Alarm në aeroportin e Leipzigut në Gjermani, gjendet një dron shpërthyes pranë një avioni ukrainas
Foto: BILD

Alarm në aeroportin e Leipzigut në Gjermani, gjendet një dron shpërthyes pranë një avioni ukrainas

Bota August 05, 2026 - 12:33

Një incident i rëndë sigurie ka ndodhur gjatë natës në aeroportin Leipzig/Halle të Gjermanisë, ku autoritetet zbuluan një dron me një objekt të dyshuar shpërthyes pranë një aeroplani ukrainas të transportit të tipit Antonov.

Sipas gazetës gjermane Bild, droni u gjet pak para mesnatës në platformën e aeroportit, ndërsa në të ishte i bashkangjitur një objekt me ndezës, të cilin hetuesit e klasifikuan si një mjet të mundshëm shpërthyes. Në vendngjarje u angazhuan ekspertët federalë për çminim dhe një robot i telekomanduar për të ekzaminuar dhe neutralizuar objektin, transmeton Zeri.info.

Image

Për shkak të incidentit, fluturimet u pezulluan përkohësisht dhe disa avionë u detyruan të devijonin drejt aeroporteve të tjera. Trafiku ajror rifilloi rreth orës 01:55, megjithëse pista jugore mbeti e mbyllur për shkak të hetimeve.

Gjatë kësaj kohe, një avion mallrash që ishte detyruar të ndryshonte trajektoren thuhet se u përplas në ajër me një objekt ende të paidentifikuar, rreth gjashtë kilometra larg aeroportit. Aeroplani u ul në mënyrë të sigurt në Hanover, ku u konstatuan vetëm dëmtime të lehta në pjesën e përparme.

Image

Autoritetet gjermane nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht se objekti i gjetur përmbante lëndë shpërthyese, por kanë bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim. Ministria e Brendshme e Gjermanisë ka konfirmuar vetëm se në aeroport është gjetur një dron, pa dhënë detaje shtesë për shkak të hetimit në vazhdim.

Sipas mediave gjermane, policia nuk e përjashton mundësinë që bëhet fjalë për një akt sabotimi me motive politike dhe është duke kërkuar operatorin e dronit. /Zëri