OBSH: Lufta po pengon frenimin e Ebola-s në Kongo

OBSH: Lufta po pengon frenimin e Ebola-s në Kongo

Bota May 27, 2026 - 18:36

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se konflikti i vazhdueshëm në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, po pengon rëndë përpjekjet për frenimin e shpërthimit të Ebola-s, duke e cilësuar situatën si një përplasje katastrofike mes sëmundjes dhe konfliktit, raportoi BBC.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se përhapja e virusit në provincën Ituri, po ndodh më shpejt se reagimi i autoriteteve shëndetësore, ndërsa luftimet dhe zhvendosjet masive të popullsisë po vështirësojnë izolimin e rasteve dhe ndërtimin e besimit me komunitetet lokale.

Sipas autoriteteve kongoleze, deri tani janë raportuar 220 vdekje të dyshuara nga Ebola, megjithëse vetëm 17 raste janë konfirmuar përmes analizave laboratorike.

Rreth 1 000 persona po shfaqin simptoma të ngjashme me virusin, ndërsa ekipet mjekësore po përpiqen të gjurmojnë mbi 3 600 kontakte të personave të infektuar.

OBSH-ja dhe organizata humanitare “Mjekët pa Kufij” theksojnë se mungesa e sigurisë, infrastruktura e dobët dhe sulmet ndaj qendrave shëndetësore, po e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë kontrollin e situatës.

Shpërthimi aktual lidhet me variantin e rrallë Bundibugyo të Ebola-s, për të cilin aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime të miratuara.

Megjithatë, autoritetet po shqyrtojnë përdorimin e trajtimeve eksperimentale dhe shpërndarjen e mëtejshme të testeve diagnostikuese.

Ndërkohë, disa shtete kanë vendosur kufizime të përkohshme udhëtimi, për personat që vijnë nga Republika Demokratike e Kongos, Uganda dhe Sudan Jugor, mes frikës për përhapjen ndërkombëtare të virusit./atsh