​ Lista Serbe injoron kryeministrin Mustafa

Deputetët serbë nuk kanë përfillur kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës, që të kthehen në pozitat e tyre të cilat i kanë ngirë tash sa kohë. Mustafa ka kërkuar që ata të kthehen në institucione dhe të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Jemi të përkushtuar që t’i zbatojmë marrëveshjet, edhe atë të Asociacionit, por me serbët. I ftoj ministrat serbë që të kthehen në Qeveri, por ata ministra ta respektojnë ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Përkundër kësaj kërkese, ky subjekt ka heshtur para ftesës së kryeministrit, edhe pse gazeta “Zëri” ka tentuar dy herë radhazi ta kontaktojë përfaqësuesin e këtij subjekti, ky i fundit nuk është përgjigjur.

Ndërkohë, kërkesa e kryeministrit përveçse nuk ka marrë përgjigje nga serbët, ka ngjallur edhe reagime negative në subjektet opozitare të vendit. 

Ata insistojnë që Mustafa t’i ndërpresë kërkesat e tilla dhe të veprojë më guximshëm sa i përket këtij subjekti.

Madje sipas tyre ata, Lista Serbe, nuk duhet të kthehen më në institucionet e Kosovës, as në legjislativ as në ekzekutiv.

Kjo sepse, siç thonë ata, ky subjekt ka punuar nën direktivat e Beogradit në dëm të Kosovës.

Në Qeverinë e Kosovës tregojnë se edhe përkundër kontakteve të vazhdueshme me Listën Serbe, ende nuk e dinë se kur ky subjekt do t’iu kthehen posteve të veta.  

“Ne kemi kontakte te vazhdueshme, ndërsa se kur do të kthehen nuk mund ta them sepse nuk e di”, ka thënë Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Mustafa.

LVV: Lista serbe nuk duhet të jetë pjesë e institucioneve tona

“Vetëvendosje” (LVV) vlerëson se Lista Serbe nuk duhet të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Deputetja e këtij subjekti, Albulena Haxhiu, deklaron se ky subjekt nuk duhet të jetë i pranishëm as në ekzekutiv e as në legjislativ.

“Në vend të reflektimit, Mustafa po vazhdon nënshtrimin karshi një subjekti të krijuar dhe dirigjuar nga Beogradi, siç është Lista “Srbska”. Ne konsiderojmë që ky subjekt nuk duhet të jetë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, as në ekzekutiv dhe as në legjislativ”, ka deklaruar ajo.

Ndryshe, Haxhiu tregon se tensionet e fundit janë produkt i nënshtrimit të vazhdueshëm të institucioneve tona karshi veprimeve të Serbisë.  “Kjo ka mundësuar fuqizimin e Serbisë përbrenda territorit të Republikës sonë me projekte të dëmshme. Pra qasja e mbrapshtë e Qeverisë së Mustafës prodhon tensione, të cilat si subjekt politik në vazhdimësi i kemi paralajmëruar”, ka deklaruar Haxhiu.

Lekaj: Qeveria duhet të tregohet më e guximshme

Se Mustafa ka gabuar me kërkesën e tij drejtuar serbëve mendojnë edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Shefi i Grupit Parlamentar i  këtij subjekti, Pal Lekaj, vlerëson se ekzekutivi i vendit duhet të tregohet më i guximshëm në veprimet e tij.

“Qeveria e Kosovës, koalicioni qeverisës, do të duhej të tregohen më i guximshëm duke mos i lutur edhe me tutje një grup destruktiv siç është Lista Serbe që të kthehen në institucione”, ka thënë Lekaj.

Sipas tij, Qeveria Mustafa duhet të fillojë të vendosë në të mirë të vendit e jo të Serbisë.

“Të merrte vendimin më të mirë të mundshëm që të zhbllokonte vendimmarrjen e dy të tretave të minoriteteve dhe të mundësonte sa ma parë transformimin e FSK-së, e po ashtu t'iu jepte një mesazh se nuk mund të mbetet Kosova në mëshirën e tyre”, ka thënë më tej Lekaj.

Politologu, Ramush Tahiri, e vlerëson si të drejtë kërkesën e kryeministrit Mustafa për kthimin e serbëve në institucione.

“Kërkesa e kryeministrit  të Kosovë për kthimin e partive politike serbe është e drejtë dhe nuk ka alternativë e as parakushte”, ka deklaruar Tahiri.