesit në rajon dhe lehtësimin e investimeve të huaja