Irani ekzekuton një person të dënuar për lidhje me SHBA-në dhe Izraelin

Irani ekzekuton një person të dënuar për lidhje me SHBA-në dhe Izraelin

Bota July 22, 2026 - 14:15

Autoritetet iraniane kanë ekzekutuar një burrë të dënuar për përkatësi në një grup të cilësuar nga Teherani si “terrorist antirevolucionar” dhe për kryerjen e aktiviteteve në favor të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Sipas agjencisë shtetërore iraniane Fars, i ekzekutuari është Mehdi Khanki, i cili ishte arrestuar në qytetin e Karajt. Raportohet se ai u dënua pas një vendimi gjyqësor, ndërsa autoritetet thanë se gjatë bastisjes në banesën e tij u gjet një arsenal armësh dhe mjetesh shpërthyese.

Sipas të njëjtit burim, forcat e sigurisë sekuestruan pistoleta, municione, telekomandë për aktivizimin e eksplozivëve, granata artizanale, raketahedhës të improvizuar mbi supe dhe bomba me fuqi të lartë shpërthyese.

Autoritetet iraniane pretendojnë se Khanki vepronte në interes të SHBA-së dhe Izraelit, akuza për të cilat ai u dënua me vdekje dhe u ekzekutua pas përfundimit të procesit gjyqësor.