Rama: Foto e Ditës, në shtëpinë e Kongresit të Manastirit

Rama: Foto e Ditës, në shtëpinë e Kongresit të Manastirit

Aktuale November 22, 2026 - 20:46

Kryeministri Edi Rama zgjodhi që të kujtojë Ditën e Alfabetit përmes një fotografie historike me anëtarët e Komisionit të Abecesë të zgjedhur nga Kongresi i Manastirit të vitit 1908.

Kryeministri publikoi Foton e Ditës, të shoqëruar me diçiturën “në shtëpinë e Kongresit të Manastirit” e realizuar sot gjatë vizitës së tij në shtëpinë-muze të Kongresit dhe Alfabetit.

Fotografia i referohet një prej momenteve të rëndësishme të Kongresit të Manastirit, ku përfaqësues shqiptarë nga qytete dhe shoqëri të ndryshme u mblodhën për të diskutuar dhe vendosur mbi alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe.

Kongresi që u mbajt nga data 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, në qytetin e Manastirit, ishte një kongres mbarëkombëtar.

Kongresi i Manastirit, i njohur edhe si Kongresi i Alfabetit, nuk kishte një listë të vetme “firmëtarësh” si Akti i Pavarësisë i vitit 1912, por u përfaqësua nga 50 delegatë (32 me të drejtë vote dhe 18 vëzhgues), vendimet e të cilëve u hartuan dhe u miratuan nga Komisioni i Abecesë prej 11 anëtarësh dhe kryesia e Kongresit.

Komisioni i Abecesë që shqyrtoi dhe vendosi mbi alfabetin e gjuhës shqipe përbëhej nga: Gjergj Fishta (kryetar i Komisionit), Mid’hat Frashëri (nënkryetar i komisionit dhe kryetar i Kongresit), Luigj Gurakuqi (sekretar i Komisionit), si dhe anëtarët: Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Bajo Topulli, Grigor Cilka, Dhimitër Buda, dhe Nyzhet Vrioni.