Liberalizimi rrezikohet nga shtetet e mëdha

Aktuale June 22, 2018 - 07:55
Lexo detajet

Të martën ose të enjten e ardhshme pritet të publikohet raporti i Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Megjithatë, njohës të integrimeve thonë se edhe nëse KE-ja vlerëson se Kosova ka përmbushur kriterin e luftimit të krimit të organizuar e të korrupsionit dhe rekomandon heqjen e vizave Kosova mund të mbetet pa liberalizim gjatë këtij viti.

Kjo pasi ata vlerësojnë se disa shtete të rëndësishme si Franca, Gjermania, Holanda e Suedia janë të rezervuara në këtë proces dhe se mund ta bllokojnë vendimin në Këshill të Ministrave.

LEXO EDHE: Mbi 100 pacientë presin për t’u operuar në zemër

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ditë më parë në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se presin se do të jepet vlerësimi i cili do t’i përmbajë të arriturat e institucioneve kosovare të luftës ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Hoxha po ashtu ka thënë se kanë lobuar për të siguruar mbështetjen e vendeve anëtare, pasi lobimi është proces po aq i rëndësishëm gati sa edhe përmbushja e kritereve.

Kurse kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu Kodra, ka thënë se presin që raporti të publikohet të martën ose të enjten e javës së ardhshme.

“Si Komision ende nuk kemi ndonjë njoftim, por vetëm ato deklarimet që i kemi dëgjuar se më 26 ose me 28 të këtij muaji do të jetë mbledhja e Komisionit. Po presim të jetë pozitiv”, është shprehur ajo.

Pacolli: Rekomandimi mund të jetë pozitiv, ndërsa vendimi negativ

Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Fitore Pacolli, ka thënë se aktualisht nuk mund të flitet për përmbajtjen e raportit, megjithatë në bazë të raporteve të brendshme të BE-së mund të pritet vlerësim jo i mirë.

“Por në bazë të një raporti që kemi parë, gjendja në Kosovë paraqitet shumë e keqe. Ka informata se ai raport është bërë nga BE-ja për ta kuptuar ata se cila është gjendja e Kosovës dhe jo për të na treguar neve se ku jemi. Prandaj duke u bazuar në raport shanset janë të vogla që rekomandimi të jetë pozitiv”, ka deklaruar Pacolli.

Pavarësisht kësaj, deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se mund të ketë rekomandim pozitiv nga Komisioni, porse vendimi nga Këshilli mund të jetë negativ.

“Deri më tani është dashur ta kemi një listë të shteteve se cilat na përkrahin e cilat jo, por ne nuk e kemi atë. Ka mundësi që shtetet e mëdha të mos na përkrahin, Franca është njëra nga to, por ka edhe shtete tjera. Ne mund të marrim rekomandim pozitiv, por ky do të jetë një mashtrim për qytetarët pasi votimi sipas të gjitha gjasave do të jetë negativ”, ka shtuar Pacolli.

Kryeziu: Rezistencë mund të paraqesin Gjermania, Franca, Holanda e Suedia

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, ka thënë për “Zërin” se është bërë pak punë në luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit të nivelit të lartë. Sidoqoftë, ai thotë se Kosova do të duhej ta fitojë liberalizimin e vizave e kjo për hir të qytetarëve e jo të kësaj klase politike sepse kjo çështje tanimë është shndërruar në çështje të të drejtave themelore, të lirisë së lëvizjes.

Kryeziu ka thënë se pret që rekomandimi i KE-së të jetë pozitiv, por disa shtete të fuqishme mund të dalin kundër heqjes së vizave për Kosovën.

“Pres një rezistencë të fuqishme të vendeve anëtare, në veçanti të shteteve si: Gjermania, Franca, Suedia dhe Holanda. Çështja e migrimit sot është shndërruar në çështje kryesore të diskursit politik e publik në vendet e BE-së. Në vendin më të fuqishëm si Gjermania ne po shohim një tendencë ku çështjet e migrimit mund potencialisht edhe të kolapsojnë koalicionin qeverisës në Gjermani”, ka vlerësuar Kryeziu më tej.

 Në fund ai ka thënë se duke pasur parasysh që Kosova nuk ka shënuar progres në trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të nivelit lartë, si dhe duke pasur parasysh mjedisin jashtëzakonisht negativ politik në BE për çështje të migrimit, Kosova ka gjasa shumë të vogla për të siguruar liberalizimin e vizave këtë vit.