Zbulohet planeti i dytë rreth yllit Beta Pictoris

Zbulohet planeti i dytë rreth yllit Beta Pictoris

Auto&Tech gusht 20, 2019 - 18:36
Lexoni detajet

Një planet i ri gjigant është zbuluar rreth yllit të ri Beta Pictoris, që shkëlqen 63,4 vite dritë nga Toka, sipas një studimi të publikuar në revistën “Nature Astronomy”.

“Bëhet fjalë për një planet gjigant rreth 3 000 herë më i madh se masa e tokës dhe që ndodhet 2,7 herë më larg nga ylli i tij sesa Toka nga Dielli”, theksoi Anne-Marie Lagrange, studiuese e CNRS në Institutin e Planetologjisë dhe Astrofizikës të Grenobles, autore kryesore e studimit.

E dukshme me sy të lirë dhe që prej shumë kohësh njohur për rrotullimin e tij të shpejtë, ylli Beta Pictoris është bërë i njohur në vitet 1980, kur ai u mundësoi astronomëve të merrnin imazhin e parë të një disku pluhuri dhe gazi që rrethon një yll.

Për më tepër, sistemi planetar ku bën pjesë, i vjetër rreth 20 milionë vite (shumë pak në krahasim me 4,6 miliardë vite nga sistemi diellor) mund të duket si ajo që duhet të jetë bota jona menjëherë pas formimit.

“Ky sistem planetar është padyshim më i miri për të kuptuar formimin dhe evolucionin e hershëm”, shpjegon astrofizikanti që e studion prej 30 vitesh.

Pas planetit gjigant Beta Pictoris B, zbuluar nga një ekip i Anne-Marie Lagrange në 2009, një I dytë u pa rreth yllit. Kjo “motër e vogël, pothuajse binjake”, merr logjikisht emrin Beta Pictoris C.

Sipas shkencëtarëve, dy planetete janë ende në fazën e formimit.

“Planetet gjigante luajnë një rol vendimtar në sistemet planetare”, theksoi astrofizikantja.

“Ne mund të studiojmë gjithashtu ndërveprimet mes planeteve dhe diskut të pluhurave.

Beta Pictoris C u zbulua në mënyrë indirekte në sajë të spektografit HARPS, një zbulues planetësh nga Observatori Europian Jugor që ndodhet në Kili./atsh