Ekonomia

Telekomi drejt humnerës, 31 milionë euro humbje

Telekomi drejt humnerës, 31 milionë euro humbje
12 shkurt 2018 • 07 : 47 Foto: Driton Bublaku

Në një raport të brendshëm mbi ndërmarrjet publike Qeveria e Kosovës ka alarmuar për gjendje të rëndë financiare në Telekomin e Kosovës. Ndërmarrja e mbylli vitin 2016 me 31 milionë euro humbje dhe pati rënie të madhe të konsumatorëve. Ekspertët thonë se nëse nuk merren masa urgjente Telekomin e pret falimentimi, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Telekomi i Kosovës (TK), dikur ndërmarrja publike më profitabile në vend, po shkon drejt falimentimit.

Sipas një raporti të brendshëm të aksionarit, Qeverisë së Kosovës, Telekomi i Kosovës e ka mbyllur vitin 2016 me një humbje prej 31 milionë eurosh, ndërsa ka pasur edhe rënie të madhe të numrit të konsumatorëve.

“Telekomi i Kosovës SHA vitin 2016 e ka përfunduar me rezultat negativ financiar me rreth 31.311.000 euro”, thuhet në raportin “Përformanca e Ndërmarrjeve Publike për vitin 2016”, i hartuar nga Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE).

Ky raport, që shumë shpejt pritet t’u shkojë për diskutim deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në përgjithësi përshkruan gjendje të rëndë financiare në Telekomin e Kosovës, por edhe në shumicën e ndërmarrjeve publike në vend, shkruan tutje "Zëri".

Raporti i Qeverisë sqaron se rritja e madhe e shpenzimeve në raport me të hyrat e ka vënë Telekomin e Kosovës në një gjendje të rëndë financiare. Kështu prej 76 milionë eurosh sa ishin të hyrat më 2016-ën, shpenzimet shkuan në 107.3 milionë euro.

Si pasojë, ndërmarrja pati tkurrje të pasurisë dhe rritje të mëdha të detyrimeve.

“Sa u përket shpenzimeve të përgjithshme, Telekomi i Kosovës ka shënuar një rritje prej 13% në krahasim me vitin paraprak, ndërsa shpenzimet për paga kanë shënuar një rënie në 27% në krahasim me vitin paraprak”, thuhet në raport.

Pasuritë e Telekomit të Kosovës gjatë vitit 2016 janë tkurrur për 9 për qind në krahasim me vitin paraprak, ekuiteti është tkurrur, zvogëluar për 29,5 për qind, ndërsa detyrimet janë rritur për 38 për qind.

26.8 milionë euro për paga

Gazeta “Zëri” pavarësisht përpjekjeve nuk ka arritur të marrë sqarime shtesë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik lidhur me të gjeturat e këtij raporti, i cili u hartua në tetor të vitit të kaluar.

Zyrtarë të kësaj ministrie nuk janë përgjigjur për gazetën nëse në këtë shumë përfshihet edhe vendimi i Arbitrazhit për PTK-në me kompaninë “Devolli”.

Sipas këtij vendimi, Telekomi i Kosovës obligohej që për mospërmbushje të kontratës t’ia paguante kësaj kompanie 30 milionë euro, mirëpo një vit më vonë kompania u tërhoq nga ky vendim.

Në raport vendimi i Arbitrazhit përmendet më shumë në aspektin e sfidave dhe rreziqeve për ndërmarrjen, por aty nuk sqarohet nëse këto mjete janë llogaritur në kategorinë e shpenzimeve.

“Në aspekt të sfidave dhe rreziqeve për TK-në mund të themi që viti 2016 është përmbyllur me vendimin nga Tribunali Ndërkombëtar tek Arbitrazhit që TK-ja t’i paguajë 26.1 milionë euro gjobë (30 milionë, duke përfshirë interesin) e kompanisë “Devolli”, e cila është pronare e “Z-Mobile”. Po ashtu obligohet që t’ia japë 100 mijë numra shtesë, si dhe shërbimet 3G dhe 4G”, thuhet në raport.

Ndërkaq tek tabela ku tregohet pozita financiare e ndërmarrjes, në kategorinë e shpenzimeve thuhet se 26.8 milionë euro kanë shkuar për paga, 22 milionë euro shpenzime operative dhe 23 milionë euro në nënkategorinë që është emëruar “zhvlerësimi”. Në tabelë përmendet edhe një kategori tjetër, e cila ia hëngri ndërmarrjes plot 35.3 milionë euro. Kjo kategori është emëruar “të dalat e tjera”, por as këtu nuk sqarohet se ku kanë shkuar këto mjete.

Gazeta ka dërguar pyetje edhe në Telekomin e Kosovës për të marrë përgjigje nëse ky trend negativ i përformancës së ndërmarrjes ka vazhduar edhe në vitin 2017, por nuk ka marrë përgjigje as në këtë rast.

Bie numri i konsumatorëve

Kjo gjendje e rëndë financiare ka reflektuar edhe në tkurrjen e numrit të konsumatorëve, veçanërisht të atyre të telefonisë fikse.

Në fund të vitit 2016 numri i konsumatorëve të telefonisë fikse ishte më i vogël për 14 mijë e 187 konsumatorë, apo 25 për qind më i ulët se viti paraprak. Ndërkaq tek telefonia mobile pati rritje të numrit të konsumatorëve për 12,7 për qind krahasuar me vitin 2015.

“Aty shihet se numri i konsumatorëve të telefonisë fikse në fund të vitit 2016 ka rezultuar të jetë 25% me i ulët se viti paraprak. Numri i konsumatorëve të telefonisë mobile për periudhën e vitit 2016 është 12,7% më i lartë se viti paraprak. Numri i konsumatorëve të shërbimeve të internetit është 12,9% më i ulët se viti paraprak”, thuhet në raport.

Rënie e madhe vërehet edhe tek numri i konsumatorëve që i shfrytëzojnë shërbimet e internetit. Deri më 2015-ën në këtë kategori ishin 38 mijë e 149 konsumatorë, përderisa në vitin 2016 u tkurr në 33 mijë e 217 konsumatorë, apo 4 mijë e 935 konsumatorë më pak.

Në përgjithësi, sipas këtij raporti ndërmarrja kishte dështuar pothuaj në të gjitha planifikimet e parashikuara për këtë vit.

“Të hyrat e planifikuara për vitin 2016 janë për 16% më të larta se të hyrat e realizuara, ndërsa të hyrat e realizuara në vitin 2016 janë për 10% më të ulëta në krahasim me vitin paraprak. Shpenzimet e planifikuara janë më të ulëta për 35% në krahasim me realizimin e 2016-ës. Shpenzimet e realizuara për vitin 2016 janë për 13% më të larta sesa shpenzimet e realizuara në vitin paraprak”, thuhet në raport.

Ekspertët kërkojnë marrjen e masave urgjente

Njohësit e ekonomisë thonë se nëse nuk merren masa urgjente nga aksionari, në këtë rast Qeveria e Kosovës, Telekomin e Kosovës (PTK) me ketë trend të përformancës e pret falimentimi.

Sipas Berat Rukiqit, ky rezultat në Telekom është pasojë e shumë viteve të menaxhimit jo të mirë e që në vitin e fundit ka ndikuar me humbjen neto që është paraqitur në pasqyrat e audituara. Për ketë gjendje të ndërmarrjes Rukiqi ka përmendur katër arsye kryesore.

“Mbipunësimi dhe rritja e shpenzimeve operative për një dekadë të tërë; duke qenë kompani publike nuk e ka pasur fleksibilitetin t’i përshtatet trendit global të zhvillimeve në sektorin e telekomit; mungesa e investimeve të duhura për vite të tëra; mungesa e kapitalit të freskët nga investimet private”, ka thënë Rukiqi.

Ai thotë se kjo ka ndikuar në humbjen e tregut, vonesë në ndryshime teknologjike, zvogëlim të vlerës së kapitalit dhe në humbje në një vlerë mjaft shqetësuese.

“Çka duhet të bëhet: zvogëlim i shpenzimeve operative, ulje të pagave, rritje e produktivitetit, lejim i hyrjes së kapitalit privat dhe krijim të kushteve për huamarrje për projekte inovative”, thotë Rukiqi, ndërsa ka shtuar se nëse nuk veprohet shpejt ndërmarrja do të ketë probleme me “cash-floë” dhe likuiditet, gjë që shumë lehtë mund të falimentojë.

Ndërsa Florin Aliu thotë se është e çuditshme kjo rënie e Telekomit, kur dihet pozita strategjike e saj në treg. Për më tepër, nëse ndërmarrja vazhdon me ketë trend, sipas Aliut atëherë duhet të shkojë drejt likuidimit. Por edhe në këtë variant ekziston një rrezik.

“Ekziston një rrezik që të bjerë vlera e kompanisë, sepse nëse kompania vazhdon me ketë humbje, atëherë kjo humbje e shkrin kapitalin e kompanisë. Atëherë është rreziku që kompania të shitet nën vlerën e brendshme të saj”, vlerëson Aliu.

Prej 17 ndërmarrjeve publike, 12 me humbje

Sipas raportit të Qeverisë, gjendja më e mirë nuk është as në ndërmarrjet e tjera publike në vend. Prej 17 ndërmarrjeve publike, 12 prej tyre e kanë mbyllur vitin 2016 me humbje.

Pas PTK-së, në gjendje më të rëndë financiare janë ndërmarrja hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, Posta e Kosovës dhe ndërmarrja “TrainKos”.

Kështu “Ibër-Lepenci” e mbylli vitin 2016 me një humbje prej 4 milionë e 395 mijë eurosh. Ndërmarrja pati të hyra 3 milionë e 882 mijë euro, kurse shpenzime 8 milionë e 277 mijë euro. Në raport si arsye përmendet rënia e vlerës së aseteve në krahasim me vitin 2015 për 4.562 milionë euro. “Kjo rënie e vlerës së aseteve ka ardhur si rezultat i zhvlerësimit (amortizimit) të mjeteve në vlerë prej 4.652 milionë eurosh. Si rezultat i rënies së vlerës së aseteve dhe shpenzimeve të mëdha të zhvlerësimit kjo kompani përfundimisht del në humbje financiare”, thuhet në raport.

Gjendje jo e mirë del të jetë edhe në Postën e Kosovës. Kjo ndërmarrje e mbylli vitin 2016 me një humbje prej 1 milion e 585 mijë eurosh. Të hyra kishte 12.2 milionë euro, por shpenzoi 13.7 milionë euro.

Ndërkaq ndërmarrja “TrainKos”, e cila operon me trenat dhe me hekurudhat e Kosovës, e mbylli ketë vit me një humbje prej 1 milion e 187 mijë eurosh, e pasuar nga “InfraKos” po ashtu me mbi 1 milion euro humbje.

Në gjendje jo të mirë financiare janë edhe dy ndërmarrjet e tjera, kompania rajonale e ujësjellësit “Radoniqi” dhe kompania rajonale e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”. Së bashku këto dy ndërmarrje e mbyllën vitin 2016 me një humbje afër 1 milion euro.

E vetmja ndërmarrje publike, e cila mund të thuhet se pati përformancë të mirë gjatë vitit 2016, është Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Kjo ndërmarrje e mbylli vitin me një fitim prej 11 milionë eurove. Ndërkaq përformancë relativisht të mirë realizoi edhe kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” me një fitim prej 846 mijë eurosh në fund të vitit 2016. Po ashtu kompania rajonale “Hidrodrini” kishte mbyllur vitin me 3 mijë euro profit. Po ashtu edhe me profit vitin e kishte mbyllur edhe kompania tjetër publike e ujitjes “Drini i Bardhë” me 115 mijë euro profit, si dhe kompania e ujitjes “Radoniqi” me 16 mijë euro profit.

Image

Image

 

 

© zëri.info