Nuk ndalen përleshjet në Liban, pavarësisht marrëveshjes së pjesshme për armëpushim
Përleshjet në jug të Libanit kanë vazhduar edhe pas njoftimeve për pranimin e një plani amerikan për armëpushim të pjesshëm nga Izraeli dhe Hezbollahu.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kishte zhvilluar biseda me të dyja palët, të cilat sipas tij “janë pajtuar që të ndalojnë të gjitha të shtënat”. Ai shtoi se është arritur një mirëkuptim për uljen e tensioneve, pas paralajmërimeve të Iranit lidhur me përshkallëzimin e situatës në Liban.
Sipas autoriteteve libaneze, Hezbollahu ka pranuar planin që parashikon ndalimin e sulmeve ndaj Izraelit, ndërsa Izraeli nuk do të godasë Bejrutin.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi dakordësinë, por theksoi se çdo sulm ndaj Bejrutit do të vijojë nëse Hezbollahu nuk ndalon sulmet ndaj qyteteve dhe civilëve izraelitë. Ai shtoi se operacionet ushtarake në jug të Libanit do të vazhdojnë sipas planit.
Pavarësisht këtyre deklaratave, gjatë natës janë raportuar sërish përleshje. Hezbollahu tha se ka goditur tanke izraelite në jug të Libanit, ndërsa ushtria izraelite njoftoi se ka rrëzuar dy predha të lëshuara nga territori libanez, pa raportime për viktima.
Në terren janë raportuar edhe sulme ajrore izraelite në disa zona jugore të Libanit, si dhe shpërthime të fuqishme në qytetin Debbine.
Tensionet u rritën më tej pasi Izraeli urdhëroi sulme ndaj objektivave në periferi të Bejrutit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me raketa dhe dronë nga Hezbollahu, shkruan BBC.
Nga ana tjetër, Irani reagoi duke paralajmëruar se çdo shkelje e armëpushimit në një front të konfliktit përbën shkelje në të gjitha frontet, ndërsa mediat iraniane raportuan mundësinë e pezullimit të bisedimeve indirekte me SHBA-në dhe hapjen e fronteve të tjera në rajon.
Ndërkohë, presidenti Trump ka këmbëngulur se bisedimet diplomatike po vazhdojnë dhe se është arritur një mirëkuptim për ndalimin e luftimeve, përfshirë edhe parandalimin e sulmeve ndaj Bejrutit.
Konflikti në Liban ka shkaktuar mijëra viktima që nga nisja e tij, ndërsa situata mbetet e paqëndrueshme pavarësisht përpjekjeve për armëpushim. Në sfond të përshkallëzimit të luftimeve, tregjet globale të energjisë kanë regjistruar rritje të çmimeve të naftës. /abcnews