Itali, shpërthim i fortë në fabrikën e municioneve

Itali, shpërthim i fortë në fabrikën e municioneve

Bota August 13, 2026 - 19:18

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur pasditen e së enjtes kryeqytetin italian, teksa zhurma e fortë u dëgjua nga ambientet e fabrikës KNDS Ammo Italy, ish-Simmel Difesa, në zonën e Quarto Chilometro, përgjatë rrugës që lidh Colleferron me Artenën.

Shprthimi në zonën provinciale të Romës shkaktoi alarm te banorët dhe duke mobilizuar shërbimet e emergjencës. Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi dyshohet se ka ndodhur brenda një prej reparteve të impiantit, ndërsa shkaku mbetet ende i paqartë.

Sipas TGCom, burimet e emergjencës thonë se deri tani nuk raportohet për persona të lënduar apo të përfshirë në incident. Në vendngjarje kanë mbërritur disa ekipe zjarrfikësish dhe mjete të tjera të emergjencës.

Para shpërthimit, alarmi i zjarrit ishte aktivizuar dhe personat që ndodheshin në zonën e fabrikës ishin evakuuar. Më pas, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në një distancë të konsiderueshme, duke alarmuar edhe banorët e zonave përreth.

Pamje të publikuara nga banorët tregojnë flakët dhe më pas shpërthimin e fuqishëm brenda kompleksit industrial.

Kryebashkiaku i Colleferron, Giulio Calamita, konfirmoi se incidenti ndodhi në fabrikën KNDS Ammo Italy, e cila prodhon municione dhe komponentë për sektorin e mbrojtjes. Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi mund të ketë ndodhur në një mikser, ndërsa po hetohet edhe mundësia që incidenti të ketë lidhje me repartin e përpunimit të barutit.

Ndërkohë, raportimet për një evakuim të qendrës tregtare në Valmontone janë mohuar nga vetë administrata e qendrës, e cila ka deklaruar se nuk pati evakuim.

Çfarë është KNDS Ammo Italy?

KNDS Ammo Italy, ish-Simmel Difesa, është një kompani e rëndësishme e industrisë italiane të mbrojtjes. E themeluar në vitin 1948 dhe me seli historike në Colleferro, kompania është e specializuar në prodhimin e municioneve të kalibrit të mesëm dhe të madh për forcat tokësore, detare dhe ajrore.

Kompania është pjesë e grupit shumëkombësh KNDS, nën menaxhimin e KNDS France, dhe furnizon produkte për tregun ndërkombëtar. Sipas të dhënave të kompanisë, produktet e saj eksportohen në më shumë se 40 vende.

Përveç fabrikës në Colleferro, KNDS Ammo Italy ka edhe një strukturë të specializuar për demilitarizim në Anagni, në provincën e Frosinones. /abcnews