Shpërthen vullkani “Fuego” në Guatemala, evakuohen banorët
Autoritetet në Guatemala kanë shpallur një alarm portokalli, të nivelit “rrezik”, pas shpërthimit të fuqishëm të vullkanit "Fuego", një prej vullkaneve më aktive në Amerikën Qendrore.
Vullkani, i cili ndodhet rreth 35 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Guatemala City, ka nisur të nxjerrë lavë, re të dendura gazrash dhe hiri vullkanik. Koordinimi Kombëtar për Reduktimin e Fatkeqësive (Conred) njoftoi se alarmi është shpallur në nivel kombëtar dhe se ka nisur evakuimi i dy vendbanimeve pranë zonës së rrezikut.
Për shkak të aktivitetit të shtuar vullkanik, qeveria ka pezulluar mësimin në shkollat e zonës dhe ka mbyllur një rrugë kryesore që lidh pjesën jugore të vendit me qytetin kolonial të Antiguas, i cili është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Shpërthimi i "Fuego"-s nisi të hënën në mëngjes dhe intensiteti i tij u rrit gjatë natës. Vullkani, me një lartësi prej 3,763 metrash, ka shkaktuar disa herë evakuime masive në vitet e fundit.
Në vitin 2018, një shpërthim i fuqishëm i "Fuego"-s shkaktoi 215 viktima, ndërsa rreth 200 persona rezultuan të zhdukur pasi rrjedhat e lavës përfshinë një fshat në shpatet e vullkanit. /abcnews