Gjenerata Z proteston në mbi 25 vende evropiane

Gjenerata Z proteston në mbi 25 vende evropiane

Bota November 21, 2026 - 17:37

Protestat në shumë shtete evropiane po vazhdojnë edhe të shtunën, pasi të premten dhjetëra mijëra të rinj mbushën qytetet e kontinentit në më shumë se 25 vende.

Grupet studentore në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Spanjë, Itali dhe vende të tjera dolën në protesta të premten për shkak të kostos së lartë të jetesës, rritjes së tarifave të shkollimit, sistemeve arsimore të pafinancuara dhe asaj që ata e cilësuan si bashkëfajësi të udhëheqësve në luftën e Izraelit në Gaza.

Në Itali, sindikatat gjithashtu iu bashkuan protestave dhe u bënë thirrje anëtarëve të tyre të organizojnë një grevë mbarëkombëtare. Ankesa të tjera që kanë nxitur protestat e udhëhequra nga Gjenerata Z këtë vjeshtë përfshijnë papunësinë e lartë, krizën klimatike dhe frikën se qeveritë po dështojnë të përgatiten për të ardhmen përballë zhvillimit të pakontrolluar të inteligjencës artificiale.

Të shtunën, një grevë e punonjësve të transportit në Itali ka shkaktuar ndërprerje në linjat hekurudhore, ndërkaq Ambasada e SHBA-së në Francë bëri të ditur se disa grupe kanë planifikuar protesta për të shtunën dhe të dielën, gjë që mund të shkaktojë vështirësi në lëvizje, përfshirë mbylljen e papritur të linjave të metrosë dhe hekurudhave.

Në Mbretërinë e Bashkuar, grupe të shumta studentësh marshuan drejt Sheshit të Parlamentit në Londër, në zemër të kryeqytetit britanik. Gjithashtu, studentët morën pjesë në tubime në qytetin perëndimor gjerman të Këlnit, si dhe në qytete të ndryshme të Italisë.

Gjatë vitit të kaluar, protestat antiqeveritare të Gjeneratës Z kanë përfshirë pjesë të Evropës, Jugut Global dhe Amerikave. Një brez, adoleshenca e të cilit është shënuar nga pandemia COVID-19, ndryshimet klimatike dhe luftërat në Ukrainë, Gaza, Sudan dhe Iran, tani ka frikë se udhëheqësit botërorë po rrezikojnë të ardhmen e tyre duke kufizuar fondet për shërbimet publike në favor të rritjes së shpenzimeve ushtarake.

Të premten, protestuesit në Gjermani, Itali dhe Britani shprehën shqetësime lidhur me rekrutimin ushtarak, rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe mungesën e financimit të shërbimeve publike. Në kryeqytetin e Italisë, Romë, protestuesit brohoritën dhe mbanin pankarta me slogane të ndryshme, përfshirë “Para për shkolla, jo për luftë” dhe “Duam të jetojmë pa koston e lartë të jetesës”./rtk