Pandemia godet edhe BMW-në, ja sa i ranë shitjet vitin që shkoi

Pandemia godet edhe BMW-në, ja sa i ranë shitjet vitin që shkoi

Auto&Tech January 12, 2021 - 11:00

Prodhuesi gjerman i veturave luksoze, BMW, është prekur mjaft shumë nga pandemia e koronavirusit. Si pasojë, shitjet e kompanisë gjatë vitit të kaluar shënuan rënie për 8.4 për qind.

Sidoqoftë, kompania e njohur njoftoi se kërkesa e blerësve u rrit në çerekun e katërt të vitit, duke shënuar ngritje për 3.2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan Reuters.

“Ne arritëm sukses duke e përfunduar vitin me një çerek të katërt të fuqishëm dhe edhe një herë udhëheqim në segmentin Premium në nivel botëror”, tha anëtari i bordit të BMW-së, Pieter Nota.

Në përgjithësi, kompani me bazë në Mynih vitin e kaluar shiti 2 milionë e 324 mijë e 809 vetura. Në Evropë, shitjet shënuan rënie për 15.7 për qind, ndërsa në Shtetet e Bashkuara 18 për qind.

Sidoqoftë, në Kinë, ku pandemia filloi së pari por u mor nën kontroll më shpejt se në shtetet tjera, shitjet e veturave të kompanisë gjermane shënuan rritje për 7.4 për qind, transmeton Gazeta Express.

Ndryshe, gjatë valës së parë të pandemisë, në pranverë, shumë shtete evropiane morën masa të rrepta të izolimit dhe sallonet e veturave u detyruan të mbyllen për disa muaj.