Tri raste me të shtëna armësh - në Deçan, Istog e Junik, policia sekuestron armë dhe municion
Tri raste të përdorimit të armëve janë evidentuar gjatë dy ditëve në rajonin e Pejës - në Deçan, Istog dhe Junik.
Sipas Policisë së Kosovës, më 8 gusht, rreth orës 22:10, Stacioni Policor në Deçan ka pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një aheng në fshatin Strellc.
Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ku kanë sekuestruar një armë zjarri, një karikator dhe tri gëzhoja.
I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të Shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.
Një tjetër rast është shënuar në Istog, po më 8 gusht, rreth orës 23:25. Sipas Policisë, zyrtarët policorë, derisa po merreshin me një rast tjetër të shkaktuar nga i dyshuari, gjatë kontrollit në çantën e tij kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një karikator dhe katër fishekë të së njëjtës armë.
Edhe në këtë rast i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të Shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, më 9 gusht, rreth orës 16:20, Policia në Junik ka pranuar informatë për të shtëna me armë në lagjen “Goçaj”.
Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka arrestuar të dyshuarin, tek i cili janë gjetur dhe sekuestruar - një pistoletë, një karikator dhe dy fishekë të së njëjtës armë.
Edhe ky i dyshuar, pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të Shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë apel qytetarëve që gjatë organizimit të ahengjeve dhe festimeve të tjera të përmbahen nga përdorimi i armëve.
“Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa ndaj të gjithë atyre që përdorin armë në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në apelin e Policisë. /Zëri