SHBA-ja vendos sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare

SHBA-ja vendos sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare

Bota October 09, 2026 - 20:26

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka shpallur sanksione të gjera ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), duke përshpejtuar ndjeshëm përpjekjet e saj për të “shkatërruar” atë që e konsideron një institucion “jashtë kontrollit”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se masat, të cilat përfshijnë ndalimin e subjekteve amerikane që të kryejnë transaksione me GJPN-në, synojnë të “mbrojnë sovranitetin e SHBA-së”. Ai e akuzoi gjykatën se po përpiqet të ndjekë penalisht shtetas amerikanë.

GJPN-ja tha se këto masa përbëjnë një sulm ndaj sundimit të ligjit dhe themeleve të rendit juridik ndërkombëtar.

Njoftimi u bë vetëm disa orë pasi ish-gjyqtarja e GJPN-së, Navi Pillay, u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2026, për përpjekjet e saj në promovimin e paqes dhe të së drejtës ndërkombëtare.

SHBA-ja tashmë ka vendosur sanksione ndaj 17 gjyqtarëve dhe zyrtarëve të GJPN-së, por masa e re synon vetë gjykatën si institucion dhe ka për qëllim të pamundësojë funksionimin e saj financiar.

Megjithatë, SHBA-ja ka paraparë një periudhë gjashtëmujore kalimtare përpara se disa nga sanksionet e reja të hyjnë në fuqi. Kjo u mundëson shteteve anëtare të vazhdojnë të financojnë veprimtarinë e gjykatës. Uashingtoni tha se kjo periudhë synon t’u japë vendeve kohë për të negociuar një “zgjidhje që adreson” shqetësimet amerikane.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, e cilësoi vendimin e SHBA-së si “një goditje të rëndë ndaj përpjekjeve tona të përbashkëta për drejtësinë penale ndërkombëtare, ku GJPN-ja është një shtyllë kyçe”, raporton BBC.