Bonuse për bordet e ndërmarrjeve që performuan me humbje
Foto: Driton Bublaku

Bonuse për bordet e ndërmarrjeve që performuan me humbje

Ekonomia shkurt 13, 2018 - 08:41

Edhe pse e mbyllën vitin me humbje, katër ndërmarrje publike në Kosovë kanë ndarë gjatë vitit 2016 bonuse të majme për zyrtarët e lartë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Bëhet fjalë për Telekomin e Kosovës (TK), Postën e Kosovës, ndërmarrjen hidroekonomike “Ibër-Lepenc” dhe Kompaninë për Menaxhimin e Deponive.

Sipas raportit mbi performancën e ndërmarrjeve publike për vitin 2016, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta Zëri, secila prej këtyre ndërmarrjeve gjatë vitit 2016 realizoi performancë të dobët financiare.

Të katërtat së bashku realizuan humbje afër 35 milionë euro. Pavarësisht kësaj zyrtarët e lartë në to u shpërblyen me bonuse të majme.

Gazeta Zëri ka siguruar emrat e 22 zyrtarëve që së bashku morën bonuse më 2016-n në vlerë prej 72 mijë e 627 eurosh.

Njohësi i ekonomisë Florin Aliu thotë se ndarja e bonuseve në një kohë kur ndërmarrja është duke performuar jo mirë në treg përbën paradoks në vetvete.

LEXO EDHE: Dialogu me kushte

“Zakonisht kompanitë shpërndajnë bonuse kur kompania performon mirë”, thotë Aliu.

Kjo do të thotë se kompania ka realizuar fitime, është zgjeruar në tregje të reja, si dhe ka rritur efiçencën.

“Mirëpo absurditete të tilla ekzistojnë. Ta zëmë në SHBA gjatë kohës së krizës disa kompani të mëdha kanë shpërndarë bonuse në kohën kur ishin në prag të falimentimit”, ka thënë Aliu.

Sipas raportit të Qeverisë, ndërmarrja publike e cila performoi më së keqi gjatë vitit 2016 është Telekomi i Kosovës (TK).

Kjo ndërmarrje e mbylli vitin me një humbje prej 31 milionë eurosh, duke e vënë në rrezik punën e kësaj ndërmarrjeje.

Por, me gjithë këtë performancë Bordi i Telekomit, i përbërë nga 6 anëtarë, e shpërbleu veten me bonuse në vlerë prej 23 mijë e 100 eurosh.

Kështu kryesuesi Rexhë Gjonbalaj së bashku me anëtarët Afrim Lokun, Gani Sylajn, Bislim Zogajn dhe Naim Hysenin morën bonuse nga 2 mijë euro secili.

Ndërkaq, gjithsej shpenzimet e anëtarëve të Bordit të Telekomit, duke përfshirë këtu edhe bonuset për vitin 2016 shkuan në 73 mijë e 626 euro. 

Pas PTK-së, në gjendje më të rëndë financiare janë ndërmarrja hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, “Posta e Kosovës” dhe Ndërmarrja për Menaxhimin e Deponive.

Kështu “Ibër-Lepenci” e mbylli vitin 2016 me një humbje prej 4 milionë e 395 mijë eurosh. Ndërmarrja realizoi të hyra 3 milionë e 882 mijë euro, kurse shpenzime 8 milionë e 277 mijë euro.

Megjithëkëtë, Bordi i ndërmarrjes i përbërë nga kryesuesi Fatos Sahiti, anëtarët Imer Hamiti, Albiona Maloku, Bashkim Shabani e Mërgim Lushtaku së bashku morën gjatë vitit 2016 bonuse në vlerë prej 14 mijë e 940 eurosh. Në bazë të kësaj i bie që secili anëtar i Bordit ka marrë nga 1 mijë e 245 euro bonuse.

Në total shpenzimet e Bordit të “Ibër-Lepencit” për 2016-n shkuan në 48 mijë e 397 euro.

Edhe ndërmarrja Posta e Kosovës e mbylli vitin 2016 me një humbje prej 1.5 milion eurosh, ndërsa Bordi i ndërmarrjes edhe këtu e shpërbleu veten me mijëra euro bonuse.

Pesë anëtarët e Bordit në Postë, kryesuesi Halit Isufi dhe anëtarët Hysen Fazliu, Branislav Nikoliq, Rushan Ceku dhe Mejdi Xhokli, morën bonuse në vlerë 22 mijë e 800 euro. Në bazë të kësaj, secili anëtar i Bordit mori nga 2 mijë euro bonuse për vitin 2016.

Ndërsa në total shpenzimet për Bordin e Postës shkuan në 76 mijë e 441 euro.

Vitin 2016 me humbje e ka mbyllur edhe Kompania për Menaxhimin e Deponive. Rrafsh gjysmë milioni euro doli në humbje.

Pavarësisht performancës së dobët, Bordi i kësaj ndërmarrjeje, i përbërë nga Lundrim Camaj kryesues dhe anëtarët Hazif Krasniqi, Xhavit Hasani, Gazmend Bytyçi, Goran Lazic dhe Nexhat Berisha, ndau bonuse plot 11 mijë e 787 euro.

Kështu secili anëtar veç e veç u shpërblye me bonuse nga 1 mijë euro.

Në total shpenzimet e Bordit për këtë ndërmarrje shkuan në 42 mijë e 298 euro.