Trumpi padit sërish për shpifje Wall Street Journal, kërkon 10 miliardë dollarë dëmshpërblim

Trumpi padit sërish për shpifje Wall Street Journal, kërkon 10 miliardë dollarë dëmshpërblim

Bota May 28, 2026 - 21:09

Donald Trump ka riformuluar një padi për shpifje duke kërkuar të paktën 10 miliardë dollarë dëmshpërblim nga Wall Street Journal për lajmet mbi lidhjet e supozuara të Trump me Jeffrey Epstein, pasi një gjykatës hodhi poshtë një version të mëparshëm për mangësi ligjore.

Padia është një prej disave që presidenti amerikan ka ngritur personalisht kundër organizatave mediatike dhe është pjesë e asaj që kritikët thonë se është një fushatë më e gjerë presioni kundër medias.

Padia e Trump, e paraqitur të mërkurën, pretendon se gazeta në pronësi të Rupert Murdoch dëmtoi reputacionin e tij me një artikull që përshkruante një kartolinë ditëlindjeje për financierin dhe pedofilin Epstein se mbante firmën e Trump. Trump dhe avokatët e tij thanë se kartolina ishte e falsifikuar, edhe pasi ajo u publikua nga hetuesit e çështjes Epstein.

Të njëjtën shumë prej 10 miliardë dollarësh, Trump e ka kërkuar edhe më parë.

“Në kohën e publikimit, të paditurit shpërfillën në mënyrë të pakujdesshme nëse deklaratat shpifëse ishin të vërteta dhe/ose shmangën me qëllim zbulimin e së vërtetës,” shkruan avokatët e Trump në ankesën e ndryshuar.
Padia, e depozituar në gjykatën federale në Miami, përmend Rupert Murdoch, Dow Jones, News Corp dhe drejtorin e saj ekzekutiv Robert Thomson, si dhe dy gazetarë të Wall Street Journal, Khadeeja Safdar dhe Joseph Palazzolo, si të paditur, duke thënë se ata shpifën ndaj Trump dhe i shkaktuan atij dëme “dërrmuese” financiare dhe reputacionale.

Dow Jones ka deklaruar se ka besim të plotë në rigorozitetin dhe saktësinë e raportimit të WSJ dhe se do ta mbrojë fuqishëm padinë.

Epstein vdiq në një qeli burgu në New York në vitin 2019. Çështja e tij gjeneroi teori konspirative që u bënë të njohura mes bazës së mbështetësve të Trump, të cilët besonin se qeveria po mbulonte lidhjet e Epstein me të pasurit dhe të fuqishmit. Trump ka thënë se i kishte ndërprerë marrëdhëniet me Epstein përpara se problemet ligjore të financierit të bëheshin publike në vitin 2006.

Gjykatësi i gjykatës federale amerikane, Darrin P Gayles, i emëruar nga ish-presidenti Barack Obama, hodhi poshtë ankesën e parë të Trump në prill. Gjykatësi konstatoi se Trump nuk kishte përmbushur standardin ligjor të “keqdashjes reale” për figurat publike në çështjet e shpifjes, i cili kërkon prova se i padituri publikoi një deklaratë që e dinte ose duhej ta dinte se ishte e rreme.

Trump ka ngritur gjithashtu padi për shpifje dhe procese të tjera kundër organizatave të tjera mediatike, përfshirë New York Times, BBC dhe Des Moines Register të Ioëa-s. Këto media kanë mohuar çdo shkelje dhe po i luftojnë çështjet në gjykatë.

Administrata Trump ka vepruar për të kufizuar aksesin e shtypit në agjencitë qeveritare dhe ka kërcënuar të përdorë kompetencat rregullatore kundër mediave kritike, duke nxitur sfida ligjore nga organizatat mediatike.