Kongresi amerikan miraton ligjin për sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë

Kongresi amerikan miraton ligjin për sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë

Bota September 18, 2026 - 00:01

Kongresi i Shteteve të Bashkuara e miratoi të mërkurën një ligj me sanksione gjithëpërfshirëse që shënjestrojnë Rusinë dhe Iranin, dhe ia ka dërguar presidentit Donald Trump për ta nënshkruar.

Paketa e sanksioneve, sipas mbështetësve të saj, do ta rrisë trysninë ndaj Moskës dhe vendeve që ndihmojnë në financimin e luftës së saj kundër Ukrainës.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi Ligjin Lindsey O. Graham për Sanksionimin e Rusisë dhe Iranit, me 262 vota për dhe 159 kundër. Për votuan 203 republikanë, 58 demokratë dhe një ligjvënës i pavarur. Kundër votuan shtatë republikanë dhe 152 demokratë.

Projektligji kishte kaluar tashmë Senatin me 86 vota pro dhe 11 kundër muajin e kaluar.

Ai mban emrin e senatorit të ndjerë republikan Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, i cili kaloi më shumë se një vit duke ndërtuar mbështetje dypartiake për këtë legjislacion, para se të vdiste papritur në korrik.

Tani, Trump pritet ta nënshkruajë atë.

Legjislacioni synon zyrtarët rusë, institucionet financiare, sektorin energjetik dhe të ashtuquajturën flotë në hije të vendit, e përbërë nga cisterna. Ai gjithashtu i jep Trumpit autoritetin të vendosë tarifa deri në 100 për qind ndaj blerësve të mëdhenj të naftës dhe gazit rus, si dhe ndaj vendeve që ndihmojnë Moskën t’u shmanget sanksioneve.

Ligji gjithashtu zgjat sanksionet amerikane ndaj Iranit.

Ky është legjislacioni i parë i madh dypartiak i Kongresit në mbështetje të Ukrainës që nga paketa e ndihmës emergjente e miratuar në prill 2024.

Mospajtimet mes demokratëve për tarifat

Rruga e projektligjit në Dhomën e Përfaqësuesve u ndërlikua nga kundërshtimi i demokratëve, i përqendruar kryesisht te kompetencat shtesë për vendosjen e tarifave që i jepen Trumpit.

Udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries nga Nju Jorku, tha se mbështet ushtrimin e trysnisë ndaj Rusisë, por nuk mund të mbështeste atë që e përshkroi si kompetenca të gjera të reja tarifore për presidentin.

Përfaqësuesi Gregory Meeks nga Nju Jorku, demokrati më i lartë në Komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, tha gjithashtu se mbetet i përkushtuar për ndalimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, por kundërshton dispozitat e projektligjit për tarifat.

Meeks tha se Trump tashmë ka kompetenca të konsiderueshme për të vendosur sanksione ndaj Moskës dhe argumentoi se projektligji duhej të kishte përfshirë kërkesa më të forta për administratën që t’i përdorte ato kompetenca.

Megjithatë, 58 demokratë votuan për legjislacionit, duke pasqyruar mbështetjen e vazhdueshme të shumë ligjvënësve për vendosjen e kostove shtesë ekonomike ndaj Rusisë.

Kritikët ngritën gjithashtu shqetësime se kompetencat për vendosjen e tarifave mund të prekin partnerët dhe aleatët e SHBA-së, përfshirë vendet evropiane që vazhdojnë të importojnë energji ruse.

Por, zyrtarët evropianë të cituar pas votimit nuk e përsëritën argumentin më të gjerë se Evropa e kundërshtonte legjislacionin.

Hannes Hanso, ambasadori i Estonisë në Shtetet e Bashkuara, i tha REL-it më 16 shtator se Tallini mbështet sanksione të forta ndaj Rusisë dhe dëshiron që ato të zbatohen shpejt.

“Ne mbështesim sanksione sa më të forta ndaj Rusisë”, tha Hanso. “Ata janë agresori, kështu që kjo tani mundëson sanksione shumë të fuqishme, të forta dhe gjithëpërfshirëse”.

Hanso pranoi se legjislacioni nuk ishte i përsosur, por tha se përparësi ishte vënia në zbatim e sanksioneve të reja. “Sa më shpejt t’i zbatojmë këto sanksione ndaj Rusisë, aq më mirë”, tha ai.

Një inxhinier hungarez punon në zonën pritëse të tubacionit të naftës Druzhba në një rafineri nafte në jug të Budapestit.

BE-ja ka mbajtur sanksione të gjera ndaj Rusisë, ndërsa qeveritë evropiane kanë vazhduar të bëjnë thirrje për presion ndaj Moskës për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës.

Për përfaqësuesen Marcy Kaptur nga Ohajo, bashkëkryetare e Grupit të Kongresit për Ukrainën, fokusi tani zhvendoset nga veprimi i Kongresit te mënyra se si administrata Trump do t’i përdorë kompetencat e reja.

“Ne do t’i kushtojmë vëmendje të madhe administratës dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë me këto kompetenca të reja që u janë dhënë”, i tha Kaptur REL-it.

Mbështetësit e legjislacionit thonë se dispozitat për tarifat synojnë vendet, të cilat e ndihmojnë Moskën ta financojë luftën duke blerë energji ruse.

Senatori Richard Blumenthal nga Konektikati, bashkautor demokrat i legjislacionit, i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë Kremlinit pas votimit.

“Vladimir Putin, ne e dimë numrin tuaj”, tha Blumenthal.

Projektligji, i emërtuar sipas senatorit të ndjerë Lindsey Graham (në foto), do të synonte bankat ruse, të ardhurat nga energjia dhe oligarkët rusë.

Ai paralajmëroi Kinën dhe Indinë se blerjet e vazhdueshme të naftës dhe gazit rus mund t’i ekspozojnë ato ndaj masave të reja amerikane. “Kinë dhe Indi, më mirë përmirësojeni sjelljen tuaj, blini naftë dhe gaz diku tjetër”, tha ai.

Blumenthal tha se legjislacioni synon të rrisë presionin ndaj Moskës dhe ta detyrojë Putinin të hyjë në negociata, ndërsa theksoi se vetëm sanksionet nuk do të jenë të mjaftueshme.

“Qetësimi i agresorit nuk është strategji”, tha ai, duke shtuar se Kongresi do të duhet të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës mbështetje ushtarake, ekonomike dhe politike.

Senatorja Jeanne Shaheen nga Nju Hempshajri, demokratja më e lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se masa i dërgon Putinit një “mesazh të pamohueshëm, dypartiak”.

“Çdo dollar që Rusia fiton përmes shitjeve të paligjshme të energjisë është një dollar tjetër që Putini mund ta përdorë për të blerë dronë, raketa dhe armë për të vrarë ukrainas të pafajshëm”, tha Shaheen.

Ajo i bëri thirrje Trumpit ta nënshkruajë projektligjin dhe t’i përdorë kompetencat e reja për t’i bërë presion Putinit që të negociojë “në mënyrë kuptimplotë” për t’i dhënë fund luftës.

Senatorja republikane Katie Britt nga Alabama, një mbështetëse e rëndësishme e legjislacionit, tha se masa do ta mbajë gjithashtu Iranin përgjegjës për atë që ajo e përshkroi si “47 vjet terror”.

Projektligji e zgjat për pesë vjet Aktin për Sanksionet ndaj Iranit, duke ruajtur sanksionet që synojnë sektorët energjetik dhe të armëve të Iranit.