Trump: Mund të pranojmë një ndalim 20-vjeçar të programit bërthamor të Iranit

Trump: Mund të pranojmë një ndalim 20-vjeçar të programit bërthamor të Iranit

Bota May 15, 2026 - 14:04

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se mund të mbështesë një marrëveshje që do të ndalte aktivitetin bërthamor të Iranit për një periudhë 20-vjeçare, duke theksuar se garancitë nga Teherani duhet të jenë të besueshme dhe të zbatueshme.

“20 vjet janë të mjaftueshme. Por niveli i garancisë nga ana e tyre… duhet të jetë një periudhë reale prej 20 vitesh”, tha Trumpi gjatë një deklarate për mediat.

Komentet e liderit amerikan vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme lidhur me programin bërthamor të Iran dhe përpjekjeve ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje të re mbi kufizimin e aktiviteteve atomike të Teheranit.

Trumpi nuk dha detaje konkrete mbi formën e mundshme të marrëveshjes, por deklarata e tij sugjeron një qasje më fleksibile krahasuar me qëndrimet e mëparshme të ashpra ndaj Iranit.

Çështja e programit bërthamor iranian mbetet një nga temat kryesore në politikën e jashtme amerikane dhe në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Ndryshe, SHBA-ja dhe Irani kanë arritur kohë më parë një armëpushim pa afat të caktuar pas disa javësh lufte.