Anglia ndalon shitjen e pijeve energjike për personat nën 16 vjeç
Shitja e pijeve energjike me përmbajtje të lartë kafeine për fëmijët nën moshën 16 vjeç do të ndalohet në Angli duke filluar nga prilli i ardhshëm, sipas legjislacionit të ri qeveritar që synon përmirësimin e shëndetit të fëmijëve.
Në një deklaratë të qeverisë britanike thuhet se ligji do ta bëjë të paligjshme shitjen e pijeve energjike që përmbajnë më shumë se 150 miligramë kafeinë për litër për këdo nën moshën 16 vjeç.
Kufizimi do të zbatohet në të gjitha pikat e shitjes me pakicë, përfshirë supermarketet, dyqanet e lagjes, restorantet, kafenetë, makinat automatike të shitjes dhe shitësit online.
Sipas qeverisë, rreth 100 mijë fëmijë në Angli konsumojnë çdo ditë pije energjike me përmbajtje të lartë kafeine.
Zyrtarët thanë se provat tregojnë se konsumimi i rregullt mund të ketë efekte negative në shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve, si dhe të ndikojë në gjumin, përqendrimin dhe performancën në arsim.
Qeveria tha gjithashtu se fëmijët që jetojnë në komunitete më të varfra kanë më shumë gjasa t’i konsumojnë këto pije, duke rritur rreziqet për shëndetin dhe duke ndikuar potencialisht në të nxënit e tyre.
Ministrja e Shëndetit Publik, Sharon Hodgson, tha në një deklaratë se pijet energjike me përmbajtje të lartë kafeine “nuk kanë vend në duart e fëmijëve” dhe se provat tregojnë se ato mund të kontribuojnë në ankth, gjumë të dobët dhe ulje të përqendrimit.
Ndalimi vjen pas një konsultimi publik që mori afro 1.100 përgjigje nga bizneset, organizatat e shëndetit publik, organet zbatuese dhe qytetarët. Qeveria tha se kishte mbështetje të fortë për vendosjen e një kufizimi sipas moshës.
Legjislacioni do të zbatohet për të gjitha pijet, me përjashtim të çajit dhe kafesë. Shitjet ndërmjet bizneseve nuk do të preken.
Çaji, kafeja dhe pijet freskuese me përmbajtje më të ulët kafeine, duke përfshirë Coca-Cola-n dhe Pepsi-n, përjashtohen nga rregullat e reja.
Pijet energjike që tejkalojnë kufirin e kafeinës dhe që do të përfshihen në ndalim janë Red Bull, Monster, Relentless dhe Prime. Këto produkte mbajnë etiketa ku thuhet se nuk rekomandohen për fëmijët. /atsh