Kroos e zbulon zgjedhjen e tij për Topin e Artë: As Kane, as Mbappé, as Yamal

Toni Kroos ka zbuluar se kujt do t’ia kishte dhënë Topin e Artë 2026, duke zgjedhur një emër ndryshe nga fituesi Harry Kane, si dhe Kylian Mbappé e Lamine Yamal.

Ish-mesfushori gjerman, në podcastin e vëllait të tij Félix, deklaroi se zgjedhja e tij do të ishte Khvicha Kvaratskhelia, ylli i Paris Saint-Germainit.

“Nëse do të më duhej ta zgjidhja fituesin e Topit të Artë, zgjedhja ime do të ishte Kvaratskhelia. Nëse shikojmë vetëm paraqitjet gjatë sezonit, ai është një opsion shumë interesant, pasi ishte lojtari më i mirë i ekipit më të mirë në Evropë, veçanërisht gjatë Ligës së Kampionëve”, u shpreh Kroos.

Gjermani zbuloi edhe podiumin e tij personal, ku përveç Kvaratskhelias do të përfshiheshin Luis Diaz dhe Harry Kane.

Sulmuesi gjeorgjian përfundoi në vendin e gjashtë në renditjen zyrtare, pavarësisht se nuk kishte marrë pjesë në Kupën e Botës verore. /Zëri