I kërkuari nga Policia shfaqet i armatosur në TikTok

Personi i kërkuar nga Policia e Kosovës për veprën penale “Vrasje në tentativë”, Vezir Haziraj, është shfaqur i armatosur në një video të publikuar në TikTok.

Haziraj, 28-vjeçar, është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës në lidhje me një rast të ndodhur më 7 gusht 2026 në Orrobërd të Istogut.

Policia ka paralajmëruar se i dyshuari konsiderohet i rrezikshëm dhe i armatosur. Në një video të publikuar para disa orësh në TikTok, ai shihet me një armë në krah, e cila, bazuar vetëm në pamjet e videos, duket të jetë një pushkë gjuetie, shkruan Zeri.info.

Haziraj ka vazhduar të publikojë video në këtë rrjet social edhe gjatë kohës që ndodhet në arrati. Në njërën prej tyre ai shprehet se dëshiron që policia të mos e gjejë “në gjumë”, ndërsa në videot e tij flet edhe për tortura të pretenduara ndaj tij.

Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka të dhëna se Policia e Kosovës ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin.

Policia ka bërë thirrje që qytetarët që mund të kenë informacion për vendndodhjen e tij, të njoftojnë autoritetet. /Zëri