Kriza e Hormuzit rrezikon fluturimet në Europë, ekspertët paralajmërojnë mungesë të kerozinës

Kriza e Hormuzit rrezikon fluturimet në Europë, ekspertët paralajmërojnë mungesë të kerozinës

Bota April 16, 2026 - 21:56

Bllokimi i rrugës strategjike tregtare në Ngushticën e Hormuzit për shkak të konfliktit me Iranin po rrit shqetësimet për një krizë të mundshme energjetike globale, me ndikim të drejtpërdrejtë edhe në aviacion.

Sipas drejtorit të Agjencisw Ndwrkombwtare tw Energjisw, Fatih Birol, Europa aktualisht ka rezerva të kerozinës që mund të zgjasin vetëm rreth gjashtë javë. Ai e cilësoi situatën si “kriza më e madhe energjetike që kemi përjetuar ndonjëherë”, duke paralajmëruar se së shpejti mund të nisin anulimet e fluturimeve për shkak të mungesës së karburantit, shkruajnë mediat gjermane, transmeton Zeri.info.

Vlerësime të ngjashme vijnë edhe nga eksperti i kompanisë “Rystad Energy”, Claudio Galimberti, i cili tha se situata mund të bëhet “sistemike” brenda tre deri në katër javëve të ardhshme. Sipas tij, tashmë janë raportuar anulime të fluturimeve për shkak të mungesës së kerozinës, ndërsa muajt maj dhe qershor mund të shënojnë reduktime të ndjeshme të trafikut ajror.

Nga ana tjetër, një zëdhënëse e Komisionit Evropian ka deklaruar se aktualisht nuk ka prova për mungesë të menjëhershme të karburantit, por nuk e përjashtoi mundësinë e problemeve të furnizimit në të ardhmen e afërt.

Ngushtica e Hormuzit, që lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit, është një arterie kyçe globale për transportin e energjisë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit të lëngshëm. Që nga fundi i shkurtit, ajo është bllokuar në masë të madhe nga forcat iraniane, duke ndërprerë rrjedhën normale të furnizimeve.

Edhe ACI Europe ka paralajmëruar se mungesa e kerozinës mund të shfaqet që në fillim të majit, nëse transporti detar nuk rifillon.

Megjithatë, situata nuk është e njëjtë për të gjitha vendet. Disa shtete si Austria, Bullgaria dhe Polonia kanë rezerva më të mëdha, ndërsa vende si Mbretëria e Bashkuar, Islanda dhe Holanda konsiderohen më të ekspozuara.

Ndërkohë, ministrja gjermane e Ekonomisë, Katherina Reiche, ka siguruar se në Gjermani nuk ka aktualisht mungesë të kerozinës, duke theksuar se vendi prodhon edhe vetë këtë karburant përmes rafinerive vendore.

Ekspertët paralajmërojnë se ndikimi do të jetë i pabarabartë: aeroportet më të vogla dhe ato në brendësi të kontinentit pritet të preken më shumë se qendrat e mëdha ndërkombëtare. Sipas analizave, nuk pritet një ndalim total i fluturimeve, por ndërprerje të pjesshme dhe selektive.

Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian është duke përgatitur një plan emergjent për të përballuar krizën, i cili përfshin rritjen e kapaciteteve të rafinerive dhe masa të tjera për të siguruar furnizimin me kerozinë./Zëri