Tragjedi në Spanjë - Vajza 2-vjeçare humb jetën pasi u harrua në makinë, në temperatura ekstreme
Një ngjarje tragjike ka tronditur Spanjën, ku një vajzë dyvjeçare humbi jetën pasi u la aksidentalisht për disa orë në makinën e babait të saj, mes temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Ngjarja ndodhi në qytetin Brión, në rajonin e Galicias, në veriperëndim të Spanjës. Sipas mediave spanjolle, babai i fëmijës kishte çuar mëngjesin e së mërkurës fëmijën tjetër në shkollë dhe më pas duhej të dërgonte vajzën e vogël në çerdhe, por u shpërqendrua nga një telefonatë dhe shkoi direkt në punë, duke harruar foshnjën në automjet.
Temperaturat e larta dhe qëndrimi për disa orë brenda makinës rezultuan fatale për vogëlushen, e cila pësoi arrest kardiak.
Alarmi u dha pasdite, kur nëna shkoi ta merrte vajzën në çerdhe rreth orës 15:00 dhe u informua se ajo nuk ishte dërguar fare atë ditë. Pasi kuptuan çfarë kishte ndodhur, prindërit telefonuan menjëherë shërbimet e emergjencës.
Fëmija u transportua në një qendër shëndetësore në qytetin Bertamiráns, por mjekët vetëm sa konfirmuan vdekjen e saj. Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për rastin, ndërsa familja po merr ndihmë psikologjike.
Bashkia e Brión-it shpalli dy ditë zie zyrtare dhe njoftoi mbajtjen e një minute heshtje në kujtim të vajzës së vogël.
Ndërkohë, Spanja po përballet me temperatura të pazakonta për këtë periudhë të vitit. Shërbimi meteorologjik Aemet paralajmëroi se temperaturat në disa zona mund të arrijnë deri në 38°C, ndërsa ekspertët lidhin valët e hershme të të nxehtit me efektet e ndryshimeve klimatike. /abcnews