Izraeli paralajmëron prani të zgjatur në Liban: Hezbollah duhet të çarmatoset
Ushtria izraelite do të qëndrojë në Liban, pasi Hezbollahu nuk është çarmatosur dhe vazhdon të përbëjë një kërcënim, deklaroi ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.
Katz tha se ushtria izraelite po përgatitet për një “prani të zgjatur” në Liban dhe se nuk do të tërhiqet nga zona e sigurisë derisa Hezbollahu të çarmatoset dhe kërcënimi që, sipas tij, paraqet grupi në të gjithë Libanin të eliminohet.
“Kam urdhëruar ushtrinë izraelite të përgatitet për një prani të zgjatur në zonë, me qëllim mbrojtjen e forcave luftarake dhe komuniteteve, derisa ky qëllim të arrihet plotësisht”, tha Katz, sipas Reuters.
Deklarata e Katz vjen në një kohë kur qeveria izraelite po mban të njëjtin qëndrim edhe për Gazën. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit nuk do të tërhiqen nga Gaza përpara se Hamasi të çarmatoset.
Netanyahu kundërshtoi gjithashtu planin 15-pikësh të Donald Trump për Gazën, duke këmbëngulur se Hamasi duhet të çarmatoset plotësisht përpara tërheqjes së forcave izraelite.
Trump njoftoi më 30 korrik se ishte arritur një marrëveshje për çarmatosjen e plotë të Hamasit, duke i hapur rrugën tërheqjes së Izraelit nga Gaza dhe vendosjes së një force ndërkombëtare të stabilizimit.
Propozimi parashikonte një tërheqje graduale të forcave izraelite, paralelisht me çarmatosjen graduale të Hamasit. Megjithatë, Netanyahu ka këmbëngulur se çarmatosja e Hamasit duhet të përfundojë përpara se Izraeli të nisë tërheqjen.
Ndërkohë, partia Likud e Netanyahut po kërkon të rrisë profilin e saj në çështjet e sigurisë përpara zgjedhjeve të 27 tetorit, të cilat do të jenë të parat që nga sulmi i 7 tetorit 2023.