Zelensky largon “kasapin” dhe trazon sërish komandën ushtarake të Ukrainës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkarkoi komandantin e përgjithshëm të ushtrisë, gjeneralin Oleksandr Syrskyi, vetëm pak ditë pasi largoi nga detyra edhe ministrin e Mbrojtjes, Mykhaylo Fedorov.
Të dy ata kishin mosmarrëveshje të hapura për mënyrën se si duhej të zhvillohej lufta kundër Rusisë.
Shkarkimi i Syrskyit, i njoftuar vonë më 21 korrik, ndodhi pas disa ditësh spekulime se ai po përpiqej ta ruante postin në krye të forcave të armatosura të Ukrainës.
Ai njihej nga shumë ushtarë me nofkën “kasapi i Bahmutit”.
Në vend të tij, Zelensky emëroi gjeneralmajorin Mykhaylo Drapatiy, komandant i forcave tokësore të Ukrainës.
“Të gjithë kemi një dëshirë: fitoren ndaj armikut dhe krijimin e kushteve në front, si dhe rritjen e presionit ndaj Rusisë - gjëra që do të na mundësojnë ta detyrojmë atë që të pranojë paqen”, tha Zelensky në një postim në platformën Telegram.
Në një postim në Facebook, Drapatiy, 44 vjeç, konfirmoi emërimin e tij.
“T’i shërbej Ukrainës ka qenë gjithmonë nder për mua, ndërsa gjatë luftës për pavarësi kjo do të thotë përgjegjësi absolute. I jam mirënjohës gjeneralit Syrskyi për punën e tij të vazhdueshme në forcimin e ushtrisë ukrainase”, shkroi ai.
Rreth dhjetë orë pasi u njoftua shkarkimi i tij, Syrskyi reagoi përmes Telegramit, duke mbrojtur punën e tij si komandant i përgjithshëm dhe duke përmendur disa nga reformat që kishte udhëhequr.
“E kam thënë edhe më parë dhe e përsëris sot: puna ime është lufta. Postet ndryshojnë, por ky parim jo. Çfarëdo statusi që të kem, do t’i shërbej Ukrainës deri në fitore”, tha ai.
Ky ndryshim në krye të ushtrisë përmbylli një javë të trazuar për presidentin Zelensky dhe udhëheqjen politike dhe ushtarake të Ukrainës, në kohën kur lufta e nisur nga pushtimi i plotë rus ka hyrë tashmë në vitin e pestë.
Ndryshimi vjen, po ashtu, në një kohë kur ka shenja të kujdesshme optimizmi për situatën në front.
Forcat ukrainase kanë arritur të frenojnë përparimin e ushtrisë ruse në shumë pjesë të vijës së frontit, e cila shtrihet në rreth 1.100 kilometra.
“Mykhaylo Drapatiy është një zgjedhje e shkëlqyer dhe një nga komandantët më të respektuar të brezit të ri të oficerëve ukrainas”, thotë John Hardie, zëvendësdrejtor i Programit për Rusinë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
“Shpresoj që emërimi i tij do të rrisë moralin e ushtrisë dhe do të ndihmojë në zgjidhjen e disa problemeve të brendshme, veçanërisht atyre që lidhen me kulturën e komandimit - një sfidë që Drapatiy e ka përjetuar vetë”, thotë Hardie.
Ministri i Mbrojtjes, Fedorov, i njohur për qasjen e tij moderne dhe mbështetjen e fuqishme të përdorimit të dronëve në luftë, u shkarkua më 15 korrik, vetëm rreth gjashtë muaj pasi mori detyrën.
Në vend të tij, presidenti Zelensky propozoi gjeneralmajorin Yevhen Khmara, shefin e shërbimit të sigurisë së brendshme.
Ky emërim u pa si përpjekje për të zbutur kritikat që Zelensky mori pas shkarkimit të papritur të Fedorovit.
Largimi i tij nxiti protesta disaditore në Kiev dhe qytete të tjera, të cilat treguan se ai gëzonte mbështetje të konsiderueshme në opinionin publik.
Protestat pasqyruan, gjithashtu, gatishmërinë e ukrainasve për të reaguar ndaj vendimeve të rëndësishme të Qeverisë, të cilat shpesh merren pa shumë transparencë.
Shumë qytetarë e vlerësonin Fedorovin si njeriun që solli një qasje të re në luftë, veçanërisht përmes përdorimit të dronëve, që i mundësuan Ukrainës të kryente një sërë sulmesh të suksesshme thellë brenda territorit rus.
Strategjia e tij me dronë goditi rafineritë ruse të naftës dhe shkaktoi ndërprerje të furnizimit me karburante në pjesë të Rusisë, duke rritur pakënaqësinë e qytetarëve rusë.
Megjithatë, Fedorov, 35 vjeç, kishte përplasje me disa udhëheqës ushtarakë, përfshirë ish-komandantin Oleksandr Syrskyi.
Konflikti mes tyre lidhej me dallimet në qasjen ndaj luftës: Fedorov përfaqësonte një strategji të bazuar te teknologjia dhe inovacioni, ndërsa shumë prej komandantëve të lartë ishin formuar sipas doktrinave më tradicionale ushtarake.
Pas njoftimit për shkarkimin e tij, Fedorov e kritikoi publikisht Syrskyin, duke e akuzuar se ka bllokuar një pjesë të reformave që ai po përpiqej t’i zbatonte në ushtri.
Syrskyi, 60 vjeç, u emërua komandant i përgjithshëm në vitin 2024, dy vjet pas nisjes së pushtimit të plotë rus - në një periudhë të tensionuar si në front, ashtu edhe në politikën e brendshme të Ukrainës.
Ai zëvendësoi gjeneralin Valeriy Zaluzhniy, i cili gëzonte respekt të madh për rolin e tij në zmbrapsjen e sulmit fillestar rus, në shkurt të vitit 2022.
Zaluzhniy shprehu publikisht kritika ndaj disa vendimeve ushtarake dhe më pas u largua nga posti, duke u emëruar ambasador i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar.
Edhe Syrskyit i atribuohet një pjesë e meritave për sukseset e para të Ukrainës në luftë, përfshirë kundërofensivën që çliroi pjesë të mëdha të rajonit të Harkivit në fund të vitit 2022.
Megjithatë, vendimi i tij për ta mbajtur për muaj të tërë qytetin Bahmut në vitin 2023 u kritikua nga shumë ushtarë, të cilët e konsideruan një vendim politik, me kosto të panevojshme në jetë njerëzish.
Pikërisht për këtë ai mori nofkën “kasapi i Bahmutit”.
Pas largimit nga detyra, Fedorov bëri një mbrojtje të pazakontë publike të punës së tij dhe e akuzoi sërish Syrskyin se ishte pengesa kryesore për ndryshimet që ai i konsideronte të domosdoshme në ushtri.
“U përballëm me një situatë ku pothuajse çdo nismë që propozonim, fillonte të bllokohej”, tha Fedorov.
“Syrskyi, pavarësisht të gjitha problemeve për të cilat kemi folur, nuk është i gatshëm t’i diskutojë ato hapur, ballë për ballë. Në vend të kësaj, ai preferon takime private dhe intriga”, shtoi ai.
Në ditët që pasuan, edhe Syrskyi reagoi publikisht, duke mbrojtur punën e tij dhe duke i kërkuar falje Fedorovit.
“Unë nuk jam në luftë me Ministrinë e Mbrojtjes. Jam në luftë me Rusinë”, tha ai. “Në ushtri nuk zgjedh me kë shërben. Në ushtri zbaton urdhrat dhe bën detyrën tënde”.
Në një artikull të botuar në një blog ushtarak ukrainas, ai shtoi:
“Ekziston një ideal më i rëndësishëm se çdo emër: Ukraina është më e madhe se Fedorov, Syrskyi apo cilido prej nesh. Ta reduktosh këtë luftë në një përballje mes dy njerëzve është shërbimi më i madh që mund t’i bëjmë armikut”.
Komandanti i ri, Mykhaylo Drapatiy, gëzon reputacion të mirë si mes ushtarëve, ashtu edhe mes oficerëve të ushtrisë ukrainase.
Ai ishte ndër zërat që dolën publikisht në mbështetje të Fedorovit pas shkarkimit të tij.
Drapatiy fitoi respekt të veçantë edhe në qershor të vitit 2025, kur ofroi dorëheqjen pasi një raketë balistike ruse goditi një poligon stërvitor, duke vrarë 12 ushtarë ukrainas.
Sulmi u konsiderua pasojë e shkeljes së protokolleve të sigurisë, pasi komandantët ishin paralajmëruar që të shmangnin organizimin e ceremonive ose tubimeve që mund të bëheshin objektiv i raketave ruse.
Analisti politik, Mykola Byelyeskov, nga Instituti Kombëtar për Studime Strategjike i Ukrainës, e përshkruan Drapatiyn si një oficer profesionist dhe të respektuar, të cilit i atribuohet stabilizimi i frontit në rajonin e Harkivit në maj të vitit 2024 dhe më vonë në zonën e Pokrovskut, në dhjetor të po atij viti.
“Tani sfida kryesore është formimi i ekipit drejtues, veçanërisht emërimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
“Sido që të jetë popullariteti i komandantit të ri, drejtimi i luftës do të mbetet shumë i vështirë, për shkak të mungesës së personelit, reformave ende të papërfunduara në ushtri dhe mungesës së kuadrove me përvojë në nivele të ndryshme”, shton Byelyeskov.
Me këtë vendim, sipas tij, Zelensky ka bërë një hap për t’i dhënë fund përplasjes me ata që kërkonin ndryshime dhe që problemet në ushtri i lidhnin me udhëheqjen e Syrskyit. /REL