KRU “Prishtina”: Afati për kontrata po skadon

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve të paraqiten sa më parë në pikat më të afërta të shërbimit për të nënshkruar kontratat për shërbime, si dhe për të kryer pagesat e faturave të ujit.

Sipas njoftimit zyrtar, afati për nënshkrimin e kontratave është drejt përfundimit dhe kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në skadimin e tij. Nga kjo kompani theksojnë se respektimi i këtij obligimi është i domosdoshëm për vazhdimin e rregullt të furnizimit me ujë.

Në të kundërtën, paralajmërohet se konsumatorët që nuk e përmbushin këtë detyrim brenda afatit të përcaktuar do të përballen me ndërprerje të pashmangshme të shërbimeve të ujësjellësit.

KRU “Prishtina” u bën apel qytetarëve të veprojnë me kohë, në mënyrë që të shmangin pengesa të panevojshme dhe të sigurojnë furnizim të pandërprerë me ujë.