Drançolli për mbledhjen tri ditë para vrasjes së Arlindës: Prokurorja kërkoi që gradualisht t’i rikthehej besimi fëmijës

Drançolli për mbledhjen tri ditë para vrasjes së Arlindës: Prokurorja kërkoi që gradualisht t’i rikthehej besimi fëmijës

Aktuale November 20, 2026 - 13:49

Samka Drançolli, zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Pejës, gjatë intervistimit në Komisionin hetimor për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, ka folur për bashkëpunimin me institucionet relevante, duke përfshirë Qendrën për Punë Sociale dhe Policinë, si dhe për funksionimin e Mekanizmit Komunal për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.

E pyetur nëse kishte bashkëpunim me institucionet e tjera dhe nëse ishin arritur protokolle apo memorandume bashkëpunimi, Drançolli tha se këto institucione janë pjesë e mekanizmit, ndërsa përgjegjësia e saj si koordinatore është organizimi i katër takimeve të obligueshme gjatë vitit.

“Të gjitha këto që i përmende, janë në kuadër të mekanizmit, janë anëtarë të mekanizmit. Përgjegjësia ime tek mekanizmi si koordinatore, është katër mbledhje në vit t’i mbaj, janë të parapara edhe janë obligative, që llogariten çdo tre muaj. Aty unë i thërras anëtarët, e përgatis rendin e ditës dhe diskutohen rastet dhe mundohem që t’i koordinoj anëtarët e mekanizmit. Edhe faktikisht e kanë bashkëpunimin që janë të lirshëm me i shpreh rastet, sidomos rastet specifike dhe që janë me prioritet”, deklaroi Drançolli.

Ajo tha se në rastet kur nga takimet dalin rekomandime që kërkojnë ndërhyrjen e saj, ato i përcjell menjëherë te kryetari i komunës apo te institucionet përkatëse.

“Dhe nëse vjen ndonjë rekomandim prej atij takimi dhe është përgjegjësi e imja që unë ta transmetoj te kryetari apo te ndonjë institucion tjetër, atëherë unë ato veprime i kryej menjëherë, siç janë edhe të dokumentuara në secilin procesverbal që kam mbajtur. Secili procesverbal e ka listën e pjesëmarrësve, e ka procesverbalin, rendin e ditës dhe në qoftë se ka ardhur sikur rekomandim i asaj mbledhjeje, janë të dëshmuara mbrapa procesverbalit. Mirëpo, është edhe raporti narrativ, të cilin e kam përgatitur për gjashtëmujorin e parë”, tha ajo.

Drançolli foli edhe për mbledhjen e mbajtur më 22 tetor, vetëm tri ditë para vrasjes së Arlinda Zekajt, ku ishte diskutuar edhe një çështje e ngritur nga prokurorja.

E pyetur nga anëtarët e komisionit se çfarë kishte thënë prokurorja dhe cila kishte qenë këshilla e dhënë në këtë mbledhje, Drançolli tha se prokurorja kishte ngritur çështjen e një raporti që kishte pranuar nga Durim Kelmendi, udhëheqës i QPS-së nga Komuna e Pejës.

“Prokurorja e ka ngritë atë. Prokurorja e ka ngritë sikur që i ka ardhur raporti nga Durimi, edhe pse ajo nuk ka të bëjë me fëmijën konkretisht, mirëpo është interesuar dhe i kanë marrë hapat e duhura sipas deklaratës, sipas raportit. Edhe Durimi ka thënë që është marrë me rastin, i ka, është munduar në atë mënyrë, në atë pjesën e vet të tij të merret me fëmijën, mirëpo është mosha e madhore mbi 12 që fëmija vetë vendos dhe i takon babës faktikisht”, deklaroi ajo.

Sipas Drançollit, në të njëjtën mbledhje prokurorja kishte rekomanduar që të punohej gradualisht me fëmijën, në mënyrë që të rikthehej besimi i tij.

“Mandej edhe prokurorja ka thënë që gradualisht të punohet me fëmijën që t’i kthehet, t’ia kthejmë besimin te ai për ku është më mirë për me shku”, tha Drançolli. /eo