Zelanda e Re synon ta ilegalizojë shitjen e cigareve për të lindurit pas 2004-ës
Foto: AP

Zelanda e Re synon ta ilegalizojë shitjen e cigareve për të lindurit pas 2004-ës

Bota April 16, 2021 - 13:29

Zelanda e Re ka njoftuar për një pako propozimesh, që kanë për qëllim ta bëjnë ilegale pirjen e duhanit për gjeneratën e ardhshme dhe që vendin ta afrojnë sa më shumë synimit për t’u bërë vend pa duhan deri në vitin 2025.

Planet përfshijnë rritjen graduale të moshës legale të duhanpirjes, e cila mund të shkojë deri në ndalimin e shitjes së cigareve dhe produkteve të duhanit për këdo që ka lindur pas vitit 2004, duke e bërë në mënyrë të efektshme pirjen e duhanit ilegale për atë gjeneratë, raporton “The Guardian”.

Po ashtu është duke u konsideruar edhe ulja e nivelit të nikotinës që lejohet në produktet e duhanit, ndalimin e filtrave, caktimin e çmimit minimal për cigare dhe kufizimin e vendeve ku mund të shitet duhani dhe cigaret, transmeton Zeri.info.

“Na duhet një qasje e re”, tha të enjten zëvendësministrja e Shëndetësisë e Zelandës së Re, Ayesha Verrall, teksa i prezantoi ndryshimet.

“Rreth 4.500 shtetas të Zelandës së Re vdesin çdo vit nga duhanpirja dhe na duhet të bëjmë përparim të shpejtë për të qenë në gjendje që ta arrijmë atë synim [të vendit pa duhanpirje deri më 2025]. Pa një program kontrolli të duhanit s’mund ta arrijmë këtë synim”.

Propozimet u mirëpritën nga një numër i madh i organizatave shëndetësore.

Këto plane hasën edhe në kritika për pasoja potencialisht të padëshiruara, duke përfshirë perspektivën e falimentimit për pronarët e dyqaneve të vogla “qumështore” dhe mundësinë e një tregu të zi të zgjeruar për duhanin.

Qeveria e pranoi se ky ishte një rrezik në dokumentin e saj ku u detajuan propozimet: “Provat tregojnë se sasia e produkteve të duhanit që kontrabandohet në Zelandën e Re është rritur ndjeshëm në vitet e fundit dhe grupet e organizuara kriminale janë përfshirë në kontrabandë në shkallë të gjerë”, thuhet në dokument.

Partia politike e krahut të djathtë, ACT, tha se ulja e përmbajtjes së nikotinës mund të rezultojë në blerjen dhe pirjen e sasive më të mëdha të duhanit për t’i mbushur nevojat. “Duhanpirësit e Zelandës së Re që kanë mundësi ta blejnë atë, do të shpenzojnë më shumë në shprehitë e tyre dhe për pasojë do t’u bëjnë dëme personave përreth nëse qeveria mandaton uljen e nikotinës”, tha zëdhënësja e ACT-së, Karen Chhour.

Duhanpirja shkakton një në katër vdekje në Zelandë të Re dhe rreth gjysmë milioni zelandezë janë duhanpirës ditor. /Zëri