Kërkohet verifikimi i imamëve që do të ligjërojnë nëpër burgje

Njohës të çështjeve të sigurisë pohojnë se imamët të cilët do të ligjërojnë para të burgosurve duhet të verifikohen me kujdes nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) pasi disa prej tyre përmes rrjeteve sociale kanë bërë nxitje të urrejtjes fetare. Në anën tjetër, zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) presin arritje pozitive sa i përket deradikalizmit të të burgosurve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Marrëveshje e bashkëpunimit për realizimin e rehabilitimit dhe të riintegrimit të personave të burgosur në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës në maj të këtij viti po cilësohet si njëri nga hapat më të mirë të këtyre dy institucioneve në zhdukjen e radikalizmit dhe të urrejtjes fetare.

Megjithatë ende nuk dihet se kur do të nisë saktësisht implementimi i kësaj marrëveshjeje.

LEXO EDHE: Liberalizimi rrezikohet nga shtetet e mëdha

Zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës pohojnë se ky proces ende nuk ka nisur.  

Zyrtari për informim në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Jeton Kabashi, i ka thënë gazetës “Zëri” se nuk është përcaktuar se sa do të zgjasë procesi i realizimit të rehabilitimit dhe të riintegrimit të personave të burgosur.

Sipas tij, SHKK-ja pret arritje pozitive nga ky proces.

“Ju informojmë se ende është duke u punuar për fillimin e procesit pas arritjes së marrëveshjes në mes të MD-së dhe BIK-ut. Kjo marrëveshje do të jetë një ndihmesë shtesë e këtij procesi dhe se priten arritje pozitive. Ju informojmë gjithashtu se nuk është përcaktuar ndonjë periudhë kohore se sa do të zgjasë procesi”, ka thënë Kabashi.

Ndërkohë edhe njohës të çështjeve të drejtësisë dhe të sigurisë presin rezultate të mëdha nga kjo iniciativë e MD-së dhe e BIK-ut

Islami: Të verifikohen mirë imamët që do të ligjërojnë nëpër burgje

Njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami pohon se çështja e deradikalizmit të dyshuarve dhe të dënuarve për “Radikalizëm” dhe për “Terrorizëm” është një ide e qëlluar. Ai  beson se ky proces do të ketë ndikim në deradikalizmin e të burgosurve të radikalizuar.

Por Islami thotë se verifikimi i imamëve nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet të bëhet me shumë kujdes, sepse ligjëratat e disa prej tyre që janë parë në rrjetet sociale përkrahin idetë ekstreme të radikalizmit dhe në një mënyrë edhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në radikalizmin e të rinjve të Kosovës dhe në shkuarjen e disa prej tyre në Siri.

“Unë mendoj se përzgjedhja e imamëve dhe verifikimi i tyre lënë për të dëshiruar, për shkak se një numër i emrave që i kam parë në listën e atyre që do të mbajnë ligjërata në burgjet e Kosovës dyshoj shumë se ata do ta arrijnë efektin e vet. Kjo për shkak se një numër i atyre imamëve të cilët do të mbajnë ligjërata për të burgosurit e radikalizuar, duhet që vetë të deradikalizohen e pastaj të shkojnë t’u mbajnë ligjërata të burgosurve”, është shprehur Islami.

Sipas tij, nëse me të vërtetë institucionet e drejtësisë e kanë marrë seriozisht dhe nëse në burgjet e Kosovës shkojnë dhe mbajnë ligjërata imamët të cilët e shpjegojnë islamin e cilësdo shkollë juridike tjetër që është në pajtim me rregullat islame dhe me islamin tradicional ose autentik kjo iniciativë do të ketë sukses.

Koci: Një marrëveshje e tillë të nënshkruhet edhe me Kishën Katolike dhe me entitetet fetare të tjera

Avokati Arianit Koci thotë se kjo marrëveshje është një nismë tejet e domosdoshme dhe e dobishme.

Ai është optimist se kjo nismë do të shërbejë për ngritjen e vetëdijes së të burgosurve lidhur me interpretimet e besueshme të dispozitave fetare për mirësjelljen dhe për raportin e njeriut me veten e tij dhe të tjerët përreth tij.

Madje avokati Koci  rekomandon që marrëveshje të tilla të nënshkruhen edhe me Kishën Katolike dhe me entitete të tjera fetare.

“Unë besoj fuqishëm se një strategji e tillë shtetërore për rehabilitimin dhe për riintegrimin e personave të burgosur është një ide e shkëlqyeshme e qasjes ndaj këtij problemi. Radikalizmi fetar është sfidë reale me të cilën ballafaqohet edhe Perëndimi, andaj besoj se një bashkëveprim i tillë ndërmjet institucioneve shtetërore dhe entiteteve fetare është i domosdoshëm. Aq më shumë, mendoj se është mirë që një marrëveshje e tillë të nënshkruhet edhe me Kishën Katolike dhe me entitetet fetare të tjera të njohura me Kushtetutën e Kosovës, në mënyrë që çdo të burgosuri t’i sigurohet kleriku fetar i entitetit fetar përkatës”, është shprehur Koci.  

Ai thotë se shteti duhet të përdorë çdo metodë, duke përfshirë edhe prezantimin e mësimeve fetare, për t’i rehabilituar dhe për t’i riintegruar këta individë në shoqëri pas vuajtjes së dënimit.

Qëllimet e këtij memorandumi do të arriheshin në tërësi, sipas Kocit, vetëm nëse në këtë platformë do të përfshiheshin të gjithë të burgosurit, pavarësisht veprave penale për të cilat vuajnë dënimin.

Ekspertë të çështjeve të sigurisë pohojnë se është shumë e rëndësishme se cilët imamë do të mbajnë ligjërata për këta të burgosur.