Ndodh edhe kjo: Amerika është hakuar

Ndodh edhe kjo: Amerika është hakuar

Auto&Tech January 28, 2021 - 18:57

Pothuajse nga fillimi i përdorimit masiv të kompjuterëve, u paraqit edhe nevoja për të hyrë në të dhënat e një vendi tjetër, kompanie apo edhe ushtrisë armike. Shpejt u shfaqën ekspertë kompjuterikë të cilët kishin njohuri dhe aftësi për të hyrë në këto të dhëna. Më vonë, këta ekspertë do të quhen “hakerë”, raporton “Aljazeera Balkans”, transmeton “Zeri.info”

Në fakt, hakerët janë të gjithë ekspertë të cilët në një farë mënyre (me njohuri programimi ose teknika të veçanta) mund të kapërcejnë ndonjë problem kur bëhet fjalë për përdorimin e kompjuterëve ose rrjeteve kompjuterike.

Sot, pajisjet inteligjente të dorës janë gjithashtu mbizotëruese – telefonat e tabletët, ndërsa programet kompjuterike dhe aplikacionet mund të gjenden në TV, pajisje argëtuese, madje edhe në makina. Hakerët dhe grupet e hakerëve shpesh ndahen në “qëllimkëqij” dhe “qëllimmirë”. Në grupin e parë bëjnë pjesë rrjete të ndryshme kriminale, përfshirë njësitë e hakerëve ushtarakë, ndërsa grupi i dytë përfshin ekspertë të rrjetit, zhvillues dhe ekspertë të TI-së të cilët merren me gjetjen e dobësive në sisteme të ndryshme operative.

Sulmi i hakerëve dhjetorin e kaluar, i cili u krye duke përdorur softuerin “Solar Winds”, dukej si sulmi më i madh i hakerëve në historinë e SHBA-së. Më vonë do të dalë se është vetëm maja e ajsbergut. “Solar Winds” është një grup i paketave programuese dhe të softuerëve të ndërmarrjes së njohur nga Austin, Texas, me po të njëjtin emër.

Ky program përdoret për të monitoruar një numër të madh kompjuterësh në rrjetet e kompanive, si dhe shumë shërbime qeveritare dhe agjenci në Shtetet e Bashkuara. Hakerët arritën të krijojnë një virus kompjuterik (i ashtuquajtur Trojan) i quajtur “Sunburst”. Ky virus është krijuar që të duket si një pjesë e rregullt e kodit të programit të vetë paketës “Solar Winds”, dhe shkarkohet lehtësisht kur azhurnoni softuerin në internet. E gjithë kjo zgjati të paktën një muaj, por shumë media dhe ekspertë amerikanë pretendojnë se është periudha nga maji deri në dhjetor 2020.

Për t'i bërë gjërat edhe më serioze, hakerët gjithashtu arritën të identifikojnë të gjithë rrjetin e përdoruesve të paketës “Solar Winds”, si dhe softuerin tjetër të tyre të quajtur “Orion”. Ata më pas arritën ta marrin këtë rrjet me një sulm të “zinxhirit të furnizimit” duke përdorur një virus tjetër të quajtur “Supernova”. Pas zbulimit të këtij sulmi hakerësh, aksionet e “Solar Winds” menjëherë ranë me 25 për qind, dhe madje deri në 40 për qind që nga fillimi i këtij viti.

E kush janë saktësisht shënjestrat e sulmit më të madh të hakerëve në tokën e SHBA-së? Ministritë e Mbrojtjes (Pentagoni), Energjia, Punët e Jashtme (Departamenti i Shtetit), Tregtia, Bujqësia, si dhe Agjencia për Sigurinë Shtetërore dhe Agjencia Kombëtare e Barnave. Pak a shumë, pothuajse e gjithë qeveria amerikane. /Zëri