Zjarri në Francë zbulon një depo me 400 predha të Luftës së Dytë Botërore
Një zjarr i madh pyjor në jugperëndim të Francës ka zbuluar një depo të fshehur me rreth 400 predha dhe municione historike në fshatin Le Porge, duke shkaktuar dhjetëra shpërthime dhe vështirësuar operacionet e shuarjes së flakëve.
Sipas autoriteteve lokale, shpërthimet që fillimisht u menduan se vinin nga bombolat e gazit, rezultuan të ishin municione të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat shpërthyen për shkak të temperaturave të larta të shkaktuara nga zjarri.
Kryebashkiaku i Le Porge, Martial Zaninetti, tha se gjatë natës së dytë të zjarrit u dëgjuan më shumë se 100 shpërthime, duke e krahasuar situatën me “tingullin e luftës”.
“Kishte depo municionesh të varrosura në tokën e komunës sonë, por askush nuk e dinte për ekzistencën e tyre. Predhat shpërthyen dhe disa fluturuan në drejtime të ndryshme, madje njëra kaloi përmes një shtëpie,” deklaroi ai.
Pas ndërhyrjes së ekipeve të çminimit, shumica e banorëve janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre, megjithëse disa zona mbeten ende të mbyllura për arsye sigurie. Zjarri ka shkatërruar më shumë se 180 banesa në zonë.
Sipas mediave franceze, arsenali i zbuluar përfshinte predha mortajash, municione antitank dhe armë historike të origjinës gjermane dhe franceze.
Zbulimi erdhi pasi zjarri i madh në rajonin e Girondës u vu nën kontroll pas rreth 10 ditësh luftë me flakët. Pamjet nga zona tregojnë banorët duke kërkuar mes rrënojave të shtëpive të djegura.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, falënderoi zjarrfikësit për punën e tyre, duke deklaruar se Franca është përballur me një krizë të paprecedentë dhe se situata po hyn gradualisht në një fazë stabilizimi, me banorët që po rikthehen në shtëpitë e tyre.
Gjatë dy javëve të fundit, zjarret kanë përfshirë disa vende evropiane, veçanërisht Francën dhe Spanjën, duke detyruar evakuimin e mbi 330 mijë personave. Vetëm në jugperëndim të Francës janë djegur rreth 42 mijë hektarë tokë, në një nga zjarret më të mëdha pyjore që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. /abcnews