Tender kompanisë me çmimin më të lartë

Ekonomia June 22, 2017 - 08:47

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur shumë shkelje në Komunën e Rahovecit. Gjatë auditimeve të pasqyrave financiare Auditori ka gjetur se në projektin “Blerja e instrumentit gjeodezik” Komuna kishte lidhur kontratë me kompaninë me çmimin më të lartë, edhe pse sipas Komisionit për Vlerësimin e Ofertave operatori me çmimin më të ulët i kishte përmbushur kriteret, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Shumë shkelje ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2016 në Komunën e Rahovecit, e cila drejtohet nga Idriz Vehapi.

Në projektin “Blerja e instrumentit gjeodezik” Komuna kishte lidhur kontratë me operatorin ekonomik me çmimin më të lartë, edhe pse sipas komisionit për vlerësimin e ofertave operatori me çmimin më të ulët i kishte përmbushur kriteret dhe ishte i përgjegjshëm.

Sipas ZKA-së, kontrata ishte lidhur në vlerë 11,978 euro, ndërsa çmimi i ofruar nga operatori ekonomik konkurrent ishte 9,250 euro.

Më tutje, Zyra e Prokurimit nuk e kishte njoftuar me shkrim OE-në të eliminuar nga tenderi lidhur me arsyet e eliminimit.

Po ashtu në tri raste Zyra e Prokurimit nuk kishte njoftuar me shkrim operatorët ekonomikë për arsyen e eliminimit të tyre nga tenderi, shkruan tutuje "Zëri".

“Shpërblimi i OE-së me çmimin më të lartë ndikon në dëmtimin e buxhetit komunal. Mosnjoftimi i OE-së me shkrim për eliminim nga tenderi i pamundëson OE-së të eliminuar që të bëjë ankesa në institucionet kompetente. Kryetari duhet t’i analizojë arsyet pse në rastet e mësipërme nuk janë zbatuar kërkesat e prokurimit me konsistencë dhe në të ardhmen siguroi se janë shpërblyer OE-të me çmimet më të volitshme për Komunën, si dhe do të bëhet me shkrim njoftimi i OE-së për eliminim nga tenderi”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Kontrata 845 mijë euro, zotimi 305 mijë euro

Po ashtu edhe në projektin “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës Rahovec - Pataqan i Poshtëm” Komuna më 16.09.2016 kishte lidhur kontratë me çmimin më të lartë sesa ndarjet buxhetore. Sipas Auditorit, kontrata ishte nënshkruar në vlerë 845,981 euro, ndërsa ndarjet buxhetore ishin 75,000 euro (2016) dhe vlerësimet për dy vjetët vijuese ishin 130,000 euro (2017) dhe 100,000 euro (2018). Po ashtu, ngjashëm ishte edhe te projekti “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës Drenoc – Zatriq”. Kontrata ishte nënshkruar në vlerë 348,947 euro, ndërsa ndarjet buxhetore për vitin 2016 ishin 55,000 euro dhe vlerësimet për dy vjetët vijuese ishin 100,000 euro në vitin 2017 dhe 80,000 euro në vitin 2018. “Nuk është e qartë si do të përfundohen këto projekte, përderisa nuk është i qartë konstruksioni financiar i projekteve. Hyrja e Komunës në kontrata më shumë sesa ndarjet buxhetore të parapara me Ligj të Buxhetit rrit rrezikun që projektet e tilla të vonohen, të dëmtohen para se të jenë kryer e madje edhe të mos përfundohen. Kryetari duhet t’i zbatojë kërkesat e ligjit dhe të rregulloreve financiare që të mos hyjë në kontrata me operatorët para se t’i zotojë fondet e duhura dhe të sigurojë se nuk do të hyjë në obligime kontraktuese përtej ndarjeve buxhetore të parashikuara me Ligjin për Buxhetin Vjetor”, thuhet në raportin e ZKA-së. Po ashtu edhe në projektin “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës Retijë – Mamushë “, Komuna me 23.06.2016 kishte lidhur kontratë në vlerë 99,355 euro, Auditori ka identifikuar që publikimi për dhënie të kontratës ishte bërë më 31.05.2016 pa prezantuar dokumentin e kërkuar në dosje të tenderit “Vërtetimi nga Gjykata Themelore” dhe dokument i cili ishte sjellë më 09.06.2016, respektivisht nëntë (9) ditë pas publikimit. Sipas ZKA-së mosofrimi i dëshmive me kohë i operatorëve pjesëmarrës në tender përveçqë është në kundërshtim me kërkesat e dosjes së tenderit, rrit rrezikun që OE-ja të mos jetë operatori më i përshtatshëm dhe diskriminon pjesëmarrësit tjerë. “Kryetari duhet të sigurojë që Zyra e Prokurimit të respektojë në përpikëri kërkesat e dosjes së tenderit, në mënyrë që lidhja e kontratave të bëhet me OE të përgjegjshme dhe procedurat të jenë plotësisht transparente”, thuhet në raport.

Komuna ka 920 mijë euro borxhe ndaj kompanive

Pasqyra e detyrimeve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2016 ishte 920,458 euro që krahasuar me vitin e kaluar (333,000 euro) shihet një rritje e konsiderueshme e këtyre detyrimeve. Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2017

Po ashtu gjatë auditimit të obligimeve Auditori ka identifikuar se obligimet ishin rritur për 587,458 euro në raport me vitin paraprak. “Kjo është rezultat i kontrolleve të brendshme të pamjaftueshme në fushën e obligimeve dhe hyrjes në obligime kontraktuale pa mjete të mjaftueshme. Shumat e raportuara të detyrimeve të papaguara janë shumë domethënëse për buxhetin e Komunës dhe si të tilla mund të shkaktojnë lëkundje të mëdha buxhetore. Kontraktimi pa fonde të mjaftueshme rezulton me rritjen e obligime dhe ndikon në buxhetin dhe në objektivat e vitit të ardhshëm për shkak se Thesari mund të ekzekutojë pagesa dhe të hapen konteste gjyqësore nga operatorët ekonomikë. Kryetari duhet t’i analizojë me një kujdes të madh arsyet pse Komuna në mënyrë të pakontrolluar krijon obligime, financimi i të cilave nuk është aspak i sigurt. Rrjedhimisht, duhet t’i forcojë kontrollet që ndërlidhen më obligimet dhe të sigurojë se nuk do të hyjë në obligime kontraktuese pa e pasur të sigurt burimin e fondeve”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Shumë shkelje edhe në Komunën e Vitisë

Shumë shkelje Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur edhe në Komunën e Vitisë. Katër (4) shkolla (tri fillore dhe një e mesme) të financuara nga MASHT-i ishin regjistruar si pasuri kapitale në regjistrat kontabël të pasurisë pa dokumentacion mbështetës, por vetëm në bazë të një e-maili të dërguar nga zyrtarët e MASHT-it. Vlera e tanishme e këtyre shkollave ishte 2,478,038 euro dhe këto shkolla janë në përdorim nga viti 2012. Komuna në vazhdimësi i kishte bërë kërkesë MASHT-it që t’ia dorëzojë dokumentacionin për bartjen e pronësisë për këto shkolla, por deri në kohën e auditimit kjo çështje nuk është zgjidhur. Po ashtu parregullsi janë hasur edhe në procedurat e prokurimit. “Nga ekzaminimi i dosjeve të përzgjedhura kemi hasur në mangësitë në vijim: Te kontrata-kornizë trivjeçare për projektin ‘Asfaltimi i rrugës Devajë-Radivojcë’ siguria e ekzekutimit kishte vlefshmëri vetëm për tre (3) muaj dhe nuk e mbulon gjithë periudhën e kontratës; dhe tek kontrata për projektin ‘Ndërtimi i trotuarit dhe shëtitores nga kisha ortodokse deri tek rampa në Kabash’ nuk ishte specifikuar kohëzgjatja e kontratës. Nënshkrimi i kontratës pa u plotësuar të gjitha parakushtet dhe dështimi për të ndjekur me konsistencë procedurat e prokurimit dhe udhëzuesit përkatës mund të rezultojë me mosimplementim të kontratave sipas standardeve të kërkuara. Kryetari duhet të sigurojë që do të ndërmarrë një rishikim të brendshëm për të përcaktuar pse kërkesat e prokurimit nuk janë adresuar në të gjitha rastet e prokurimit dhe të ushtrojë më shumë kontroll për të siguruar se dobësitë e identifikuara do të evitohen në të ardhmen”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Në Komunën e Prizrenit nënshkruhet kontrata pa procedura të prokurimit

Shkelje të mëdha Auditori ka hasur edhe në Komunën e Prizrenit, e cila drejtohet nga Ramadan Muja. Në këtë Komunë ZKA-ja ka hasur në nënshkrim të kontratës pa procedura të prokurimit. Auditori ka konstatuar se Komuna kishte lidhur kontratë për emetimin e seancave të Kuvendit Komunal me vlerë 150 euro për seancë duke mos respektuar procedurat e prokurimit. “Nënshkrimi i kontratës ishte bërë direkt me OE-në pa udhëhequr procedurat e prokurimit paraprakisht. Pas këshillave tona në fazën e ndërmjetme Komuna menjëherë e ka ndërprerë kontratën. Kemi vërejtur se në 22 raste Drejtoria e Arsimit nuk i protokollon faturat e pranuara ashtu siç kërkohet me Nenin 24 të Rregullës Financiare 01/2013 Për Shpenzimin e Parasë Publike. Në tri raste Komuna ka hyrë në obligime pa i zotuar të gjitha mjetet e nevojshme. Vlera e këtyre kontratave të nënshkruara ishte 89,029 euro, ndërsa zotimi ishte bërë vetëm 11,000 euro”, thuhet në raport. Aty më tutje thuhet se hyrja në obligime pa siguruar mjetet e mjaftueshme mund ta sjellë Komunën në probleme financiare dhe buxhetore. Po ashtu, mosprotokollimi i faturave rrit rrezikun se kontrollet e brendshme nuk kanë funksionar si duhet dhe faturat të mos paguhen me kohë apo të paguhen dy herë. “Kryetari duhet t’i shqyrtojë arsyet se pse kërkesat e prokurimit nuk janë zbatuar me konsistencë në rastet e mësipërme dhe të ushtrojë më shumë kontroll për të siguruar që situata të tilla nuk do të përsëriten, si dhe të gjitha faturat në momentin e pranimit së pari të protokollohen dhe pastaj të procedohen më tutje për pagesë”, thuhet në raport. Po ashtu, më tutje në raport thuhet se Komuna kishte lidhur 3 kontrata publike-kornizë për punë me çmim për njësi për mirëmbajtje për 36 muaj (Instalimi i ndriçimit publik, mirëmbajtja e rrugëve lokale me kubëza, intervenimi në infrastrukturë në rast të fatkeqësive natyrore) jo në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) duke mos përcaktuar në dosje të tenderit sasinë indikative ose vlerën e parashikuar të kontratës. Sipas Nenit 38 të LPP-së “Autoriteti kontraktues do të specifikojë në dosjen e tenderit vlerën ose sasinë e kontratës si një prag apo një tavan dhe do të lejojë devijim prej tij duke deklaruar gjithashtu përqindjen e mospërputhjes së lejuar. Mospërputhja e lejuar nuk mund të jetë më e lartë se plus/minus tridhjetë për qind (30%)”. Sipas ZKA-së, mospërcaktimi i sasive ose i vlerës së parashikuar në kontratë do ta bëjë të pamundur për të përcaktuar pragun e devijimit të lejuar me ligj. “Ne kemi vërejtur se te kontratat ‘Renovimi i kulmit në QKMF’ me vlerë 42,220 euro Komuna nuk kishte bërë hartimin e projektit ekzekutiv. Neni 28.10 i LPP-së për specifikimet teknike për kontratat për punë ndër të tjera thekson se: ‘Asnjë autoriteti kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa bashkëngjitur përshkrimin e hollësishëm të projektit’”, thuhet në raportin e ZKA-së. Sipas Auditorit, mospërfshirja e sasive të përafërta indikative në dosje të tenderit ose të vlerës së parashikuar të kontratës paraqet rrezik potencial për manipulim me sasitë e nevojshme dhe kryerjen e punëve me pozicione favorizuese për operatorin ekonomik (me çmime më të shtrenjta) dhe moskryerjen e pozicioneve me çmime të lira. “Kjo mund t’i shkaktojë humbje të konsiderueshme buxhetit të Komunës. Po ashtu zhvillimi i procedurave të prokurimit pa një projekt të hartuar paraprakisht mund të ndikojë që punimet e zbatuara në këto projekte të devijojnë nga kërkesat standarde të ndërtimit dhe të mos arrijnë cilësinë e duhur”, thuhet më tutje në raport.

Gjilan, mangësi në procedurat e prokurimit

Shkelje nga Zyra Kombëtare e Auditimit janë gjetur po ashtu edhe në Komunën e Gjilanit e cila drejtohet nga Lutfi Haziri. Nga ekzaminimi i dosjeve të përzgjedhura Auditori ka hasur në raste kur mungonin dokumente të cilat duhej të ishin pjesë e dosjeve të tenderit. Te tenderi “Furnizim me material botues” – ritenderim, mungonte siguria e ekzekutimit dhe plani për menaxhimin e kontratës; te tenderi “Furnizim me dru për ngrohje” mungon njoftimi për nënshkrimin e kontratës; te dosja e tenderit “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve te Gjilanit”, deklaratat nën betim ishin të paplotësuara dhe mungonte plani për menaxhim të kontratës; si dhe te dosja e tenderit “Asfaltimi i rrugëve në lagjen e ‘Zabelit’” nuk është bërë njoftimi për nënshkrimin e kontratës dhe siguria e ekzekutimit është sjellë pas nënshkrimit të kontratës. Po ashtu njoftimi për nënshkrimin e kontratës nuk ishte bërë te dosja e tenderit “Ndërtimi i çerdhes në lagjen ‘Dardania’”.

“Nënshkrimi i kontratave pa u plotësuar të gjitha parakushtet dhe dështimi për të ndjekur me konsistencë procedurat e prokurimit dhe udhëzuesit përkatës mund të rezultojë me mosimplementim të kontratave sipas standardeve të kërkuara. Kryetari duhet të sigurojë që do të ndërmarrë një rishikim të brendshëm për të përcaktuar pse kërkesat e prokurimit nuk janë adresuar në të gjitha rastet e prokurimit dhe të ushtrojë më shumë kontroll për të siguruar se dobësitë e identifikuara do të evitohen në të ardhmen”, thuhet në raport.