Ambasadori i SHBA-së në Serbi: Tensionet Kosovë-Serbi mund të destabilizojnë Ballkanin

Ambasadori i SHBA-së në Serbi: Tensionet Kosovë-Serbi mund të destabilizojnë Ballkanin

Bota August 17, 2022 - 10:52

Tensionet në Ballkan mund të përshkallëzojnë nëse nuk adresohen mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu u shpreh ambasadori amerikan në Serbi, Christofer Hill, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters.

"Jemi marrë mjaftueshëm me problemet e Ballkanit për të ditur se ekziston gjithmonë rreziku për përshkallëzimin e tensioneve. Prandaj mendoj se detyra e kujtdo, duhet të jetë zbutja e tensioneve. Për të zbehur rrezikun të gjithë duhet të inkurajojmë palët te fokusohen tek ajo që do të ndodhë në negociatat aktuale”, ishin fjalët e tij.

Tensionet mes dy vendeve u rindezën në fillim të muajit, kur do të hynin në fuqi vendimet e qeverisë së Kosovës që detyronin serbët në veri të pajiseshin me targa të lëshuara nga autoritetet e Prishtinës dhe me dokumente të përkohshme personale për hyrje daljet në Kosovë.

Pas protestave, implementimi i masave u shty deri më 1 shtator. Duke iu referuar bisedimeve që pritet të zhvillohen të enjten mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, ambasadori Hill tha se çështja kryesore që duhen adresuar në dialog është e ardhmja e serbëve të Kosovës.

“Në respekt të çështjeve aktuale, nëse sheh dialogun e Brukselit, problematikat që duhen adresuar janë të ditura tashmë. Problemi thelbësor është te gjendet secila do të jetë e ardhmja e popullsisë serbe në Kosovë dhe më pas të adresohen çështjet e tjera. Ata duhet te fokusohen aty ku negociatorët i kërkojnë te fokusohen si përshembull çështja e elektricitetit në veri të Kosovës apo ajo e targave”, shtoi Hilli.

Diplomati amerikan tha se çështja e Kosovës dhe Serbisë vijon prej 20 vjetësh, dhe se kishte ardhur koha për të shënuar progres serioz. /a2cnn