Lavrov: Evropa po bëhet një kërcënim madhor për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare

Lavrov: Evropa po bëhet një kërcënim madhor për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare

Bota June 23, 2026 - 23:01

Ministri i Jashtëm rus deklaroi të martën se Evropa po bëhet një kërcënim madhor për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, për shkak të ndihmës ushtarake që po i ofron Ukrainës.

Sergei Lavrov nënvizoi gjithashtu se edhe Shtetet e Bashkuara nuk po përpiqen më të jenë një “ndërmjetës objektiv” për të negociuar fundin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Sa i takon Shteteve të Bashkuara, duke gjykuar veprimet e tyre, duket se po e braktisin rolin e ndërmjetësit objektiv dhe në vend të tij po ndjekin kursin e përshkallëzimit të presionit të sanksioneve ndaj Rusisë”, deklaroi Lavrov.

Edhe këshilltari i presidentit Putin, Yuri Ushakov tha se Rusia është e gatshme për dialog me Bashkimin Evropian, ndërsa përsëriti narrativën e Kremlinit se është pikërisht Evropa dhe jo Moska ajo që po zgjat luftën në Ukrainë.

Bisedimet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës kanë mbetur të ngrira, me vëmendjen e presidentit Donald Trump që është kthyer nga Lindja e Mesme.

Javën e kaluar, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa mbrojti vendimin e tij të papritur për të hapur një kanal diplomatik me Kremlinin, për të shqyrtuar nëse ekzistojnë kushtet për negociata, një shans që sipas ekipit të tij aktualisht nuk është i mundur.

Edhe pse zyra e presidentit të KE-së nuk e ka konfirmuar, nga mediat evropiane është mësuar se Yuri Ushakov është zyrtari rus me të cilin është vendosur kontakti.

Vetë këshilltari i Putin nuk e komentoi mundësinë e një takimi me Costan të martën, por nxitoi të akuzonte Brukselin se po përpiqet të minojë marrëveshjet e arritura mes presidentëve Trump dhe Putin gushtin e vitit të kaluar në Alaskë.