Pranë familjes, por pa u takuar me vëllanë
Katër ditë në Kosovë, por me takime të kufizuara familjare dhe nën masa të rrepta sigurie. Jakup Krasniqi u kthye në vendlindje për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes, por gjatë vizitës nuk iu lejua as takimi me vëllanë. Veteranët e UÇK-së dhe avokatët kritikojnë mënyrën e trajtimit të tij, ndërsa Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se janë zbatuar urdhrat e trupit gjykues.
U kthye në Kosovë pas dy vjetësh. Por, edhe kësaj radhe, Jakup Krasniqi nuk pati mundësi të qëndronte lirshëm pranë familjes. Ish-kryetari i Kuvendit, i cili që nga viti 2020 ndodhet në paraburgim në Hagë, erdhi më 18 nëntor për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes. Vizita zgjati katër ditë. Nga 18 deri më 21 nëntor, atij iu lejuan vetëm disa orë në ditë me familjen, nën mbikëqyrje dhe masa të rrepta sigurie. Por, kufizimet nuk përfunduan me kaq. Krasniqit nuk iu lejua as takimi me vëllanë.
Nga veteranët e UÇK-së, këto kufizime shihen si një tjetër dëshmi e trajtimit që, sipas tyre, nuk përkon me karakterin humanitar të vizitës.
“Në qoftë se është një vizitë humanitare do të duhej të kishte të paktën pak humanitet. Ne si organizata të dala nga lufta shumë herë kemi thënë se edhe në qendrën e paraburgimit, po edhe gjatë këtyre ngjarjeve që po i ndodhin familjeve të tyre, sjelljet janë johumane, sjelljet janë në shkelje të të drejtave të njeriut”, tha Fatmir Sopi, udhëheqës i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Masat e sigurisë gjatë qëndrimit të Krasniqit në Kosovë i kritikon edhe avokati Skënder Musa. Ai vlerëson se prania e numrit të madh të pjesëtarëve të sigurisë ishte e panevojshme dhe joproporcionale me rrezikun që, sipas tij, mund të paraqiste Krasniqi.
“Është specifikë çështja e qëndrimit jashtë vendit me burg dhe janë inkuadruar edhe forcat policore të EULEX-it. Megjithatë, me gjithë këto forca, një person që kurrfarë rreziku s'ka pasur prej tij, nuk e ka vlerësuar drejt gjykata”, tha Skender Musa, avokat.
Një shpjegim tjetër për mënyrën e organizimit të vizitave humanitare japin nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Sipas tyre, koha dhe personat me të cilët mund të takohet një i paraburgosur përcaktohen paraprakisht nga trupi gjykues.
“Dhe sigurisht që çdo kontakt, çdo kohë e cila i lejohet për të qëndruar me familjarët është paraprakisht e caktuar me një urdhër nga trupi gjykues dhe sigurisht që edhe personeli i cili e ka siguruar vizitën e tij, i njëjti duhet t'i përmbahet këtij urdhëri, të themi të gjykatës, dhe nuk mund të lejojë persona të tjerë për të cilat nuk është paraparë”, tha Amer Alija, avokat nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Jakup Krasniqi tashmë është kthyer në qendrën e paraburgimit në Hagë, pas përfundimit të vizitës në Kosovë, e cila ishte lejuar nga Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara për arsye humanitare.
Gjykata Speciale, përmes një njoftimi të publikuar në faqen e saj zyrtare, ka theksuar se vendimi për lejimin e vizitës ishte marrë për shkak të rrethanave të veçanta humanitare. Gjykata thekson se vizita e Krasniqit është pjesë e praktikës së deritanishme të vizitave humanitare të të paraburgosurve në Kosovë./rtk