Trumpi njofton se Rusia do të furnizojë me naftë tregun amerikan dhe atë global
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se Rusia ka rënë dakord të furnizonte menjëherë tregun amerikan dhe atë global me më shumë se 300 mijë tonë naftë, në një përpjekje për të ulur çmimet e këtij karburanti përpara zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit.
Ky veprim vjen në një kohë kur çmimet e naftës – e cila përdoret në bujqësi, për ngrohjen e banesave dhe për transportin e mallrave me kamionë – janë pranë niveleve rekord përpara zgjedhjeve për Kongresin të datës 3 nëntor, të cilat do të përcaktojnë se kush do të ketë kontrollin e këtij institucioni, raporton Reuters.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se kishte zhvilluar një bisedë "shumë të suksesshme" me Presidentin Vladimir Putin, gjatë së cilës ata ranë dakord që Rusia të furnizonte menjëherë me naftë.
Një i dërguar i Putinit, Kirill Dmitriev, vlerësoi bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e naftës dhe energjisë përmes një postimi në platformën X të premten, menjëherë pas bisedës telefonike.
Trump tha se Rusia do të furnizonte edhe 500 mijë tonë të tjera në nëntor dhe 1 milion tonë të tjera "menjëherë pas kësaj". Pas kësaj do të kishte edhe më shumë furnizime, tha Trump, "në varësi të gjendjes së rafinerive të tyre të naftës", të cilat janë dëmtuar nga sulmet gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.